PYETJA: Në shpjegime të ndryshme kemi dëgjuar se kur do të zbret Isai a.s., në tokë, muslimanët do të jenë të rreshtuar pas Mehdijut në namaz, dhe ai do ta lëshoj vendin për Isain a.s., të del imam, e ai do t’i thotë që ai ta fal namazin. Cila është urtësia e mosdaljes së Isait a.s., imam, por e Mehdijut?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Së pari të përmendim se Mehdiju dhe ardhja e Isait a.s., para kijametit, janë dy shenja të cilat i paraprinë Kijametit, dhe që janë të vërtetuara me hadithe autentike.
Po ashtu, është e vërtetë se kur do të zbret Isai a.s., në Sham, do t’i gjejë muslimanët të rreshtuar në safe për namaz, pas imamit të tyre Mehdijut. Mehdiju do ta njoh Isain a.s., dhe do t’i ofrojë të del imam, por Isai a.s., nuk do të pranoj, por t’i thotë Mehdijut që ai ta fal namazin imam me xhematin.
Të përmendim se falja e Isait a.s., pas Mehdijut, nuk do të thotë se Mehdiju është më i mirë se Isai a.s., ngase Isai a.s., është i dërguar i Allahut dhe një nga Ulu-l-Azëm-Pejgamberët e dalluar.
Falja e Isait a.s., pas Mehdijut, i cili është pjestar i umetit të Muhamedit s.a.v.s., dhe i gjakut të Muhamedit s.a.v.s., për nga vajza e tij, gjegjësisht, gjeneza e tij kthehet te Hasani, nipi i Muhamedit s.a.v.s., është bërë që të tregohet nderimi i umetit të Muhamedit s.a.v.s., nga ana e Allahut të Madhërishëm. Në hadithin e transmetuar nga Xhabiri r.a., qëndron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kur ka folur për ardhjen e Isait a.s., në mes tjerash ka thënë se pas thirrjes së Mehdijut që Isai a.s., të bëhet imam në namaz, Isai a.s., ka thënë:”Ju jeni udhëheqës të njëri-tjetrit, ky është nderimi i Allahut për këtë umet”. Hadithin e kanë shënuar:Ahmedi në Musned dhe Muslimi në Sahih-un e tij.
Pra, Isai a.s., do të falet pas Mehdijut, pas një pjestari të umetit të Muhamedit s.a.v.s., që të tregojë se ka ardhur ndjekës i Muhamedit s.a.v.s., e jo se ka sjellur legjislaturë të re, dhe se do të gjykojë sipas sheriatit që i është dhënë Muhamedit s.a.v.s.
Allahu e di më së miri.
Categories