Nga Xhevahire Abazi
Sistemi shoqëror në Islam, është i përkufizuar në atë mënyrë që ai të kuptohet si ruajtës i racës njerëzore nga shfarosja, një derë komunikimi mes vete, një ndihmë për pastërti e virtyt dhe një anije e sigurisë në det.
Raca njerëzore përbëhet nga të dy gjinitë: meshkuj dhe femra. Për këtë arsye, me doktrinën dhe me ligjet e tij, Islami u drejtohet të dyja palëve. Kjo thirrje që iu bëhet atyre, siguron marrëdhëniet midis tyre, duke mos harruar premtimin se: Ai i cili i dorëzohet Krijuesit të tij, ai do të jetë i sigurt edhe në këtë botë edhe në botën e ardhshme.
Kontrata ligjore e lidhur mes një burri dhe një gruaje quhet martesë.
Në Kur`an Allahu xh.sh thotë: ”O ju njerëz! Kini frikë Allahun tuaj që ju krijoi prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën tjetër, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra….
Allahu krijoi Ademin, pastaj nga brinja e tij krijoi Havën, në mënyrë që të shtohet gjinia njerëzore. Krijoi familjen, institucion i frymëzuar drejtpërsëdrejti nga Ai.
Me krijimin e njeriut të parë, e edhe gjatë historisë njerëzore, por edhe te pengamberët e Tij, martesën dhe krijimin e familjes Allahu xh.sh i urdhëroi, i mbrojti dhe i avancoi më shumë se çdo gjë tjetër. Muhamedi as thotë: ”Martesa është pjesë e sunnetit tim, kushdo që largohet prej sunnetit tim, ai nuk është prej nesh”.
Martesa dhe krijimi i një jete të përbashkët është dëshirë e natyrshme e njeriut. Ajo konsiderohet një nga mirësitë e Allahut Gjithëkrijues. Është litar që lidhë zemrat, i zbutë ato kur janë të pavendosura, bazament i dashurisë, mirësisë dhe miqësisë për çlodhje dhe jetë të qetë.
Për këtë Allahu në Kur`an thotë: “Dhe nga argumentet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj bashkëshortët, ashtu që të gjeni mprehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë.” Kuran, 30:21
Allahu i Madhërishëm, qeniet njerëzore i ka pajisur me një dhuratë të çmuar dhe çdo nënvleftësim i kësaj dhurate është pasojë e injorancës dhe egoizmit që mund të ekzistojë në mes bashkëshortëve, duke mos i kuptuar obligimet dhe përgjegjësitë që kanë ndaj njëri tjetrit. Duke mos kuptuar se institucioni i martesës është traktat miqësor, është ndershmëri, mirësi, formë e bashkëpunimit në një jetë familjare në bashkësi.
Pra qëllimi i martesës nuk është vetëm shtimi i racës njerëzore, por krahas saj është mbrojtje e stabilitetit të shoqërisë në përgjithësi.
Sipas Islamit, martesa është mjet edhe për sigurinë dhe mbrojtjen e gruas. Derisa ajo është nën hijen e burrit të saj, realisht ajo është edhe e mbrojtur. Asaj i ofrohet edhe siguri, edhe mbrojtje, edhe dashuri njëkohësisht. Muhammedi a.s thotë: ”Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me gruan e vet”.
Shembulli i jetës së Muhammedit a.s do të jetë rruga më e mirë drejt njohjes së të vërtetës së shpallur në Kur`an nga Allahu xh.sh. Për këtë i Lartmadhërishmi thotë: ”Vërtetë në të dërguarin e Allahut ju keni një shembull të shkëlqyer për t’u ndjekur për këdo që shpreson në Allahun dhe në ditën e fundit dhe që e kujton Allahun shumë” (Kuran 33:21)
Njëra ndër arsyet që familjet islame janë aktive, është se: struktura e tyre familjare është e definuar qartë dhe ashtu që secili anëtar i familjes e di rolin që ka brenda saj. Për këtë Muhammedi a.s thotë: “Çdo njëri prej jush është bari dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për kopetë tuaja”.
Babai është përgjegjës mbi familjen e tij. Ai është mbrojtës i tyre, duke u siguruar çdo gjë të nevojshme atyre dhe duke u bërë model për ata. Ndërsa nëna është përgjegjëse për shtëpinë e saj. Ajo është e obliguar që të kujdeset për ruajtjen e një mjedisi të dashur, për krijimin e një familje të lumtur, duke u munduar për fëmijët e saj që ata t’i edukojë dhe t’i frymëzojë drejt arsimit dhe dijes.
Nëse ky mund i saj a do të mbetet i pa vdekshëm, do të shihet me fëmijët e saj, kur ata do të rriten.
Monitorimi i vazhdueshëm dhe përpilimi i një programi të bazuar në rregullat të cilat i ka parashtruar Allahu në Kur`an, i mundësojnë asaj që për fëmijët e saj të edukuar në këto baza, të ketë rezultate në paraqitjen e tyre si njerëz që do t`i kontribuojnë shoqërisë njerëzore përmes ndryshimeve pozitive, revolucionare, në njërën anë dhe, në anën tjetër, në botën e ardhme e pret shpërblim i veçantë nga Allahu i Gjithëdijshëm.
Dispozitivi, apo sanksioni i përcaktuar në Kur`an për një shoqëri të caktuar, është në duart e grave. Përmes tyre, fëmijët e vegjël sot, janë ngadhënjimi apo shkatërrimi i së nesërmes.
Ndërsa fëmijët si rezultat i dashurisë prindërore, Islami i urdhëron që të kenë përgjegjësi për mirësjellje ndaj prindërve të tyre, Allahu në Kur`an thotë: ”Trajtoni prindërit tuaj me mirësi. Nëse njërin, ose të dy prindërit i ka kapur pleqëria pran kujdesit tuaj, atëherë mos ju thuaj atyre fjalë me neveri, as mos u bënë i vrazhdë ndaj tyre, por atyre thuaju fjalë të mira. Dhe në shenjë mëshire, shtrije krahun përulës e respektues duke u lutur: ” Zoti im! Meshiroj ata te dy, sikurse me eduakuan mua ne femijeri” (Kur`an, Sure Isra, ajeti 23, 24)
Kujdesi i prindërve duhet shtuar më shumë, veçanërisht në edukimin apo edhe këshillimin fëmijëve që ata së pari të kenë frikë Allahun, ta duan Atë, të urdhërohen për faljen e namazit nga mosha e përcaktuar, për agjërimin, t’u shpjegohet për veprat e mira, për respektin që duhet bërë prindërve, të moshuarve dhe të gjithë njerëzve, pa dallim moshe dhe gjinie, të njohin të vërtetën, sepse ata, në këto pika nuk mund të jenë të vëmendshëm pa përkujdesjen e prindërve. E nëse nuk realizohet nga ana e prindërve, atëherë ata nuk duhet të presin ndonjë mirënjohje nga fëmijët e tyre nesër. Allahu në Kur`an urdhëron: ”O ju që besuat, shmangni veten dhe familjen tuaj nga zjarri i xhehennemit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët (Kur`an 66:6).
Ndërsa Muhammedi a.s thotë: ”Kur vdes biri i Ademit, të gjitha veprimet e tij kanë pushuar përveç puna e bamirësisë në mënyrë të vazhdueshme, dija e dobishme dhe nje femije që të lutet për prindërit e tij.”
Familja e cila në brendinë e saj posedon moral, mëshirë, drejtësi, sinqeritet, dashuri, ajo gjithsesi do të ndikojë pozitivisht në shoqëri, sepse shoqëria është koleksion i familjeve brenda saj. Këto familje i dedikohen shoqërisë, jo me intriga, as me injorancë, as me egoizëm e mizori, por ato shoqërisë i dedikohen me ndershmëri e sjellje të mirë, me besueshmëri e drejtësi.
Andaj prindërit në përgjithësi, si dhe nënat në veçanti janë përgjegjëse për insistimin apo mosinsistimin që fëmijët e tyre të jenë apo mos të jenë të devotshëm. Çdo pakujdesi që bëhet lidhur me përgjegjësitë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre në ditën e gjykimit, do të jepet llogari. Kështu, krijimi i një atmosfere të përkushtuar në zbatimin e lirshëm të procedurave rreth praktikimit të Islamit si domosdoshmëri brenda familjes, vetvetiu krijon mundësi që fëmija i edukuar në këtë mes, natyrshëm të behet një person i ndershëm dhe i devotshëm.
Nga ana tjetër, rritja e fëmijës në një ambient ku mungojnë këta elementë, pra aty ku flitet për mashtrimin, zemërimin e urrejtjen, e veprohet me hipokrizi, në mënyrë të pa shmangshme do të ndikohet nga këto vepra. Nëse fëmija në rastësi mëson për njerëzit e ndershëm apo për ata që janë të dobishëm, kjo për të nuk ka dobi, sepse kjo për të është vetëm e dëgjuar, e jo e praktikuar në ambientin e tij, ku ai rritet dhe edukohet.
Sistemi familjar i nxjerrë nga Islami, i cili është i bazuar mbi një themel të vetëdijes, që të dërgon në kënaqësitë në familje, domosdo krijon mëshirë, dhembshuri, relaksim dhe stabilitet për njeriun.
Fuqia e lidhjes së dashurisë së prindërve me fëmijët e tyre dhe e dashurisë së fëmijëve me prindërit e tyre, si dhe statusi i ndërsjellë i raportit të fëmijëve në mes veti, pa dyshim është nevojë për ngritjen e një familje të mirë.
Rregullat e vlerave morale që janë të transmetuara në Kur`an dhe praktika e ndritshme e Muhammedit a.s le të jenë udhërrëfyes për fëmijët tanë, sepse këto vlera kanë për qëllim të mbajnë të kualifikuar me nder dhe dinjitet njerëzor individët dhe familjet në përgjithësi, e jo të jenë te skllavëruar ndaj epshit dhe joshjeve që u vardisen atyre.
Pasi që familja është gurthemeli i lumturisë dhe prosperitet i shoqërisë, atëherë le të angazhohemi edhe ne prindërit, edhe fëmijët që të udhëhiqemi nga Kur`ani, udhëzues i vetëm i provuar që pati, ka dhe do të ketë sukses.
I lutem Allahut që të ketë mëshirë mbi prindërit tanë, t’i shpërblejë ata me xhennet për mundin dhe sakrificën që kanë pasur për të na rritur dhe edukuar në këto baza të fisnikërisë së dinit Islam. Gjithashtu, i lutem Allahut edhe për fëmijët tanë, që ata të jenë trashëgimtarë të devotshëm dhe trasues të rrugës të cilën Allahu na obligoi të kalojmë, që ata nesër të jenë të përgatitur së pari për veten e tyre, pastaj për familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë njerëzore, që t’i bëjnë prindërit me veprat e tyre të pa vdekshëm.
Autorja është studente e Fakultetit Juridik
EDITOR
12 years ago
previous article
Qeshu Wenger qeshu, vetëm ti e mposhte Bayernin!
next article
Një zemër pret në Shkup
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago