Sipas studimeve të zhvilluara së fundmi, 42,3 % e fëmijëve të ciklit nëntëvjeçar dhe të mesëm kalojnë më shumë se tri orë në ditë para kompjuterit.
Të mbajtur në shtëpi edhe nga pasiguria e rrugës, fëmijët nxiten më shumë të qëndrojnë përballë kompjuterit. Specialistët sugjerojnë alternativa të tjera lojërash për  shfrytëzimin sa më të mirë të kohës.
Me mbylljen e shkollave një pjesë e fëmijëve fillojnë pushimet e një pjesë tjetër ngelen në shtëpi. Ka prej atyre të cilët preferojnë t’i kalojnë pushimet  përballë kompjuterit. Por studimet e zhvilluara kohëve të fundit  tregojnë se më shumë se 42% e fëmijëve të ciklit nëntëvjeçar kalojnë më shumë se tri orë para kompjuterit. Sigurisht që shtimi i përdorimit të kompjuterit lidhet edhe me përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale. Djemtë kalojnë më shumë kohë para kompjuterit sesa vajzat.
Edhe familjet pohojnë se fëmijët hanë shumë shpejt apo nuk i kushtojnë rëndësi ushqimit për shkak të kompjuterit, tabletës apo telefonit celular. Nuk është i pakët as numri i atyre fëmijëve të cilët  e kalojnë para kompjuterit edhe orarin kur duhet të ishin në gjumë. Këto fëmijë të varur pas kompjuterit edhe shoqërinë preferojnë ta zgjedhin nga interneti. Varësia ndaj kompjuterit ka arritur shifra alarmante. Ky fakt sjell me vete dhe shumë zakone dhe vese të këqija. Ka shumë të rinj, të cilët njihen me të droguar nëpërmjet internetit. Në këtë mënyrë ata e kanë të lehtë të bien në kurthin e tyre. Familjet duhet të tregojnë kujdesin maksimal në këtë pikë.
Fëmijët duhet të luajnë me lojëra të tjera krahas kompjuterit
Familjet duhet të vendosin një kufi për sa i përket kohës së kaluar para kompjuterit. Në të njëjtën kohë t’i mundësojnë fëmijëve të tyre kalimin e kohës me shokët. Fëmijët e kanë të nevojshme të luajnë jashtë në mënyrë të pavarur. Prindërit duhet të organizojnë plane ditore bashkë me fëmijët e tyre dhe brenda këtij plani të ndahet një interval kohor për lojërat. Disa fëmijë mund të luajnë shumë lojëra kompjuterike për shkak të problemeve psikologjike që kanë. Për, këto fëmijë familjet duhet të kontaktojnë specialistët përkatës. Ndalimi i përdorimit të internetit nuk është zgjidhja kryesore. E rëndësishme është të zbulosh arsyen e fokusimit të tyre pas internetit. Zakonisht fëmijët e mbyllur në vetvete, me mungesë vetëbesimi, me probleme psikologjike, zakone të këqija apo ato që përjetojnë probleme me familjet e tyre janë më të prirur të zënë shokë nëpërmjet inetrentit. Pikët e fituara në lojërat kompjuterike janë pikë virtuale. Edhe pse fëmija nuk përfiton gjë nga ana materiale, ai fillon të lavdërohet i emocionuar duke thënë “kam fituar kaq pike apo kam lënë mbrapa kaq lojtarë”. Si pasojë e kësaj, fëmijët fillojnë të zënë shoqëri në internet./Start/