Categories
Lajme FRI

“Eureka" rifillon në Shkup

Forumi Rinor Islam – Dega Shkup edhe këtë vit realizon projektin “Eureka”, projekt ky i cili kishte shumë sukses vitin e kaluar kur edhe u realizua për herë të parë.
Sfidat e kohës bashkëkohore për edukimin dhe përgaditjen arsimore të mirëfilltë të të rinjëve, është arsyeja që Forumi Rinor Islam e sjell përsëri këtë projekt  konkret për ndryshim pozitiv.
Dobësimi i fuqisë potenciale tek të rinjtë dhe pasojat, mungesa e vetëdijes për rëndësinë e edukimit, rrezikshmëria e rrjeteve sociale dhe informimi në mënyrë të pavarur, janë disa nga sfidat kryesore dhe më të rënda që gjeneratat në vijim – sidomos nxënësit e shkollave fillore, po ballafaqohen.
Krijimi i një gjenerate profesionale në sferën e tyre dhe aftësimin në drejtime të ndryshme, zhvillimin e personaliteteve në shkallë të udhëheqjes, krijimi i një kulture të zgjeruar, posedimi i njohurive të ndryshme dhe njohja e fuqisë së brendshme janë disa nga qëllimet kryesore të këtij projekti.
Ashtu si vitin e kaluar Forumi Rinor Islam këtë projekt e realizon me nxënësit e dalluar të  klasave të IX  nga disa shkolla të qytetit të Shkupit. Pjesë përbërëse e këtij projekti do të jenë edhe trajnime interkative, grupe punuese, vizita vendeve dhe institucioneve, aktivitete sportive etj.
Fillimisht është realizuar takim me prindërit dhe nxënësit pjesëmarrës, me çka janë informuar detajisht për projektin në fjalë, ndërkaq në trajnimin e parë me temë “Menaxhimi i vetes në kohë” para nxënësve prezantoi kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Abdulhamid Mustafa. Pjesë e aktivitetit ishin edhe grupet punuese, disa detyra garuese si dhe lojëra të ndryshme me të cilat në mënyrë interaktive u qartësua, u diskutua edhe më mirë tema e lartëpërmendur.

Exit mobile version