Dita e tretë e europianit të peshëngritjes sjell suksesin e parë për Shqipërinë, që falë Daniel Godellit dhe Romela Begajt siguroi 1 medalje ari, 1 argjendi dhe 4 Bronxi, ndonëse pritshmëritë sidomos për Begajn ishin më të mëdha. I artë është Daniel Godelli. Shtangisti kuqezi arriti të ngjitet në podin më të lartë, duke mbajtur mbi supe 180 kilogram në stilin e shtytjes, një shtangë e ngritur për rikthimin e tij si kampion, për tifozët e pranishëm në pallatin e sportit asllan rusi por dhe për kombin e tij.
Djaloshi nga Peqini arrin të realizojë shpresën e shqiptarëve për një medalje ari dhe pse jo në dygarësh, ku mori medalje bronxi, ashtu si dhe në shkëputje. Në fakt, kur Daniel Godelli u shfaq në pedanë për stilin e shkëputjes në peshën 169 , ka me vetë dhe qindra tifozë, por dhe peshën e madhe të emocioneve, për të mbajtur lart flamurin shqiptar. Në provën e parë, nxitohet dhe shtanga i shpëton nga duart, por e dyta është e saktë, dhe tashmë Danieli është në zonën e medaljeve. Azeri Hasanov ngre 150 në të tretën dhe Godelli për të varur të paktën medaljen e argjendtë në qafë nevojitet të provojë më shumë. Shtangisti nga Peqini, tenton me 153 por nuk arrin dot ta mbajë lartë shtangën, duke u pozicionuar i treti për medaljen e bronxtë, ndërsa ari shkon për rusin Chen, që e mbyll garimin e tij me 155 kilogram, dhe rrëmben gjithashtu dhe medaljen e artë në dyragësh, duke lënë pas Azerin Hasanov.
Pesha e emocioneve penalizon Briken Caljan, që kur sheh pallatin e sportit të ngrihet i tëri në këmbë për të, humbet qetësinë, atë që është më e rëndësishmja për të arritur rezultatin, dhe gabon në të trija provat e tij me 142 kilogram në shkëputje. Gjithsesi Calja nuk heq dorë nga garimi dhe në shtytje mban mbi supe vetëm provën e dytë me 174 kilogram, duke mos justifikuar dot ambiciet e tij,pasi shansi i një medaljeje në shkëputje i shpëtoi nga duart dhe shtrirja e tij në fund në pedanë, është dorëzimi ndaj një gare që e kishte imagjinuar ndryshe.
Në mbrëmje i vjen radha mbretëreshës së shtangës Shqiptare, Romela Begaj, e cila vinte si favorite në këtë europian për medaljen e artë në peshën 58 kg, por sikurse Calja vuan emocionet e mbështetjes së zjarrtë të publikut, duke iu gëzuar përfundimisht vetëm medaljes së argjendë në shkëputje dhe të brinxit në dygarësh. Begaj fatkeqësisht dështoi në dy provat e para në stilin e shkëputjes për të ngritur 95 kg, por arrin të mbajë gjallë shpresat për medlaje duke e ngritur këtë peshë në provën e tretë. Edhe pse Begaj ngriti të njëjtën peshë me bjellorusen Alena Cickan, u penalizua nga pesha trupore, duke humbur medaljen e artë në shkëputje, ndërsa medalja e bronxtë shkoi për rumunen Loredana Toma, që ngriti 93 kg. Në shtytje Begaj arriti të ngrinte vetëm 112 kg në provën e parë, duke dështuar në të dytën dhe të tretën me 116 kg. Alena Cickan dominoi edhe në shtytje, duke ngritur 118 kg, ndërsa rumunia Toma ngriti 117, duke I marrë në shtytje dhe dygarësh medaljen e argjendë Romela Begajt, e cila nuk e fshehu dot pezmatimin në fund të garës.
Në kategorinë 58 kg për femra konkurroi edhe Fetija Kasaj, e cila ngriti 75 kg në shkëputje, 103 në shtytje, duke u renditur e 10 në dygarësh.
Categories