Muxhahid Ismaili
Qeverisë së AKP i është rritur rejtingu për 3%, me çka mund të konstatojmë se, duke dashur dikush t’i bëjnë dëm Erdoganit, ata edhe më shumë e ngritën forcën e AKP-së.
Ngjarjet e fundit që po ndodhin në Turqi nuk mund të jenë asgjë përveç se një provokim i pazakontë dhe i papranueshëm nga shumica. U bënë më shumë se dhjetë ditë që protestat e Taksimit (qendër e Stambollit) po vazhdojnë nga disa huliganë rruge, që ndikohen nga infektime të jashtme. Çdokush po mendon se Turqia po krijon “pranverën” e saj në këtë verë të nxehtë të Stambollit, por një gjë mos ta harrojmë – se ne po gënjehemi me veten tonë. Në fakt, protestat e Stambollit mund të krahasohen me lojërat e fushës së vogël të futbollit, ku disa shokë mblidhen dhe luajnë futboll të pazakontë në orë të pazakontë.
Kush dhe pse?
Më 8 maj 2013 filloi largimi i militantëve kurdë nga territori politik i Turqisë, me çkaTurqia e bëri hapin e saj me konkret dhe më korrekt për demokraci konsensuale. Nuk mund të themi se gjithçka filloi pas kësaj ngjarjeje, por diçka është më se e qartë këtu – se protestat filluan pas miratimit të vendimit që në qendër të Taksimit të ndërtohet njëra ndër xhamitë më të bukura të Stambollit. Kjo i ngjan asaj kur në rrethanat tona, sa herë që përmendet xhamia Burmali disave u bie pika në tru. Po ashtu ndodhë edhe në Turqinë e fortë të Erdoganit – kemi nga ata që po u bie pika në tru kur mendojnë se Taksimi do zbukurohet dhe do ketë një hije më të lezetshme pas ndërtimit të xhamisë. Po xhamia do të ndërtohet dhe aty njerëzit do të falin namaz por jo për inat të tjerëve.
Është pastaj edhe ligji për ndalimin e alkoolit. Para disa javëve qeveria AKP-së e Turqisë aprovoi ligjin për ndalimin e përdorimit të alkoolit në vende publike. Ky akt i qeverisë Erdogan bëri bujë të madhe, saqë u bënë edhe provokime të mëdha duke hyrë nëpër xhami me shishe alkooli e duke provokuar dhe testuar thellë durimin e popullit turk – përkatësisht të përkrahësve të Erdoganit.
Shikuar nga aspekti konstruktiv, protestat e Stambollit ndikohen nga disa rryma ekstremiste pro-kemaliste, si dhe nga grupe të interesave të ndryshme. Grupet e interesave të ndryshme po synojnë që me çdo kusht të përfitojnë nga këto protesta pikë politike, duke tentuar të luajnë një lojë pa lidership të fortë e me organizim te dobët. Unë nuk mendoj se gjithë loja e Gezi Parkut (Taksim) qëndron vetëm mbi supet e opozitës më të madhe turke CHP, por shikuar nga aspekti deduktiv rryma të ndryshme të qarqeve të ndryshme po mundohen të përfitojnë pikë të ndryshme për interesa të posaçme individuale e xhematore. Megjithëse, kam përshtypje, kjo më shumë do t’u kushtojë këtyre grupeve se vetë qeverisë së AKP-së. Lojërat e grupeve dhe qarqeve të ndryshme po synojnë ta humbin forcën e Erdoganit me forcën e tyre të pakrahasueshme kundrejt AKP-së. Tanimë të gjithë jemi dëshmitarë se AKP-ja e Turqisë nuk ka konkurrencë të fortë me një opozitë destruktive, siç u ka hije shteteve demokratike. “Çdo shtet demokratik, që shpërndan vlera demokratike, çdoherë duhet të ketë oponentë të fortë”, kështu tha Erdogani në një fjalim të tij të mbajtur javën e kaluar në Ankara. Prandaj mendoj se pozita e dobët e opozitës turke dhe pozita e dobët e qarqeve të ndryshme anti-AKP nuk lejojnë që Turqia të ketë një demokraci konsesuale, duke shkuar edhe më tej se Erdogani është një “oligark i rrezikshëm”. Shikuar nga ky këndvështrim, mund të konstatojmë se në politikën e brendshme të Turqisë aktuale nuk mund të vërejmë një derbi futbolli, si p.sh: Real – Barcelona, por çdoherë po shohim një AKP aq të fortë, saqë nuk po lejon hapësirë për derbi. E për këtë mendoj se fajtor nuk është as Erdogani, e as populli turk që është me Erdoganin dhe frymën AKP-së.
Pse të largohet Erdogani?
Të largohet ngase:
- E ngriti Turqinë ndër 16-të ekonomitë më të fuqishme botërore;
- E hapi urën e tretë të Javuz Selimit që lidh Evropën dhe Azinë;
- Për 10 vite pushtet hapi universitete nëpër gjitha qytet e Turqisë (81 qytete të mëdha të Turqisë me 81 universitete);
- Hapin projektin “PC tablete” për çdo nxënës;
- U jep bursa studentore të gjithë studentëve universitarë (të universiteteve publike) pa dallim përkatësie, race ose ideologjie;
- E krijoi projektin Marmara – metronë nëndetare që lidh përsëri Evropën me Azinë;
- U krijoi hapësirë mediale minioriteteve që jetojnë në Turqi;
- Krijoi tolerancë ndërfetare mes religjioneve të ndryshme;
- Në politikën e jashtme po luan rol të vyeshëm nga Lindja e Mesme, Ballkani e Kauzazi e deri në Pacifik;
- Krijoi marrëdhënie të mira me fqinjët dhe po luan rol vendimtar për fatin e ri të Sirisë;
- Shleu borxhet qindravjeçare ndaj Bankës Botërore etj..
Që të shihet sa janë reale këto gjëra, jo më shumë se 9 muaj më vonë zgjedhjet e ardhshme (zgjedhje presidenciale dhe lokale) do të jenë një test i mirë për demokracinë konsensuale të Turqisë. Megjithëse me një opozitë e dobët, siç është tani, do të duket se kjo lojë do të duket si lojërat e fushës së futbollit të vogël, ku disa shokë mblidhen dhe luajnë futboll në mënyrë të pazakontë.
Për fund, po u referohem disa anketave të bëra këtyre ditëve te fundit: qeverisë AKP i është rritur rejtingu për 3%, me çka mund të konstatojmë se, duke dashur dikush t’i bëjnë dëm Erdoganit, ata edhe më shumë e ngritën forcën e AKP-së.