Autor: Senat Ferati
Palestina sërish po dergjet në gjak.Sërish po ndodhë fajësimi dhe denimi kolektiv i një popullate të tërë, sulmimi barbar i qytetarëve të pambrojtur, i fëmijëve të pafajshëm nga ana e Izraelit me qëllim që, kinse, të e luftojë Hamasin. Tingëllon cinike të thuash se një ushtri me qindra armë nukleare po mbrohet nga një popullatë e cila armët për vetëmbrojtje i prodhonë në puntoritë e veta zejtare. Kur Izraeli sulmon Gazën dhe me këtë shkakton qindra viktima të pafajshëm, opinioni publik amerikan dhe ai europian heshtin për këtë terror shtetëror, thuajse bëhet fjalë për qindra kafshë të ngordhura dikund në Afrikë, kurse çfarëdo sulmi I palestinezëve me raketa “të lodhura” në teritorin izraelit menjëherë etiketohet si sulm terrorist! Ushtria izraelite me dekada po e terrorizon me armët më moderne popullatën palestineze të cilës po ia mohon të drejtën e një jete të dinjitetshme njerëzore si gjithë qeniet tjera në planet, sepse këta për Izraelin duket se janë qenie jotokësore, zombiste.
Dhe krimi sërish vazhdon. Edhe heshtja ndaj krimit vazhdon. Por, gjersa edhe mund të kuptohet heshtja e shoqërisë izraelite e cila është për ditë e më tepër nacionaliste, antidemokratike, ksenofobike e raciste, nuk mund të kuptohet mosreagimi i faktorit ndërkombtarë ndaj krimeve në Gaza, edhepse këto krime janë edhe më të mëdha se ato në Ukrainë, ku po ndërmerren sanksione adekuate ndaj Rusisë për shkak të involvimit të saj në krizën ukrainase. Gjithsesi se është e pajustifikueshmat kjo neglizhencë dhe kjo hipokrizi e opinionit perendimorë ndaj terrorizimit të paletinezëve, është i pajustifikueshëm ky prostitucion moral I Perëndimit me Izraelin, meqë nuk mundet që këto sulme thjeshtë të amnistohen me të drejtën e izraelitëve për vetmbrojtje, thuajse kemi konflikt mes dy shteteve, qofshin ato edhe të pabarabarta.
Përkundrazi, Perëndimi në heshtje, edhepse pavullnetshëm, po e përkrahë këtë ofanzivë ushtarake izraelite në një betejë të pabarabartë dhe në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Heshtja dhe mosreagimi adekuat ndaj barbarizmit izraelit Perëndimin e bënë bashkëfajtor, dhe sidomos SHBA-të, meqë kjo është involvuar drejtpërdrejtë njëanshëm në këtë konflikt duke ndihmuar Izraelin me ndihmë teknike ushtarake, përveç asaj mediale e diplomatike! Por këtu nuk është duke dështuar vetëm opinion perëndimor, por pa përjashtim, edhe Lindja edhe bota arabe, të gjithë jemi fajtor kur pajtohemi të mos shprehim indinjatën tone nga friga se do të paditemi për antisemitizëm.
Sepse, përveç kuantitetit numerik, ku është dallimi mes krimeve naziste dhe këtyre krimeve makabre izraelite? Kjo nuk don të thotë se izraelitët janë nazistë e se është duke ndodhur Holokausti në Palestinë, por gjithsesi se izraelitët po sillen si nazistët ndaj tyre gjatë LDB. As ky krahasim nuk bëhet që të minimizohen viktimat e Holokaustit, por është më shumë se ironike kur viktimat e djeshme të Holokaustit bëjnë krime të ngjashme ndaj të tjerëve! Gjermanët, asokohe, disa here tentuan të i bëjnë atentat Hitlerit për të penguar monstruozitetin e tij, kurse në izrael a mendon dikush të i kundërvihet politikës genocidale shtetërore, apo e gjithë shoqëria izraelite është dakorduar me veprimet e qeverisë së tyre fashisoide, meqë po e toleron, me heshtje, retorikën militariste ndaj njerëzve të pambrojtur.
Ashtu siç janë ndërmarrë saksione të përshtatshme ndaj Rusisë në konfliktin me Ukrainën, e njëjta politikë duhet që të ushtrohet edhe ndaj Izraelit nëse duam të ndërpritet ofanziva ushtarake me të cilën jo vetëm që po rrënohen shtëpitë civile, por po bombardohen edhe çerdhet e fëmijëve, shkollat dhe spitalet. Fëmijët po vriten në prehërin e nënave të tyre. Ata as nuk po arrijnë të qajnë që të e ndëgjojmë britmën e tyre!
Sot ndërgjegjëja njerëzore e të gjithë njerëzve është në provim.
Kjo betejë është edhe e jona dhe duhet moralisht të rreshtohemi në krahë të viktimës dhe fajtorit të ia drejtojmë gishtin. Ky është akti minimal i ndërgjegjes njerëzore.
Categories