Acarimi i marrëdhënieve midis kryeministrit turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe deputetit me prejardhje shqiptare, ish futbollistit Hakan Shykyr ka kulmuar me ikjen e Shykyrit nga partia AK e Erdoganit.
Kryeministri turk është shprehur se nuk e ka pritur një veprim të tillë. Sipas tij, një gjë e tillë nuk i kishte hije Hakan Shykyrit. Erdogan ka thënë se nëse është i sinqertë, atëherë ai duhet të dorëhiqet edhe nga parlamenti turk, jo vetëm nga partia, njofton portali Almakos.com
“Do të ishte e gabuar nëse do të thosha se e prisja një gjë të tillë. Një veprim i tillë nuk i ka hije atij. E dini, çdo fjalë i takon pronarit që e flet, çdo fjalë e lidh njeriun që e thotë”, është shprehur Erdogan i cili ka thënë se nuk i ka hije askujt që të flet kundër partisë së vet.
“Nuk jam mërzitur, pasi që ai vetë e ka dëshiruar këtë. Një njeri nëse futet nën flamurin e një partie në zgjedhje, atëherë vepron së bashku me atë parti. E nëse ndahet, atëherë nuk ndahet vetëm nga partia. Nëse është i sinqertë, atëherë largohet edhe nga parlamenti, heq dorë nga të qenit deputet. Kjo do të duhej të ndodhte. Mirëpo cdokush nuk është një dhunti që e kanë të gjithë”, është shprehur Erdogan në pyetjet e gazetarëve lidhur me ikjen e deputetit me prejardhje shqiptare, Hakan Shkykyr, nga partia në pushtet në Turqi.
Foto nga dasma e Shykyr
Kohë më parë, portali Almakos.com kishte raportuar edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shykyr dhe Erdogan.
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, kishte marrë pjesë në dasmën e ish futbollisti të njohur me prejardhje shqiptare, tani deputet i partisë AK, Hakan Shykyr që organizoi me rastin e synetisë së dalit të tij.
Këta dy protagonistë ishin bërë cështje diskutimi në public, pasi që Hakan Shukur pati ngjallur reagime në mediat turke me deklarimin e tij se ai është shqiptar, e jo turk, gjatë një leksioni të mbajtur në universitetin “Mehmet Akif”.
Në mbrojtje të Shykyr, i cili është edhe deputeti i parlamentit turk, pati dalë Kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogani cili pati thënë se Shukur është shqiptar po ai ka kontribuar për Turqinë dhe meriton respekt dhe mirënjohje.
“Deputeti, miku im Hakan Shukur mbajti një leksion në Universitetin Mehmet Akif ku tha se nuk jam më origjinë nga Turqia, por jam shqiptar. Unë them se edhe Mehmet Akifi është shqiptar. Akifi shkroi himnin tonë por ai nuk ishte avokat i Shqipërisë. Vëllai ynë, Hakan Shukur, si një djalë shqiptar veshi uniformën e vendit tonë si asnjë person tjetër. Është golashënuesi ynë më i mirë. Djalë i këtij kombi”, pati deklaruar aso kohe kryeministri Erdogan, i cili me pjesëmarrjen e tij në ahengun familjar të Hakan Shykur e rikonfirmon respektin për ish golashënuesin më të mirë të Turqisë, i cili me origjinë është shqiptar.
Foto nga arkiva
Mësohet se miqësia midis Shykyr dhe Erdogan daton që moti, nga koha kur futbollisti me prejardhje shqiptare ishte yll i kombëtares turke, andaj ndarja e rrugëve në politikë e ka befasuar edhe vetë kryeministrin turk./Almakos