Pyetja: Në kohët e fundit janë shpeshtuar katastrofat natyrore, si shtrëngatat, vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera. A janë këto fatkeqësi shenja mbi zemërimin dhe hakmarrjen e Allahut të Lartësuar? Apo ato janë sprova, që ngrenë gradat dhe fshijnë gjynahet?
Myftiu: Shejkh, Hamid el Atari
Përgjigje:”Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e Allahut, kurse më tej:
Kam lexuar një sërë shkrimesh, lidhur me përshkrimin e vërshimeve të njëpasnjëshme të fundit në disa vende të ndryshme dhe për mjerimin që ato lanë pas, nëse ishin ato zemërim dhe hakmarrje nga Allahu, apo ishin sprovë që e godet besimtarin, për t’ia shlyer atij fajet dhe mëkatet dhe për t’ia ngritur gradët. Kam parë gjithashtu një dyndje mediatike të ligjërimit fetar, që e ka thënë fjalën e tij në këtë aspekt, madje edhe në mesin mediatik ku ligjërimi fetar nuk ndërhyn për të dhënë orientime lidhur me aktivitetet e përgjithshme jetike!!!
Në disa lexime fetare të këtyre dukurive, dominon aspekti logjik dhe filozofik, për të skicuar kufijtë ndarës midis hakmarrjes dhe sprovës. Ky këndvështrim spikat në detaj në disa dukuri natyrore. Prej tyre mund të përmendim për shembull tërmetin, që goditi Egjiptin në vitin 1992, Cunamin që goditi Indonezinë dhe dukuritë e tjera të mëdha natyrore, që shkatërrojnë ndërtesat, marrin jetët dhe shkatërrojnë të mbjellat dhe gjeneratën, ku si më të fundit kemi tërmetin e Haitit etj…
Ajo që më del në pah është, se këto thellime dhe vraga nuk janë krejtësisht në temë dhe se çështja është shumë më e lehtë se kaq. Le të kthehemi tek origjina e çështjes. Pse e gjejmë këtë insistim në klasifikimin e këtyre dukurive natyrore? Cilat janë dispozitat praktike, që renditen bazuar mbi këtë klasifikim? Përgjigja mbi këtë pyetje është tepër e rëndësishme; sepse fetarisht (në aludimin islam) parashtrohet, se çdo çështje mbi të cilën nuk ndërtohet një praktikum, zhytja në të është një angazhim fetarisht i ndaluar. Përgjigjet bindëse kundrejt kësaj çështje, spikasin se sipas klasifikimit në fjalë kemi të bëjmë me çështjet në vijim:
1. Klasifikimi i këtyre dukurive do të jetë matës për kënaqësinë e Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar, kundrejt robërve dhe punëve të tyre. Kështu arrijmë në faktin, se këto dukuri janë ndëshkime hyjnore, që nxisin robin të pendohet dhe përmirësohet dhe të njohë se ai ka shumë mangësi në detyrimet e tij ndaj Allahut, gjë që e angazhon atë të pendohet.
2. Qetësimi i robit kundrejt gjendjes së tij me Allahun. Nëse del në përfundim, se këto dukuri janë sprovë për t’ia ngritur atij gradët dhe për t’ia shlyer të këqijat dhe se ato nuk janë ndëshkim, atëherë ai arrin në një kënaqësi të brendshme, ose e zbut vrazhdësinë e saj dhe marrjen e saj në llogari për mangësitë dhe lëshimet e bëra.
3. Mendimi se duhet zbutur tehu i marrjes në llogari të neglizhentëve, duke u argumentuar dhe marrë pretekst për këtë paracaktimin (kaderin) e Allahut dhe rrjedhojën e tij!!!
Për sa i përket pikës së tretë, nëse dikush mendon realisht lidhur me të, kjo tregon se ai ende nuk e ka kuptuar kuptimin e kadasë dhe kaderit (vendimit dhe paracaktimit hyjnor), besimit në to dhe në çfarë konsistojnë ato. Dijetari i shquar Ibn el Kajimi – Allahu e mëshiroftë – thotë: “… Të argumentuarit me kaderin (paracaktimin hyjnor) dhe të bësh mëkat, duke u justifikuar me kader, në njërën anë bën dobi dhe në tjetrën bën dëm. Bën dobi nëse njeriu argumentohet me të (kaderin) pasi (mëkati) të ketë ndodhur, pasi personi të jetë penduar për të dhe ta ketë braktisur traditën e tij, sikurse ngjau me Ademin. Në këtë rast në përmendjen e kaderit (paracaktimit hyjnor), në njohjen e emrave të Zotit dhe atributeve të Tij si dhe në përmendjen e tyre, përfiton përmendësi dhe dëgjuesi, sepse kaderi nuk mund ta shtyjë tej urdhrin dhe ndalesën, si dhe nuk mund ta anulojë apo zhvleftësojë ligjin (sheriatin), por kaderi informon mbi të vërtetën e pastër, lidhur me aspektin e Teuhidit (njëshmërisë së Zotit) dhe deklarimin e pamundësisë (së tjetërkujt përveçse Zotit) për të pasur në dorë ndryshim të situatës dhe fuqisë.
Këtë e qartëson fakti, se Ademi i tha Musait: A po më qorton se bëra një punë, që qe e shkruar para se të krijohem? Pra nëse personi bën një mëkat dhe pastaj pendohet prej tij dhe e eliminon çështjen e tij, si të mos ketë ngjarë, dhe pastaj një qortues e qorton dhe kritikon atë, është traditë profetike, që në këtë rast personi të argumentohet përmes kaderit dhe të thotë: Kjo është një çështje që ka qenë shkruar për mua, para se unë të krijohesha. Me këtë në realitet ai nuk po shtyn tutje kaderin dhe as po e nxjerr atë si pretekst mbi të kotën, ndaj nuk ka asnjë vërejtje në këtë argumentim të tij.
Ndërsa çështja, në të cilën të argumentuarit me kaderin (nxjerrja e tij si pretekst), është e dëmshme, qoftë momentalisht qoftë në të ardhmen, është që personi të bëj një veprim të ndaluar, ose të lerë një obligim, ta kritikojë një kritik dhe ai të argumentohet me kaderin kundrejt kryerjes së haramit që po bën dhe insitimit të tij në të, duke abuzuar përmes këtij preteksti me detyrimin që ka dhe duke rënë në kotësi. (“Shife’ul Galil”)
Ndërsa përsa i përket përgjigjes së dytë: Nevojitet që myslimani ta ngazëllejë ndjesinë e tij dhe ta forcojë ndjeshmërinë e tij të besimit, aq sa (kur mëkaton) ta kthejë çdo gjë tek neglizhenca e tij kundrejt detyrimeve që ka ndaj Allahut dhe të ndjejë se Allahu po e ndëshkon atë me kadere (caktime hyjnore) të dhimbshme dhe lënduese. Nëse e bën këtë, ai strehohet shpejt tek Zoti i tij, vendos kontakte të afërta me Të dhe i bën një llogari të rreptë vetvetes, në trajtën e ardhur nga disa prej selefëve (nga gjeneratat e para islame). Në lidhje me këtë, tregohet se dikush prej tyre ka thënë: “Unë kobin (të keqen) e mëkatit tim e njoh tek morali i bashkëshortes sime dhe kafshës time”. Po kështu Abdullah ibn Abasi, lidhur me sa në fjalë, ka thënë: “Përsosmëria disponon dritë në zemër, stoli në fytyrë, fuqi në trup, gjerësi në rizk (furnizim) dhe dashuri në zemrat e krijesave, ndërsa e keqja disponon errësirë në zemër, shëmti në fytyrë, dobësi në trup, mangësi në rizk (furnizim) dhe urrejtje në zemrat e njerëzve”. Në këtë kontekst Enes ibn Maliku ka thënë: “Zhapiku në vrimën e tij ngordh e thahet nga mëkati i birit të Ademit (njeriut)”, Ebu Hurejra ka thënë: “Kallamari ngordh në turbullirën e vet, nga dhuna e dhunuesve”, Muxhahidi ka thënë: “Kafshët i mallkojnë njerëzit mëkatarë, kur vitet janë të ashpra dhe shiu nuk bie. Ata thonë: Kjo është për shkak të kobit (të keqes) të mëkatit të birit të Ademit (njeriut)”.
Në biografinë e Muhamed ibn Sirinit gjejmë, se ai mori aq borxhe saqë falimentoi, madje u burgos për shkak të disa borxheve që kishte dhe këtë dështim të tijin ai e referoi tek mëkati duke thënë: “I kam thënë një burri: O dështak, ndaj dhe dështova”.
Në “Ihja Ulumu Din” thuhet: “Deurukiu i tha një burri prej banorëve të Asbahanit, që po fliste për Abdurrahman ibn Mehdin: Vëllai i Muhamed ibn Jusufit i shkroi atij një letër, ku i ankohej për fjalët që shkëmbente me punonjësit. Ai ia ktheu duke i shkruar: O vëlla, më ka ardhur letra jote, që përmend situatën ku jeni dhe kush bën mëkat nuk duhet ta refuzojë ndëshkimin. Ajo që unë shoh është, se situata ku jeni është vetëm kob (e keqe) e mëkateve”.
Malik ibn Dinarit i është thënë: Bëji dua Zotit tënd për ne. Ai tha: Ju ankoheni se ju u është vonuar rënia e shiut, ndërsa unë ankohem se ju u është vonuar rënia e gurëve mbi ju. Me këtë ai kishte për qëllim, se ata përmes mëkateve të tyre janë më të meritueshëm që të goditen me gurë nga qielli sesa me pikën e shiut!!!
Kjo që thamë më lart nuk është thirrje sufiste (askete), që të lëmë mënjanë mendimin lidhur me shkaqet materiale direkte, që kanë çuar në ndodhinë e problemit dhe si rezultat të mos bëjmë përpjekjet për eliminimin e tij. Por krahas kësaj, thirrja është që të mendojmë mbi shkakun, pse Allahu i caktoi këto barriera. Prej këtu, robi kthehet tek Zoti i tij, duke përmirësuar atë që prishi dhe duke eliminuar gjithashtu barrierat materiale, përmes shkaqeve që Allahu ka përcaktuar.
Kemi dhe përgjigjen e parë, atë se ne jemi domosdoshmërish të nevojshëm, të bëjmë një klasifikim, i cili të shërbejë si matës kundrejt dimensionit të kënaqësisë së Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar për robërit dhe veprat e tyre. Kjo bëhet, me qëllim që të arrijmë në faktin, se këto katastrofa natyrore janë ndëshkime hyjnore, që e nxisin robin të pendohet, përmirësohet dhe të bëhet i vetëdijshëm se ka mangësi lidhur me detyrimet e tij karshi Allahut, gjë që e angazhon atë, që ai të pendohet.
Kjo që thamë nuk është programi i Kuranit në filozofinë e pendimit. Allahu i ka urdhëruar të gjithë robërit e Tij, të pendohen në çdo kohë dhe situatë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “…Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”[1]. Madje Kurani i ndan njerëzit në dy kategori: të penduar dhe dhunues. Asnjë kategori e tretë nuk gjendet midis këtyre dy kategorive, Allahu i Lartësuar ka thënë: “…E ata që nuk pendohen, janë dhunues(mizorë)”[2].
Dijetari i shquar Ibnul Kajimi thotë: Pozita e pendimit është pozita e parë, e mesit dhe e fundit. Robi që ka përzgjedhur rrugën e Zotit, nuk i ndahet pendimit dhe mbetet mbi këtë përzgjedhje gjer në vdekje. Edhe nëse shkon në një strehë tjetër, shkon duke e pasur atë me vete, shkon me të dhe zbarkon me të. Pendimi është fillimi i robit dhe fundi i tij. Nevoja e tij për pendimin në fund është një domosdoshmëri dhe ajo është e tillë për të edhe në fillim…
Allahu i Lartësuar ka thënë: “…E ata që nuk pendohen, janë dhunues (mizorë)”[3]. Pra Allahu i ndan robërit në: i penduar e dhunues dhe kurrsesi nuk gjendet diku gjetkë ndonjë kategorizim i tretë. Allahu i Lartësuar, emrin dhunues ia vendosi robit, që nuk pendohet dhe realiteti është, se nuk ka njeri më të padrejtë dhe dhunues sesa ai që nuk pendohet, i cili niset nga injoranca e tij për Zotin e vet dhe për të drejtën e Tij, injoranca e tij kundrejt të metave të veta dhe të këqijave të punëve të veta. ( “Medarixhus Salikin”).
Gabimi në këtë lexim është, se ky lexim përpiqet t’i kategorizojë këta dukuri natyrore, që shkatërrojnë të mbjellat dhe njerëzit, bazuar në konsiderime të gabuara sipas këndvështrimit tim, me të cilin unë e kuptoj fenë e Allahut të Lartësuar. Herë i kategorizon ato mbi konsideratën e përgjithësimit dhe specifikimit (el umum uel khusus), pra që çdo gjë që shkatërrojnë këto dukuri natyrore në përgjithësi konsiderohet zemërim dhe hakmarrje, ndërsa çfarë është në natyrën e shkatërrimit më specifik, konsiderohet sprovë, që ndryshon sipas ndryshimit të personazhit që prek. Ndërkaq ka prej konsideruesve, që kanë theksuar të kundërtën e këtij rregulli, ndërsa ka të tjerë, që e kanë konsideruar atë dominues, jo të luhatshëm.
Këto konsiderata, lidhur me kategorizimin e bërë, kanë qenë të gabuara, sepse kjo fe, baza dhe tekstet e saj, tregojnë se fatkeqësitë e të gjitha llojeve (prej të cilave edhe vërshimet, tërmetet dhe vullkanet) prekin muslimanin dhe ia shlyejnë atij gabimet, që ka bërë edhe nëse ai është rob keqbërës, madje edhe nëse këto fatkeqësi janë rezultat direkt i mëkateve dhe gabimeve të tij.
E rëndësishme është, që muslimani të mos i presë katastrofat me ankth dhe urrejtje. Fatkeqësitë që e prekin njeriun si: vështirësia, varfëria, sëmundja, dështimi, lodhja trupore apo shpirtërore, dëmet materiale, lëndimet fizike dhe shpirtërore, të gjitha këto dhimbje i shlyejnë gabimet. Sidoqoftë ato kanë ardhur për shkak të vetë personit ose jo. Këto vuajtje dhe dhimbje janë thjesht shlyese të fajeve në vetvete, nëse robi i pret ato me durim dhe pret prej tyre shpërblim. Kështu ai shton shpërblimin e tij dhe ngre lart gradat e tij. Madje është e vërtetë, se fatkeqësitë mund të jenë për shkak të gjynaheve që robi ka kryer, por ato në të njëjtën kohë janë shlyese të gjynaheve në dynja, gjë që i dedikohet mirësisë dhe butësisë që Allahu ka për robërit e Tij besimtarë, duke e bërë pasojën e të këqijave të tyre në dynja, shlyese të gabimeve të tyre.
Në shpjegimin e “El Akidetu et Tahauije” vjen:
Fatkeqësitë e dynjasë konsiderohen nga shkaqet e faljes së mëkateve. Profeti (a.s) ka thënë:“Nuk e prek besimtarin Çdo mundim fizik ose shpirtëror, brengë ose shqetësim, pikëllim apo edhe një gjemb që e shpon besimtarin, Allahu me këtë ia fal gabimet atij”[4].
Në zinxhirin e transmetimit të imam Ahmedit shohim, se kur zbriti fjala e të Lartësuarit: “kush punon një të keqe, shpërblehet me të”, Ebu Bekri tha: O i dërguar i Allahut, zbriti këputësja e shpinës, e kush nga ne nuk bën keq?! Profeti (a.s) tha: O Ebu Bekër, a nuk mundohesh, a nuk brengosesh, a nuk të prekin rënkimet, kjo është ajo për çfarë shpërbleheni. Vetë fatkeqësitë janë shlyese (mëkatesh). Duke i duruar ato, robi shpërblehet e nëse mërzitet për to, ai bie në mëkat. Durimi dhe zemërimi i takojnë një çështjeje më vete, që s’ka të bëjë me fatkeqësinë. Fatkeqësia është veprim i Allahut, jo i robit. Ajo përbën shpërblimin, që Allahu i bën robit të Tij për mëkatin që bën robi dhe me të cilin Ai ia shlyen robit mëkatin e bërë.
Në fakt, personi shpërblehet dhe fajësohet për veprimin, që ai bën vetë. Durimi dhe zemërimi janë nga veprimet e robit, edhe pse ndodh që shpërblimi të arrihet edhe nëse njeriu nuk bën ndonjë mund a punë për të, nga dhuratat që i bëjnë atij të tjerët ose si një mirësi nga Allahu pa ndonjë shkak konkret. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe -Allahu- jep nga Ana e Vet shpërblim madhështor”. Në këtë kategori hyn sëmundja, që është shpërblim (pasojë) dhe shlyerëse për gjynahet e mëparshme. Shpesh me “shpërblim” nënkuptohet falja e mëkateve edhe pse ky nuk është kuptimi thelbësor i shpërblimit. Falja në fakt konsiderohet nga rezultatet angazhuese të shpërblimit. (“El Akidetu et Tahauije”)
Këtu mësimi ka të bëjë me mënyrën sesi muslimani e pret fatkeqësinë. Fatkeqësia në vetvete është shlyese gjynahesh. Gjithsesi kjo shlyerje vlen, nëse fatkeqësia nuk pritet me mërzitje dhe zemërim. Kush e pret fatkeqësinë me durim, pendim dhe kthim tek Allahu, ka përfituar prej saj dhe për të fatkeqësia në fjalë ka qenë dhuratë jo sprovë. Ky thelb është i njëjtë në të gjitha fatkeqësitë, madje edhe në ato që dihet me siguri, se janë pasojë e hakmarrjes së Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar i ka përmbyllur thëniet kuranoreqë flasin për shkatërrimin e popujve të dhunshëm të së shkuarës, të cilët bënë rrënime, shkatërrime, dhunuan dhe qenë mosbesimtar, duke nxitur në pendim dhe kthesë tek Allahu. Lidhur me shkatërrimin e popullit të Faraonit, Kurani thotë: “E Ne i afruam atje të tjerët (ata të Faraonit). Dhe Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata që ishin me të. Kurse të tjerët i mbytëm në ujë. Vërtet, në këtë (ngjarje) ka fakte, por megjithatë shumica nuk besuan. Nuk ka dyshim se Zoti yt është i gjithëfuqishëm dhe i mëshirshëm.”[5] Po kështu për popullin e Nuhut a.s. na thotë: “Ai tha: ‘O Zoti im, populli im më pandeh gënjeshtar. Pra Ti me drejtësinë tënde gjyko ndërmjet meje dhe atyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët, që janë me mua!’ Prandaj Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë ata, që ishin me të në anijen e mbushur plot. Pastaj i mbytëm në ujë ata, që mbetën pas tyre. Edhe në këtë (ngjarje) ka argumente, po shumica e tyre nuk ishin besimtarë. S’ka dyshim se Zoti yt është i plotfuqishëm, i mëshirshëm”[6]. Po kështu për popullin e Adit Allahu thotë: “Dhe ashtu ata e konsideruan atë (Hudin) gënjeshtar, e Ne atëherë i shkatërruam. Edhe ky është një fakt, po shumica e tyre nuk besuan. Vërtet, Zoti yt është i plotfuqishëm, i mëshirshëm”[7]. Pyetja këtu është, se për ç’mëshirë bëhet fjalë, kur këtu bëhet fjalë për shkatërrim!!! Më e këndshmja që kanë sjellë komentuesit e Kuranit, lidhur me këtë, është se këtu mëshira është përmendur, që njerëzit të mos bien në pesimizëm, (dhe për të bërë me dije) se Allahu Lavdiplotë e pranon pendimin e atij, që pranon të pendohet dhe bën kthesë nga devijimi i tij.
Vetë Kurani, i cili përbën mirësinë më madhore të Allahut mbi robërit e Tij, presupozohet të jetë humbje dhe mangësi për mosbesimtarët, jo për shkak të Kuranit në vetvete, por si pasojë e refuzimit që mosbesimtarët i bënë atij, si pasojë e faktit se ata e përgënjeshtruan Kuranin dhe ia kthyen shpinën, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne po ta shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim”[8] dhe thotë: “…Thuaj: ‘Ai për besimtarët është udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse të thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”[9].
Vetë tradita profetike hedh dritë mbi faktin, se çështja tek fatkeqësitë qëndron tek mënyra se si sillemi dhe i pranojmë ato. Në “Sahihul Muslim” është transmetuar, se profeti (a.s) ka thënë:“Është çudi çështja e besimtarit. Gjithë çështja e tij është tërësisht në të mirën e tij, gjë që i ndodh vetëm besimtarit. Nëse e prek një e mirë, falënderon dhe kjo është në të mirën e tij dhe nëse e prek një e keqe, duron dhe kjo (sërish) është në të mirën e tij”.
Madje Kurani na informon, se fatkeqësitë me të cilët goditen edhe vetë mosbesimtarët, nuk janë në çdo rast për keq, por fatkeqësia konsiderohet “e keqe”, nga mënyra sesi jobesimtarët i pranojnë këto fatkeqësi. Në Kuran thuhet: “Ne do t’u shijojmë atyre dënimin më të shpejtë (në Dynja)para dënimit të madh (në Ahiret), ndoshta do të tërhiqen (prej të këqijave)”[10], Ibn Ashura në komentimin e këtij ajeti thotë: “Kjo është një vërejtje, mbi atë çfarë i kaploi ata pas zbritjes së këtij ajeti, konkretisht është ajo çfarë u sprovuan me të, pra uria dhe frika, prej të cilave qenë të pacënuar. Tek sprova hynë edhe e keqja që u ra ditën e Bedrit, të vrarët dhe të plagosurit, si dhe poshtërimi që i gjeti ditën e çlirimit (të Mekës). Fjalia “ashtu që ata të kthehen” është përfundim i qartë mbi urtësinë e këtij ndëshkimi, më të voglit që ata shijuan në dynja. Urtësia këtu është “me shpresë se ata do bëjnë kthesë nga mosbesimi (kufri) dhe do të besojnë”. Synimi është: I mundshëm është kthimi i atyre, që janë gjallë prej tyre.”
Gjithashtu, këtu hyn edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi dërguar (profetë) edhe te popujt para teje (e kur ata nuk i dëgjuan), i dënuam me skamje e mjerim, ashtu që të përulen. E pse të mos përuleshin kur ju erdhi atyre dënimi jonë? Por zemrat e tyre ishin ngurosur, po edhe djalli ua hijeshoi atë që bënin”[11]. Ky ajet tregon qartë, se rëndesa që po i kaplon mosbesimtarët, ka pllakosur mbi ta dhe ky është një apel, që ata t’i kthehen me përdëllim Allahut të Lartësuar, t’i përgjërohen Atij dhe t’i deklarojnë islamizimin (dorëzimin) dhe nënshtrimin e tyre. Mësimi këtu qëndron tek pranimi, prandaj kush i përgjërohet Allahut, fatkeqësia që i ra, është dhuratë për të, ndërsa kush tregohet zemërhekur, për të fatkeqësia është sprovë e fortë.
Allahu Lavdiplotë thotë për izraelitët, kur ata e tepruan dhe merituan ndëshkimin: “Ne i shpërndamë ata në grupe nëpër tokë; prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja”[12]. Pra sprova me të keqe dhe me të mirë ishte inkurajim për ta, që të ktheheshin tek Allahu Lavdiplotë. Mësimi këtu qëndron tek mënyra e pritjes së fatkeqësisë.
Prej ajeteve të qarta të këtij kuptimi, është fjala e Allahut të Lartësuar: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zezat (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për t’i bërë ata të shijojnë (përjetojnë) një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (të bëjnë kthesë nga të këqijat)”[13], Lidhur me këtë ajet, Alusi thotë: “…janë shfaqur në tokë e në det të zezat…”, si kriza e drithërave, epidemitë vdekjeprurëse, zjarret dhe përmbytjet masive, falimentimi i gjahtarëve dhe zhytësve, mungesa e bereqetit në atë që posedon, mungesa e dobsëi edhe në kamje, dëmtimi i shumtë. Kuptimi i thënies së Allahut të Lartësuar: “…e për t’i bërë ata të shijojnë (përjetojnë) një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (të bëjnë kthesë nga të këqijat)”. Më primarja dhe e dukshmja është, se Allahu i Lartësuar, ua prishi dhe dërrmoi atyre mjetet e jetesës së dynjasë, ua rëndoi, për shkak të disa punëve të tyre në dynja, përpara se t’i ndëshkojë ata për të gjitha punët e tyre në Amshim dhe këtë e bëri, me shpresë që ata të bëjnë kthesë nga gjendja e tyre”.
Allahu e di më së miri.
EDITOR
10 years ago
previous article
Juridiku i Tetovës promovoi numrin e dytë të “Justicia”-s
next article
Muslimanja egjiptiane, mendja kreative e Microsoft
you might also like
Bota e xhindëve, fakte dhe iluzione
9 years ago
Horoskopi, realitet apo imagjinatë?
9 years ago
NGRËNIA E PASURISË SË GRUAS
9 years ago