Categories
Ramazani

Fëmijët tanë në Ramazan

Dr. Nermin Muhamed
Momenti i iftarit nuk mund të fshihet kollaj nga kujtesa e fëmijëve. E gjithë familja është e bashkuar, kurse babai ua kujton herë pas here:”Shpejtojeni iftarin!” Pasi u ka folur kushedi sa herë të tjera mbi shpërblimin e atij që ushqen një person që agjëron, fëmijët rendin kush e kush të vendosë një kokërr hurme në gojën e njëri-tjetrit, apo në gojën e prindërve, për të fituar shpërblimin e atij që ushqen një person që agjëron. Prindërve nuk u lejohet që kokrrën e hurmës ta marrin me duart e tyre, pasi janë fëmijët ata që e kryejnë këtë mision.
Fëmijët e kuptojnë se i dashuri i tyre, profeti Muhamed a.s, e pëlqente çeljen e iftarit me disa kokrra hurma, e në mungesë të tyre me qumësht dhe kur ky i fundit mungonte, me ujë. Për këtë, ata e respektonin këtë renditje, me gjithë prezencën e kushedi sa lloje ushqimesh të tjera. Gjithashtu, fëmijët e dinin se bazuar në traditën profetike, numri i hurmave që duhen ngrënë duhet të jetë tek. Sakaq, babai ia lejonte vetes dhe ndonjë shaka me fëmijët, duke u thënë se e rëndësishme është të jenë tek dhe jo një numër i caktuar, pra mund të jenë dhe 119 kokrra.
Të gjithë në këto çaste janë të buzëqeshur, sidomos fëmijët të cilët e pëlqejnë momentin e iftarit maksimalisht. Ata josheshin shumë pas lutjeve në kohën e çeljes së iftarit, pasi babai u kishte thënë se këto lutje nuk ktheheshin pas. Nuk ekzistonte ky pasion që vihet re sot, në të ngrënit dhe blerjen e sa më shumë ushqimeve. Po, rezervoheshin ushqime të caktuara për Ramazan, por jo me kaq insistim siç vihet re sot.
Namazi i teravive
Babai njoftonte disi me zë të lartë: Po shkojmë për namazin e teravive, kush ka qejf të vijë me ne?
Namazi i teravive ishte një lloj sfide mes fëmijëve. “Unë fala gjashtë regate” thoshte njëri “Kurse unë fala dhjetë, katër regate më shumë se ti” ia priste tjetri. Prindërit hidhnin short se cilin nga fëmijët do të merrnin për çdo ditë, duke marrë vetëm dy prej tyre. Fëmijët i shoqëronin prindërit kudo, përveç vendit të punës. Gocat e vogla vishnin shami dhe rroba të gjata për tu falur në xhami.
Gjatë rrugës, babai i jep në dorë njërit prej fëmijëve një monedhë dhe i pëshpërit në vesh që t’ia japë një të varfëri që sapo kanë pikasur. Fëmija e kupton mirë përse babai i pëshpërit në vesh dhe nuk i thotë me zë të lartë, pasi myslimani e fsheh sadakanë. Të njëjtën gjë babai bën dhe me fëmijën tjetër. Zakonisht, fëmijët u tregojnë për këtë akt bamirësie dhe të tjerëve, por duke u kërkuar ta mbajnë sekret dhe të mos e tregojnë.
Koncepti i të bërit mirë në Ramazan
Diçka që është shndërruar në fenomen dhe traditë janë dhe dhuratat mes fqinjëve dhe shkëmbimi i ushqimeve para iftarit. Nëna i kishte caktuar një ditë të veçantë secilit prej fëmijëve për tu çuar komshinjve gjellën e radhës. Më kujtohet se kur u vendosëm në një lagje të re, ku nuk njihnim askënd, çdo ditë, në derën tonë trokiste një fëmijë që mbante në dorë diçka të gatuar për iftar duke thënë:”Ne jemi fqinjët tuaj përballë dhe u kemi sjellë nga gjella që nëna ka gatuar sot.” Nga ana e saj, nëna jonë e kthente pjatën ose tabakanë të mbushur me gatimet e saj. E bukura qëndronte në faktin se ne nuk i njihnim personalisht fqinjët tanë. Njohja fillonte me këto shkëmbime ushqimesh dhe në xhami teksa faleshim. Zakonisht, fqinjëve u dhurohej nga gatimi special i asaj dite.
Babai kthehej nga puna në kohën e iftarit, e megjithatë, kjo nuk e pengonte të marrë njërin nga fëmijët dhe të shkojë të blejë bukë, hurma apo qumësht dhe t’ua shpërndajë agjëruesve, vizitorëve dhe fukarenjve në shesh. Kjo ishte një shëtitje e paharrueshme për fëmijët.
Harmonia familjare në Ramazan, ishte veçoria më e madhe e këtij muaji. Fëmijët e ndjenin ngrohtësinë e familjes, gjë e cila lidhej ngushtë me atmosferën shpirtërore.
Modelet plot dritë e nur gjatë Ramazanit, nuk kufizoheshin vetëm tek prindërit, por edhe tek shokët dhe miqtë e tyre. Nuk më harrohet asnjëherë një shok i babait, i cili ishte tepër zemërmirë dhe njeri me vlera.
Në një nga ditët e Ramazanit, teksa po prisnim të thirrej ezani i akshamit, bie zilja e derës. Kush mund të jetë ky njeri që vjen pa lajmëruar dhe në këtë kohë? Ndërkohë që nëna shpejton duart për përgatitjen e iftarit, babai shkon të hapë derën. Sakaq, fëmijët ia ngulin sytë derës nga do të hynte miku. Pas një momenti, babai kthehet i buzëqeshur duke mbajtur në dorë disa qese dhe na thotë:”Është xhaxhi filani. Ai ka ardhur bashkë me një mik tjetër për të ngrënë iftar me ne sonte, por kanë sjellë me vete hurma, ujë, pije dhe ushqimin e duhur, pasi nuk donte të na vërë në siklet.” Kështu, gatimet tona u përzien me ato që solli personi në fjalë dhe të gjithë hëngrëm një iftar special dhe të paharrueshëm. Jo vetëm kaq, por ai kishte sjelle dhurata për të gjithë pjesëtarët e familjes, lodra, veshje dhe pëlhura të ndryshme.
Një rast tjetër që nuk e harroj dot, ishte se e gjithë familja ishte përgatitur që në fund të javës do të dilnim për piknik. Të gjithë, sidomos ne fëmijët, mezi prisnim ditën e shënuar. Kur gjithçka ishte gati dhe po nisnim të dalim, bie zilja e derës. Neve na ngriu buzëqeshja në buzë. Dikush prej nesh pyeti nëpërmjet citofonit:”Kush është?” Personi nga jashtë u përgjigj:”Jam xhaxhi filani. A është babi në shtëpi?” Ëndrrat tona në atë çast u shuan. Babai hapi derën dhe e priti mikun me ngrohtësi, por në fund i tha:”E nëse u thuhet kthehuni, ju kthehuni” Kuran. Miku buzëqeshi, i shtrëngoi dorën babait dhe u largua pa e kaluar cepin e derës. Nëna u zu ngushtë dhe i tha: Mund ta kishim shtyrë piknikun dhe ti kishin pritur këta miq. Sakaq babai na i lexoi dhe një herë ajetin e mësipërm dhe na shpjegoi raste të tilla të ngjashme nga jeta e shokëve të Profetit a.s dhe se e mira qëndron në respektimin e traditës së Profetit a.s. Më e çuditshmja, është se miku i cili u kthye, nuk kishte telefon në shtëpi dhe për rrjedhojë s’kishte si të na njoftonte për  vizitën. Ai kishte rënë dakord me babain që s’kishte asnjë problem nga vizitat e ndërsjella qoftë dhe pa lajmëruar. E nëse koha nuk do të ishte e përshtatshme, mikpritësit do thoshin ajetin:”E nëse u thuhet kthehuni, ju kthehuni” kështu miku do e kuptojë dhe do të kthehet pa problem.
Shpesh herë, unë bëj shaka me babain dhe i them: Aq herë e ka dëgjuar miku në fjalë këtë ajet prej teje, saqë asnjëherë nuk e ka kaluar pragun e derës tonë.
Nata e njëzet e shtatë e Ramazanit
Kthehet babai nga namazi i natës duke cituar sa më shpesh shehadetin dhe na thotë: A e dini? Ndjej se sonte është nata e Kadrit. Bien ca pika shiu dhe qielli është i ndriçuar edhe pse pa hënë.
Babai dhe nëna janë shumë të ndikuar nga aspekti shpirtëror i kësaj nate. Nëna propozon që të gjithë të dalim me makinë dhe të shohim atmosferën e kësaj nate. Teksa kemi hipur në makinë dhe jemi duke ecur, babai na thotë: A e vëreni shkëlqimin e qiellit? A e ndjeni mëshirën hyjnore teksa zbret me pikat e shiut?
Të gjithë kthehemi të gëzuar në shtëpi, edhe pse fëmijët nuk e perceptojnë siç duhet domethënien e natës së Kadrit.
Kujtimet e fëmijërisë janë të shumta dhe më ngacmojnë herë pas here. Këto ishin disa nga kujtimet e mia përgjatë Ramazanit, të cilat i solla në kujtim të prindërve të mi të shtrenjtë.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version