Shtyhet për më 23 Shkurt, gjyqi kundër ish-presidentit të Egjiptit, Mohamed Mursi, i akuzuar për spiunazh dhe komplot për kryerjen e akteve terroriste në vend.
Avokati i tij doli nga salla e gjyqit në shenjë proteste, sepse Mursi dhe të pandehurit e tjerë ishin vendosur brenda një kafazi të qelqtë.
Edhe në daljet e tjera përpara trupit gjykues, ish-presidenti i Egjiptit është futur në një kafaz, për ta ndaluar të bërtasë apo të ndërpresë seancën. Gjykatësi shpjegoi se aty janë vendosur kufje, përmes të cilave mund të dëgjojnë.
Një helikopter e solli Mohamed Mursin nga burgu “Burxh Al Arab”, në akademinë e policisë së Kajros. Së bashku me 35 persona të tjerë, ai akuzohet për bashkëpunim me grupin libanez “Hezbollah”, lëvizjen palestineze “Hamas” dhe “Gardën Revolucionare” të Iranit.
Nëse shpallet fajtor, ai do të marrë dënimin kapital. Mohamed Mursi përballet më katër çështje penale; dy prej te cilëve kanë nisur.
Gjyqi i parë filloi në muajin Nëntor dhe ai akuzohet për nxitje dhune dhe vrasje të protestuesve, në afërsi të pallatit presidencial, kur mbante postin e presidentit në vitin 2012.
Në Janar nisi gjyqi tjetër, që lidhet me arratisjen e tij nga burgu në vitin 2011, ku u vranë disa policë.
I katërti do të mbështetet mbi akuzat për fyerje të sistemit juridik, siç raportojnë mediat. Mbështetësit e Mursit thonë se ndjekja penale e tij dhe zyrtarëve të tjerë të “Vllazërisë Muslimane” është e motivuar politikisht.
Në shfaqjet e mëparshme në sallën e gjyqit, Mursi ka refuzuar të njohë legjitimitetin e trupit gjykues, duke e quajtur veten presidenti legjitim i Egjiptit.
Mohamed Mursi u rrëzua nga pushteti në muajin Korrik 2013, pas protestave masive kundër regjimit të tij. Të paktën 1000 persona humbën jetën në përleshjet mes forcave të sigurisë dhe përkrahësve të tij, ndërsa mijëra të tjerë u arrestuan. Pas këtyre zhvillimeve, autoritetet e shpallën “Vllazërinë Muslimane” grup terrorist. / Top Channel
Categories