Kryeministri turk, Rexhep Erdogan, është shprehur se vendi i tij, në bashkëpunim me Katarin, po bën çmos që rajoni i Lindjes së Mesme të stabilizohet dhe aty të mbizotërojë paqja.
Gjatë vizitës së tij në Katar dhe gjatë inaugurimit të godinës së re të ambasadës turke në Doha, Erdogan tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar falë vizitave në nivele të larta mes zyrtarëve të dy shteteve.
“Ne kemi një histori të përbashkët vëllazërie me Katarin, e cila shtrihet në mbi pesë shekuj. Dua të theksoj se miqësia dhe vëllazëria jonë do të vazhdojë nëpërmjet investimeve të ndërsjellta mes dy vendeve. Bashkë me Katarin, ne po bëjmë çmos që rajoni i Lindjes së Mesme, të jetë një rajon oazë i paqes dhe stabilitetit” tha Erdogan.
Pasi preu shiritin e inaugurimit të godinës së ambasadës, Erdogan tha:”E kam zakon që gërshërët me të cilat pres shiritat e inaugurimit, i marr me vete për të pasuruar muzeun tim personal.” Mandej, duke qeshur dhe duke u treguar të pranishmëve gërshërët e mëdha, shtoi:”Me këto gërshërë, do të bëjmë punë të mëdha.” /ardhmeriaonline/
Categories