Xhamia Mbret është një nga faltoret më të hershme të Shqipërisë dhe që ruhet në formën e saj të themelimit. Ndodhet brenda kalasë së Elbasanit, në distancë të afërt me portën kryesore të hyrjes në kala.
Për qytetin e Elbasanit, Xhamia Mbret vinte e dyta në radhë pas xhamisë së ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II, në vitin 1464, kur u ndërmorën shumë punime për restaurimin e mureve rrethuese brenda kalasë.
“Deri më tani nuk ka ndonjë mbishkrim datues, por sipas historianëve, ajo i takon shekullit të XV, e lidhur kjo me themeluesin e saj. Nga pikëpamja stilistike, kjo faltore përputhet me të gjitha xhamitë e tjera të emërtuara mbretërore që u ndërtuan nga Sulltan Bajaziti II, në fund të shek. XV, në Përmet, Gjirokastër, Berat, Shkodër dhe në Elbasan”, thotë Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, i cili mbart edhe një sërë dokumentash që e vërtetojnë këtë.
Në shkrimin e tij mbi Elbasanin, Evlija Çelebiu përmend se brenda kalasë ndodhet një xhami e Gazi Sinan Pashës, (pjesëtar i familjes së Aqif Pashë Biçakçiut), e cila, sipas tij, “ishte ndërtesë e madhe, por e vjetër dhe përdhese”.
Ai gjithashtu vëren se muret e saj ishin të mbuluara me shkrime të ndryshme në faqet e jashtme, që bën të mendosh se ajo ishte e suvatuar, por që nuk kishte minare. Këto veçori të xhamisë nuk përputhen me xhaminë që ndodhet sot në kala të emërtuar Xhamia Mbret. Sipas Dukës, “Xhamia Mbret përfaqëson tipin e faltores me sallë të mbushur me çati druri dhe hajat përpara hyrjes”.
Salla e faltores ka një hapësirë relativisht të madhe. Tërthor aksit të saj ndodhen tri kolona druri, për arsye konstruktive të mbajtjes së çatisë dhe për të krijuar një mjedis ndarës të sallës nga pjesa e mafilit, të cilat janë karakteristike për këtë lloj kompozimi të faltoreve të hershme islamike.
Në murin fundor është e theksuar në formën e një nikeje rrethore dhe e kornizuar mihabri, pranë të cilit ngjitur me të në krahun e djathtë ndodhet shkallarja e minberit. Prapa kolonadës treshe ndodhet mafili prej druri.
Hajati i xhamisë ka qenë i realizuar prej strukturash druri, disa herë pothuajse me të njëjtën mënyrë, me përjashtim të atij të rikonatruktuar në vitet e fundit të shek. XX. Xhamia mbahet pastër nga besimtarë të shumtë myslimanë, të cilët në çdo vakt kryejnë edhe ritin e faljes në emër të Allahut.
Kohët e fundit, falë kontributit të besimtarëve myslimanë në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij, është bërë i mundur edhe rikonstruksioni i minaresë së xhamisë, ku materialet e punimeve janë marrë nga mali i Sopotit në Librazhd.
Referuar fakteve të sotme, në qytetin e Elbasanit me rreth 140 mijë banorë, janë vetëm 5 xhami, si xhamia Mbret brenda kalasë së qytetit, xhamia e Pashës, në vendin e quajtur “Tri Urat”, xhamia e Nazireshës në jug të qytetit, xhamia në lagjen “Skënderbej” dhe xhamia më e re El-Hagri.
Ndërkohë që bëhet e ditur se në qytet kanë qenë mbi 20 xhami, ku mes tyre dalloheshin xhamia e Ballijes dhe xhamia e Agait, të cilat u prishën nga regjimi komunist.
(BalkanWeb)
Categories