Categories
Fetva

Falja e namazit në kohën që thirret ezani

Pyetje: A lejohet falja e namazit në çastin kur muezini fillon të thërasë ezanin?
Emri i Myftiut: Mebruk Sakr
Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falenderimi i takon Atij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.
Thirrja e ezanit është shenjë që lajmëron për ardhjen e namazit. Thirrja e tij nuk është kusht por është prej riteve të fesë. Thirrja e tij bëhet vetëm atëherë kur hyn koha e faljes së namazit. Përderisa koha ka hyrë namazi është i saktë, sepse një prej kushteve të faljes së namazit që është hyrja e kohës, në rastin konkret është plotësuar. Prandaj lejohet falja e namazit me thirrjen e ezanit.
Por më mirë është që falja e namazit të kryhet pas thirrjes së ezanit, sepse përsëritja e ezanit është prej traditës profetike, po ashtu edhe lutja që bëhet pas thirrjes së ezanit. Por nuk duhen harruar edhe namazet vullnetare që falen përpara farzeve. Ato janë më të forta në namazet e Sabahut dhe Drekës, dhe jo të forta në namazet e Iqindisë dhe Jacisë. Dhe janë të pëlqyeshme në namazin e Akshamit. Ai i cili dëshiron të falë namazet vullnetare nuk ka mundësi që të falë farzin me thirrjen e ezanit.
Por nëse në disa raste, kur koha e atij që do të falet është e kufizuar sidomos në rastet kur falja e suneteve nuk është e fortë, nuk ka asnjë lloj problemi që të falet sa dëgjon thirrjen e ezanit.
Përmbledhje e asaj që përmendëm më sipër: Namazi që falet në çastin kur thirret ezani është i saktë, por është i papëlqyeshëm. Sepse prej traditës profetike ezani duhet të përsëritet, pas tij duhet të kryhet lutja e posaçme dhe gjithashtu duhet të falen pas tij namazet vullnetare. Por në rastet kur është e nevojshme dhe njeriu nxiton falja e namazit gjatë thirrjes së ezanit nuk konsiderohet e papëlqyeshme.
Allahu e di më së miri.

Exit mobile version