Editoriali i gazetës britanike “The Guardian”
Vendi është kthyer atje ku ishte dy vjet më parë dhe me ikjen e Mursit, rregjimi i vjetër është kthyer atje ku donin të ishin.
Nëse ushtria e Egjiptit do të kishte dashur ta maskonte faktin se ajo që ata sapo bënë ishte një grusht shteti, e kanë bërë këtë punë keq. Pa e zënë me gojë Muhammed Mursin, kreu i ushtrisë, gjenerali Abdulfettah Sisi në fakt shpalli heqjen e të parit president të zgjedhur demokratikisht, duke caktuar kryetarin e gjykatës kushtetuese si kreun e përkohshëm të shtetit. Askush në Egjipt nuk e njeh se kush është ky njeri, Adli Mensur. Por ai do të jetë fytyra apo më mirë, gjethja e fikut, e atyre që shkruajnë vendime kushtetuese.
Gjeneral Sisi bëri thirrje për zgjedhje presidenciale, parlamentare dhe një grup pune për të rishikuar kushtetutën, por nuk u dha asnjë axhendë kohore për këtë gjë. Nuk mund të të ngrohet zemra nga asnjëri nga ata politikanë dhe krerë fetarë që qëndruan ulur pranë juntës ushtarake. Dy prej tyre, Ahmed Tajjib, shejhu i madh i Ez’herit, katedrës më të madhe të studimeve islame në Kairo dhe partia selefije Nur ishin shkaku i përballjes më të fortë që Vëllezërit Musliman të përmbysur patën me liberalët laikë rreth interpretimit të Sheriatit në kushtetutën e re. Tani ata janë në anën tjetër dhe interpretimet e tyre fundamentaliste do të bëhen problemet e rregjimit të ri.
Ky rregjim i ri nuk është liberal. Veprimi i tij i parë ishte mbyllja e pesë stacioneve televizive, të cilat po mbulonin demonstratat gjithnjë e në rritje të mbështetësve të Vëllezërve Muslimanë. Një kanal i gjashtë, El Xhezira Misr, degë e El Xheziras, u bastis dhe gazetarët e tij u arrestuan. Duke folur pas deklaratës së Sisit, udhëheqësi i opozitës liberale, Muhammed El Baradei, deklaroi se revolucioni i vitit 2011 kishte rifilluar. Sheshi Tahrir shpërtheu në festime që mund të jenë jetëshkurtra, sepse ajo që ndodhi realisht në Egjipt, e çoi atë dy vjet prapa. Me ikjen e Mursit, rregjimi i vjetër u kthye aty ku deshi të jetë, në frenat e pushtetit. Eshtë veç çeshtje kohe që Ahmed Shefiku, humbësi i zgjedhjeve të fundit presidenciale, të kthehet nga mërgimi.
Të flasim qartë! Z. Mursi nuk arriti të përmbushë premtimet që bëri për t’i përfaqësuar të gjithë grupimet që përmbysën Husni Mubarakun dy vjet më parë. Kur ai ofroi koncesione, si qeveri bashkimi kombëtar dhe një komitet asnjanës për shkrimin e kushtetutës, ishte tepër vonë. Një gjë aq themelore si kushtetuta, nuk duhet të kishte kaluar për miratim, kur gjysma e anëtarëve të asamblesë kushtetuesë kishin dhënë dorëheqjen, me premtimin se mund të amendohej në të ardhmen. Z. Mursi kishte një argument të vlefshëm kur tha se opozita refuzoi të marrë pjesë që në fillim, por nuk duhej të kishte vazhduar pa ta. Ai duhej të kishte vënë në zbatim sundimin e ligjit, veçanërisht kundër policisë.
Megjithatë, ajo që u konturua natën e shkuar ishte më themelore se konflikti që çoi në të. Të përmbysësh presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit dhe të mos përfillësh të gjithë ata që morën pjesë në zgjedhjet e lira për president, parlament dhe miratimin e kushtetutës, është një gjë krejtësisht tjetër. Secili prej këtyre institucioneve të sapolindura u sulmua nga qeveritë e huaja dhe grupet për të drejtat e njeriut se ishin nën standartet ndërkombëtare. Z. Mursit iu dha mësim se demokracia ishte më shumë se një kuti votimi. Por cili standart është më i rëndësishëm se ai që vendos se kalimi i pushtetit mund të bëhet vetëm në mënyrë paqësore dhe përmes kutive të votimit? Kjo gjë sapo është hedhur në koshin e plehrave.
Grushti i shtetit ka pasur vetëm një përfitim: ka bërë të qartë se në cilin anë qëndron secili. Liberalët, nacionalistët, selefijtë dhe kreu i Kishës Ortodokse Kopte janë rradhitur me shtetin e padukshëm, të pareformuar dhe të pareformueshëm. Vëllezërit Muslimanë të përmbysur kanë fituar një kauzë. Tani ata po luftojnë për demokraci kushtetuese. Ata nuk mund të akuzohen më se po mundohen që të fshehin mëkatet më të këqija të ushtrisë dhe policisë, sepse ata duket qartë se janë viktimat e tyre. Mursi u arrestua në shtëpinë e tij nga policia dhe banditët. A mund të imagjinohet që të zhvillohen zgjedhje në këto kushte? E vetmja rrugë dalje janë ato zgjedhje, në të cilat të gjitha palët mund t’i mobilizojnë forcat pa pasur frikë nga arrestimi. Të mërkurën në mbrëmje, kjo gjë dukej më larg së ç’ka qenë ndonjëherë.
Perktheu: Genc Çurgu
Categories