Ka kohë që banorët e këtij qyteti po helmohen ngadalshëm, herë nga tymi i oxhaqeve të fabrikave, e herë nga tymi i hedhurinave të djegura… Ka kohë që ky vend pitoresk – i shtrirë në rrëzë të Malit Sharr, të njohur për nga burimet e tij të shumta dhe të freskëta – po venitet, në mungesë të ujit të pijshëm… Ka kohë që, në spitalin e këtij qyteti mund të hyjsh i sëmurë, ndërsa të dalish edhe më i sëmurë se sa kur ke hyrë; kjo, si rezultat i mungesës së kushteve elementare që duhet t’i ketë një spital… Ka kohë që, ky qytet, është shndërruar në sipërfaqe cementi dhe asfalti, pa drunj dhe pa gjelbërime… Ka kohë që i ashtuquajturi “Plan Urbanistik”, në realitet po e pamundëson urbanizimin e këtij qyteti… Ka kohë që trafiku nëpër këtë qytet – në mungesë të rrugëve të mirëfillta dhe vendparkimeve të mjaftueshme – është shndërruar në ankth, si për banorët e tij, poashtu edhe për vizitorët… Ka kohë që këtij qyteti i mungon një bibliotekë e mirëfilltë, siç i ka hije një qyteti me shumë universitete dhe shkolla të mesme… Ka kohë që kësaj ‘qendre kulturore të shqiptarisë’ po i mungon infrastruktura themelore për zhvillimin dhe kultivimin e aktiviteteve kulturore… Ka kohë që ky ‘qytet i studentëve’ po pret që studentët ta luajnë rolin e tyre të mirëfilltë në shoqëri… Ka kohë që, në këtë qytet, gjithçka është në rënie, duke përfshirë këtu edhe vlerat dhe natalitetin, dhe se gjëja e vetme që po shënon rritje është numri i kafeneve, kazinove dhe bastoreve sportive… Ka kohë që fëmijët e këtij qyteti po presin me ëndje hapjen e një parku rekreativ, ku edhe ata do të mund të loznin dhe dëfreheshin sikurse bashkëmoshatarët e tyre nëpër qytetet tjera të globit… Ka kohë që popullata e këtij qyteti dhe fshatrave përreth – në mungesë perspektivash – po e lëshon këtë vend si asnjëherë më parë; ndërsa, mërgimtarët, të cilët e gjallëronin këtë vend kohë pas kohe, tashmë kanë filluar t’i rrallojnë vizitat e tyre…
Duke u nisur nga kjo që u tha, dhe shumëçka tjetër që nuk u përmend, madje, përkundër shumë epopeve dhe lirikave të lavdishme të cilat janë shkruar dhe kënduar deri tani për këtë qytet vital, si dhe duke marrë parasyshë tentativat e vazhdueshme për ‘ngulfatjen’ dhe ‘gjunjëzimin’ e këtij qyteti në çdo aspekt, është koha që për Tetovën të thurren ‘elegji’, në shenjë alarmi dhe kujdesi ndaj një gjendjeje të këtillë në të cilën është pru.
E, si të mos shkruash ‘elegji’ për këtë vend, i cili, nga një qytet rrezistues të përmasave legjendare, është shndërruar në ‘viktimë’ të ‘ndotjes’ politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe arsimore, para se të ngulfatet nga ndotësit kancerogjen të disa oxhaqeve të një fabrike, e cila, për fqinjët e saj përreth prodhon sëmundje dhe vdekje, ndërsa, për ata ‘të largëtit’ – të cilët, popullatës së këtij nënqielli ia dëshirojnë vdekjen po aq sa e duan jetën e vete – prodhon përfitim dhe mirëqenie!
Ky qytet, i cili deri dje mburrej me të kaluarën e tij të largët dhe të afërt, i njejti, sot, e ka vështirë të ‘frymojë’ lirshëm, si rezultat i planeve famëkeqe të ‘tregtarëve’ të fateve njerëzore, në mesin e të cilëve ka edhe disa sosh të gjakut dhe fisit, të cilët, në pamundësi që të konkurrojnë me ndonjë vlerë tjetër (që nuk e kanë), ata, në ‘pazarin e zi’ të këtij nënqielli, kanë nxjerr në ankand publik fatin dhe ekzistencën e popullit të tyre!
Këta interesxhinj të paskrupullt dhe shushunjëza të sojit të vet, jo vetëm që po ndërtojnë mirëqenien e tyre mbi fatin dhe fatkeqësinë e mijëra njerëzve, por, ata po shkatërrojnë edhe gjithçka tjetër përreth, duke mos lënë as gurë e drunjë!
Kur një qytet e le pa ajr, pa ujë, pa drunj, pa kopshte, pa gjelbërime, pa trotoare, pa infrastrukturë themelore dhe pa perspektiva, si dhe në momentin kur popullatën e tij e shfrytëzon si ‘mish për top’ si dhe për mitingje partiake, atëherë, një qytet i tillë shndërrohet në ‘fortesë të vetëmposhtur’ dhe në ‘burg me qiell të hapur’ për banorët e saj. E, kur banorët e këtij qyteti i vëndosh para dy zgjedhjeve, ku secila prej tyre është më e hidhur se tjetra, një veprim i tillë konsiderohet dënim kolektiv dhe krim i pafalur.
Për më tepër, kur këtij populli mundohesh t’ia kufizosh edhe të drejtën e ngritjes së zërit të protestës, duke ushtruar ndaj tyre trysni të ndryshme, frikësim, kushtëzime dhe shantazhe, atëherë ke të bësh me diktaturë “demokratike”. Përndryshe, si mund të arsyetohet numri aq i vogël i pjesmarrësve në protestat që kanë të bëjnë me kërkesën për ndalimin e ndotjes e cila po rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve, numër ky i cili është disa fish më i vogël se sa numri i personave që marrin pjesë nëpër mitingjet qendrore parazgjedhore të partive të këtushme?!
Sidoqoftë, protestat të cilat i pamë kohëve të fundit, përreth numrit të kufizuar të pjesmarrësve në to, kanë filluar t’i thejnë ‘muret’ e ‘kështjellës’ së nënshtrimit dhe të nënçmimit, të ndërtuara nga ata, të cilët, karrierën dhe mirëqenien e tyre e realizuan duke shkeluar mbi djersën dhe gjakun e këtij populli. Madje, s’do mend se, për aq sa trashet ‘zullumi’ i parisë, po aq ngritet vetëdija e popullit.
Vetëm përmes ngritjes së vetëdijes kolektive do të arrijmë që t’ua kthejmë lavdinë qyteteve tona, si dhe t’ia kthejmë nderin dhe dinjitetin popullit tonë. Përndryshe, injoranca dhe nënshtrimi ka për të na ndjekur në çdo cep.
‘Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarve’.
Shkrimi është botuar në gazetën Koha më 25.11.2014
Categories