Categories
Lajme FRI

Feminizmi ose gabimi mbi gruan

Gilbert K. Chesterton
Gilbert K. Chesterton është novelist anglez, eseist, poet, biografist dhe shkrimtar katolik. Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga libri i tij “Ç`është e padrejtë në botë”.
“…Kjo nuk do të thotë se gruaja nuk punon, sepse burri e urdhëron atë kështu dhe ajo bindet. Në të kundërt, një grua punon, sepse ajo e ka urdhëruar burrin e saj të punojë dhe ai nuk i është bindur”.

I – Votë-kërkueset jo-ushtarake
Mirë atëherë, për t’ia dalë këtij trajtimi të ndershëm, por të pakëndshëm, kundërshtimi mbi votë-kërkueset nuk është se ato janë votë-kërkuese ushtarake. Në të kundërtën; është se ato nuk janë ushtarake në mënyrë të mjaftueshme. Një revolucion është një çështje ushtarake; ai ka të gjitha virtytet ushtarake; një nga të cilat është, se ai mbërrin në një fund. Të dyja palët luftojnë me armë vdekjeprurëse, por nën disa rregulla të caktuara të një nderi arbitrar; pala që fiton kthehet në palën qeverisëse dhe vazhdon të qeverisë. Qëllimi i luftës civile, sikundër qëllimi i të gjithë luftërave civile, është paqja. Votë-kërkueset nuk mund të çojnë përpara një luftë civile në këtë sens ushtarak dhe vendimtar; pikësëpari sepse ato janë gra dhe së dyti sepse ato janë shumë pak gra. Por ato mund të çojnë përpara diçka tjetër; që është tërësisht diçka tjetër. Ato nuk mund të krijojnë revolucion; ajo që ato mund të krijojnë është anarkia ; dhe ndryshimi midis këtyre të dyjave nuk është një çështje dhune, por një çështje frytshmërie dhe finaliteti.
Revolucioni, në vetë natyrën e tij, prodhon qeverisjen; anarkia prodhon veçse më shumë anarki. Njerëzit mund të kenë opinionet që kanë qejf mbi prerjen e kokave nga mbreti Charles ose Louis, por ata nuk mund të mohojnë se Bradshaw dhe Cromwell sunduan, se Carnot dhe Napoleoni qeverisën. Dikush u mposht, diçka ndodhi. Shkatërrimi merr fund një ditë, obstruksioni nuk merr fund kurrë: sapo rebelimi merr thjesht formën e një çrregullimi (në vend të një përpjekje për të përforcuar një rend të ri) për të nuk ka më fund logjik; ai mundet vetëm të ushqejë dhe të rinovojë sërish veten, përjetësisht. Nëse Napoleoni nuk do të kishte dashur të bëhej një konsull, por do të kishte dashur të ishte vetëm një shqetësim, ai mbase do të kishte penguar çdo qeveri, që suksesshëm të rridhte nga Revolucioni. Është pikërisht kjo cilësi jo-ushtarake tek vote-kërkueset, që përbën problemin e tyre sipërfaqësor. Problemi është, se aksioni i tyre nuk i ka avantazhet e dhunës ultimative; ai nuk është në gjendje të përballojë një provë. Lufta është diçka e tmerrshme; por ajo provon saktësisht dy pika: numrin e përkrahësve dhe një guxim jo të natyrshëm. Njeriu mund të zbulojë dy çështje vendimtare: sa rebelë janë gjallë dhe sa janë gati të japin edhe jetën. Por një pjesë shumë e vogël prej tyre do të mund ta jetonin çrregullimin përjetësisht. Gjithashtu këto gra karakterizohen edhe nga paaftësia e tyre për të dhunuar, e cila është pjesë e seksit femëror. Nuk është e vërtetë të deklarojmë, se bëhet fjalë thjesht për një çështje brutale force. Nëse janë muskujt ata që i japin një burri votën, atëherë kali i tij duhet të ketë dy vota dhe elefanti i tij pesë. E vërteta është më e hollë se sa kjo. E vërteta është, se shpërthimi i zemërimit është një armë instiktive e burrit, sikundër thundrat janë për kalin apo çatajtë janë për elefantin. Çdo trazirë është kërcënim për luftë, por gruaja është duke vringëllirë një armë, që nuk mund ta përdorë kurrë, ndërkohë që ka plot armë, që ajo mund dhe që realisht i përdor. Por sërish duhet të kujtojmë se për këtë, pikësëpari, është e nevojshme t’i sjellësh të gjitha gratë në një mendje. Kjo na sjell në fund të sipërfaqes politike të çështjes. Kundërshtimi që funksionon më mirë ndaj filozofisë së votë-kërkueseve, është thjesht se masa mposhtëse e miliona grave nuk është dakord me të. Jam i vetëdijshëm, se disa prej grave mbrojnë idenë, se gratë duhet të kenë vota, kurse mazhoranca e tyre nuk e vret mendjen, nëse i do ato ose jo; ndërkohë ky fakt sigurisht që mbetet një çështje e çuditshme dhe fëminore e ndërtimit të demokracisë formale ndaj shkatërrimit të demokracisë reale. Çfarë do të ishin në gjendje të vendosnin gratë, kur ato nuk mund të vendosin vendin e tyre të përgjithshëm në shtet? Këta njerëz praktikisht thonë, se femrat mund të votojnë për çdo gjë; mund të votojnë vetëm për votën e tyre.
Por duke e pastruar sërish ndërgjegjen time nga opinioni im thjesht politik dhe mbase aspak popullor, do të tërhiqem sërish mbrapsht dhe do të përpiqem ta trajtoj çështjen në një mënyrë më të ngadaltë dhe më shumë simpatike; do të përpiqem që të shënoj rrënjët e pozicionit të gruas në perëndim dhe shkaqet e ekzistencës së traditave ose paragjykimeve mbi çështjen në fjalë. Për këtë arsye sërish është e nevojshme, të udhëtosh larg nga çështjet moderne dhe votë-kërkueset sipërfaqësore të së sotmes dhe të kthehesh pas tek tema, të cilat ndonëse janë më të vjetra, mendoj se janë shumë më të freskëta.
II – Mjeti universal 
Hidhini sytë rreth e qark dhomës, në të cilën jeni ulur dhe përzgjidhni tre ose katër sende, të cilat kanë shoqëruar burrin që nga fillimet e kohërave. Lejomëni të supozoj se ju shihni një thikë mbi tryezë, një shkop në cep të dhomës, ose një zjarr në oxhak. Për secilën prej këtyre ju njihni nga një karakteristikë: se asnjëra prej tyre nuk është thjesht për një nevojë të veçantë. Secili nga këto mjete familjare është një mjet universal, i bërë për të plotësuar nevoja të ndryshme dhe ndërsa pedantët, të cilëve u merren këmbët, nuhasin të gjejnë shkakun dhe origjinën e disa zakoneve të vjetra, e vërteta është se ato zakone kanë pasur pesëdhjetë shkaqe ose qindra origjina. Thika ishte për të prerë drurin, për të prerë djathin, lapsat, fytet. Shkopi ishte pjesërisht për të mbajtur një njeri në këmbë, pjesërisht për të hedhur një njeri në tokë, pjesërisht për të shënjuar, pjesërisht për të ekuilibruar, pjesërisht për vrarë; ishte një patericë dhe një kopaçe; një gisht i tejshtrirë ose një këmbë më shumë. Sigurisht, bëhet fjalë për të njëjtën gjë me zjarrin; për të cilin janë ngritur këndvështrimet më të çuditshme moderne. Duket se janë të ditës një dyzinë parafytyrimesh, se zjarri ekziston për të ngrohur njerëzit. Ekziston për të ngrohur njerëzit, për të ndriçuar errësirën e tyre, për të ngritur shpirtrat e tyre, për të pjekur kuleçët e tyre, për të parfumosur dhomat, për të prushitur gështenjat e tyre, për t’u treguar histori fëmijëve, për të kontrolluar hijet në mur, për të vluar ibrikët, për të qenë zemra e flaktë e shtëpisë së një burri, për të qenë ajo vatr,a për të cilën çdo burrë ishte gati të vdiste.
Tashmë shenja e madhe e modernizimit tonë është, se njerëzit gjithmonë e më shumë janë duke propozuar zëvendësues për këto gjëra të vjetra; dhe këto zëvendësues të rinj gjithmonë i përgjigjen një qëllimi të vetëm, ndërsa e vjetra i përgjigjej dhjetë qëllimeve njëkohësisht. Burri modern sot do të valëzojë nëpër duar një cigare në vend të një shkopi; ai do të presë lapsin e tij me një prerëse të vockël lapsash në vend të një thike, deri edhe do t’i ofrohet zemërgjerësisht, të ngrohet nga tubat me ujë të ngrohtë në vend të një zjarri. Unë kam dyshimet e mia për prerëset e lapsave, qoftë edhe për të prerë lapsa; apo për tubat me ujë të ngrohtë, qoftë edhe për të ngrohur. Por kur mendojmë për gjithë ato kërkesa të tjera, të cilave iu përgjigjën këto institucione të sipërpërmendura, hapet përpara nesh palaçollëku i civilizimit tonë. Ne shohin si në një vizion, një botë ku një burrë përpiqet që ta presë fytin e tij me një prerëse-lapsash; ku një burrë duhet të mësojë të mbahet jo mbi një shkop, por mbi një cigare; ku një burrë duhet të përpiqet të gatuajë simite në një llambë elektrike dhe ne shohim kështjellat e kuqe dhe të florinjta, të ngrihen në sipërfaqen e tubave me ujë të ngrohtë.
Parimi për të cilin unë flas, shihet në të gjitha krahasimet midis të lashtës e universales dhe modernes e të veçantës. Qëllimi i një theodoliti është të shtrihet në një nivel, qëllimi i një shkopi është të tundet i lëvizshëm në çdo lloj këndi; të vijë vërdallë si timoni i vërtetë i lirisë. Qëllimi i një bisturie është të shpojë; nëse përdoret për të copëtuar fërtele-fërtele, për të plagosur thellë e më thellë, për të shqyer, për të krasitur koka dhe degë peme, është një instrument zhgënjyes. Qëllimi i një drite elektrike është thjesht të ndriçojë –një modesti që ta shpif- dhe qëllimi i një sobe asbestos … habitem, cili është qëllimi i një sobe asbestos?
Nëse njeriu do të gjente një litar të bërë nyje në shkretëtirë, ai do të mendonte të paktën për të gjithë gjërat, që mund të bëheshin me një copë litari dhe disa prej tyre do të ishin edhe praktike. Krejt e kundërta ndodh me udhëtarin e pafat që do të gjente një telefon në shkretëtirë. Mund të telefonohet me një telefon; nuk mund të bëhet asgjë tjetër me të. Dhe ndonëse ky është një nga gëzimet më të egra të jetës, rrëzohet nga deliriumi i tij i plotë në çastin kur askush nuk gjendet në anën tjetër për të t’u përgjigjur. Shkurtimisht, ajo që nuk shkon në këtë mes, është se duhet të shkulen qindra rrënjë dhe jo vetëm një, përpara se të çrrënjosësh këta dobi-prurës të moçëm dhe të thjeshtë. Një shkencëtar sociolog modern do të mund të pohonte me vështirësi të mëdha, se ndonjëra nga metodat e vjetra ka vetëm një këmbë për të qëndruar. Sepse pothuajse të gjithë metodat, institucionet e vjetra, kanë katër apo pesë këmbë, mbi të cilat mbahen. Merr në konsideratë mjetet, të vjetra e të reja dhe do të shohësh se si vepron një tendencë e përgjithshme. Çdokund ku deri dje ishte një gjë e vetme, që shërbente për gjashtë qëllime, tani gjenden gjashtë gjëra të vogla; ose më mirë (dhe këtu qëndron problemi) gjenden vetëm pesë e gjysmë.
Gjithsesi, nuk do të themi se kjo ndarje dhe ky specializim është tërësisht i padobishëm dhe i patolerueshëm. Shpesh unë e kam falenderuar Zotin për telefonin dhe nuk ka asnjë nga këto shpikje brilante dhe të ngushta, që nuk të bëhen të nevojshme dhe të dashura qoftë edhe për një moment të vetëm. Por edhe mbrojtësi më i vazhdë i specializimit, nuk mendoj se do të mohonte faktin, se në këto institucione të shumanshme ka një element uniteti dhe universaliteti, që mund të ruhet drejt në raport me vendin e tij tipik. Të paktën shpirtërisht duhet të pohojmë, se një balancë e gjithanshme është e nevojshme, për të barazuar ekstravagancën e ekspertëve. Nuk do të ishte e vështirë, që parabolën e thikës dhe të shkopit ta ngrinim në nivele më të larta. Feja – e paprekura, e pavdekshmja. Shtrirja e gjerë e praktikimit të fesë është copëtuar sot në specialitete më të vogla, sikundër përdorimi i botës është copëtuar në tuba me ujë të ngrohtë apo poça elektrikë. Romanca e simboleve rituale dhe shumëngjyrëshme, është shkulur vendit nga zanati më i ngushtë i të gjithë zanateve, arti modern – ajo gjë që quhet art vetëm se për hir të artit. Njeriu gjendet brenda zakoneve moderne, atëherë kur informohet se mund t’i përdorë të gjitha simbolet, përderisa ato nuk kanë asnjë kuptim për të. Romanca e vetëdijes është tharë në shkencën e etikës, që shumë mirë do të quhej mirësjellje për hir të mirësjelljes, mirësjellja që mbeti shterpë nga lulëzimi artistik. Kjo botë nuk është tjetër, veçse një gjykatë e egër divorcimi.
Ekuilibri dhe universalja kanë qenë vizioni i shumë grupeve të njerëzve në të gjitha kohërat. Ishte edukimi liberal i Aristotelit; njeriu i të gjitha zanateve i Leonardo da Vinçit dhe miqve të tij. Por pjesa më e madhe e njerëzve kanë qenë të paaftë të arrinin këtë universalitet literal, për shkak të natyrës së punës së tyre në këtë botë dhe jo për shkak, le të theksojmë këtu, të ekzistencës së punës së tyre. Jo për faktin se Leonardo da Vinçi duhet të ketë punuar jashtëzakonisht shumë, ndërsa zyrtarë të zyrave qeveritare, policë të fshatrave apo hidraulikë “të papërcaktuar” mund të mos bëjnë (sipas asaj që i shfaqet njeriut) punë fare dhe për këtë arsye të mos tregojnë shenja të universalizmit aristotelian.
Ajo që e bën të vështirë për njeriun e zakonshëm të jetë një universalist, është se njeriut të zakonshëm i duhet të jetë një specialist. Atij nuk i duhet vetëm të mësojë një zanat, por ta mësojë atë aq mirë, sa ky profesion ta ushqejë atë në një shoqëri, shumë apo pak, të pamëshirshme. Kjo është e vërtetë për të gjithë burrat, që nga gjahtari i parë deri tek inxhinieri më i fundit elektrik. Secilit nuk i duhet thjesht të veprojë, por i duhet të jetë më i miri. Inxhinieri elektrik duhet të jetë një inxhinier i vërtetë elektrik, ose ndryshe ai parakalohet nga inxhinierë akoma më shumë elektrikë. Pikërisht ato mrekulli të mendjes njerëzore, mbi të cilat bota moderne krenohet me veten dhe në më shumtën e rasteve ka të drejtë të krenohet, do të ishte e pamundur pa një lloj përqendrimi, që ndërpret vijueshmërinë e arsyes. Kështu shihet se eksplozionet më të mëdha dhe më të egra të botës sonë nuk janë tjetër, veçse në një drejtim dhe me një trajektore të përcaktuar: ai që shkreh armën nuk mund të tejkalojë këmbëzën e armës së tij dhe kjo shkrepje shpesh shkon bosh; astronomi nuk mund të shkojë përtej teleskopit të tij dhe teleskopi i tij sheh një rrugë kaq të shkurtër. Të gjithë këta janë si ata burra, të cilët kanë qëndruar në pikën më të lartë të një mali, kanë parë horizontin si një unazë të vetme dhe pastaj kanë zbritur, duke marrë rrugë të ndryshme, drejt qyteteve të ndryshme, duke udhëtuar shpejt apo ngadalë. Është e drejtë: duhet të ketë njerëz, të cilët udhëtojnë në qytete të ndryshme; duhet të ketë specialistë; por a nuk duhet të ketë nga ata që shikojnë horizontin? A duhet të jenë të gjithë njerëzit kirurgë specialistë ose hidraulikë të jashtëzakonshëm; a duhet i gjithë njerëzimi të jetë monomaniak? Tradita ka vendosur, se vetëm gjysma e këtij njerëzimi duhet të jenë monomaniake. Ka vendosur, se në çdo shtëpi duhet të ketë një njeri të zanatit dhe një tjetër të të gjithë zanateve. Por ndër të tjera, ka vendosur gjithashtu, se ky njeri i të gjithë zanateve duhet të jetë një grua e të gjitha zejeve. Ka vendosur, mirë ose keq, se ky specializim dhe ky universalizim duhet të ndahet midis dy sekseve.
Zgjuarsia duhet t’i lihet burrit dhe urtësia gruas. E kur zgjuarsia e vret urtësinë, kjo është një nga gjërat më të trishtueshme dhe të pamohueshme. Megjithatë tek gruaja, ky ideal i kapacitetit të gjithanshëm, duhet të jetë venitur me kohë. Duhet të jetë shkrirë në furrnaltat e frikshme të ambicies dhe teknikalitetit të parezistueshëm. Burri duhet të jetë pjesërisht burri i një ideje, sepse ai është burri i një arme të vetme – dhe ai është flakur i zhveshur në betejë. Kërkesat e jetës së kësaj bote vijnë direkt tek ai; tek gruaja e tij indirekt. Shkurtimisht; sikundër thonë edhe librat e suksesit, burrit i duhet të japë “më të mirën” e tij, dhe sa pjesë e vogël e tij është kjo “më e mirë” tek burri. Nëse ai është violina e parë, atij i duhet të fishkëllejë gjithë jetën; ai nuk duhet të kujtojë, se është gajdja e katërt, se është një stekë bilardoje e dorës së pesëmbëdhjetë, një shpatë skerme, një penë burimi, një pushkë deri edhe një imazh Hyjnie.
III – Emancipimi i të qenit shtëpiak
Duhet theksuar, se kjo forcë e burrit për të zhvilluar një aftësi të vetme nuk ka të bëjë thjesht me atë, që zakonisht quhet sistemi ynë kompetitiv, por ajo do të ekzistonte reale në çdo lloj kolektivizmi të arsyeshëm. Fakti që ne sot kemi një teleskop, ka ardhur si pasojë e qenies së burrit specialist deri në njëfarë shkalle: duhet të ketë deri në një farë shkalle specialistë, në mënyrë që zbulimet të vazhdojnë. Por ka vetëm një rrugë për të ruajtur në botë lehtësimin dhe prehjen, që përmbushin vizionin e vjetër të universales. Kjo do të thotë, se duhet të lejohet të ekzistojë një gjysmë pjesërisht e mbrojtur e njerëzimit, një gjysmë të cilën kërkesat shqetësuese industriale e shqetësojnë, por shqetësimi është indirekt. Me fjalë të tjera, në çdo qendër të njerëzimit duhet të jetë një qenie njerëzore, të cilës i duhet të qëndrojë në një plan më të lartë, e cila nuk jep “më të mirën prej vetes” së saj, por që jep “gjithçka prej vetes” së saj.
Analogjia jonë e vjetër mbi zjarrin vazhdon të jetë më funksionalja. Zjarri nuk ka nevojë të bëjë dritë sikundër elektriciteti, as të vlojë sikundër uji vlues; pika e tij e fortë qëndron në atë, se ai shkëlqen më shumë sesa uji dhe ngroh më shumë sesa drita elektrike. Gruaja është sikundër zjarri, ose për ta thënë më mirë, zjarri është sikundër gruaja. Sikundër zjarri, nga gruaja pritet që ajo të gatuajë; jo të shkëlqejë në gatim, por të gatuajë; të gatuajë më mirë sesa burri i saj, i cili është duke e fituar bukën, duke dhënë leksione mbi botanikën ose duke thyer gurë. Sikundër zjarri, nga gruaja pritet që ajo t’u tregojë histori fëmijëve të saj; jo histori origjinale dhe artistike, por histori – histori më të bukura sesa ato që do të tregoheshin nga një kuzhinier i klasit të parë. Sikundër zjarri, nga gruaja pritet që ajo të ndriçojë dhe të ajrosë; jo përmes deklaratave më tronditëse apo përmes erërave më të egra të mendimit, por që të mund ta bëjë këtë më mirë sesa një burrë, pasi ka thyer gurë apo pasi ka dhënë mësim. Por nga ajo nuk mund të pritet, që pasi të durojë direkt mbi shpatullat e saj mizorinë dhe konkurrencën e punës burokratike, të mbajë në krahë edhe barrën e kësaj detyre universale. Gruaja duhet të jetë një kuzhiniere, por jo një kuzhiniere konkurruese; një mësuese shkolle, por jo një mësuese shkolle konkurruese; një rregulluese e shtëpisë por jo një rregulluese konkurruese; një rrobaqepëse, por jo një rrobaqepëse konkurruese. Ajo nuk duhet të ketë një zanat, por njëzet preferenca; ndryshe nga burri ajo duhet të zhvillojë gjithë të mirat e saj dytësore. Ky ka qenë që nga fillimet qëllimi i asaj, që trumbetohet si “mbyllje” ose “shtypje” e gruas. Gratë kanë qëndruar në shtëpi jo që të bëheshin mendje-ngushta, por në të kundërtën, që të zgjeronin horizontin e tyre. Bota jashtë shtëpisë është një masë ngushtësish, një labirinth rrugësh të mpleksura, një çmendinë monomaniakësh. Vetëm përmes kufizimit dhe mbrojtjes së pjesshme të gruas, ajo e ka të mundur të luajë pesë ose gjashtë profesione tërësisht të vërteta dhe tmerrësisht dobiprurëse. Kjo është substanca e argumentit, që ofroj unë për pozicionin historik të gruas. Nuk mohoj se gratë janë persekutuar deri edhe torturuar; por dyshoj se ka pasur ndonjë torturë më të madhe për gruan se sa kjo torturë tani, nga përpjekja absurde moderne për t’i bërë ato perandoresha shtëpiake dhe zyrtare konkurrente në të njëjtën kohë. Nuk mohoj se edhe nën traditën e vjetër gratë kanë kaluar kohë shumë më të vështira sesa burrat; dhe kjo është arsyeja përse ne e heqim kapelën përpara një gruaje. Nuk mohoj se gjithë këto funksione të shumëllojshme të gruas kanë qenë frustruese; por them se kishte një kuptim dhe një qëllim të madh në to. Nuk pushoj deri edhe të pohoj, se gruaja ishte një shërbyese: por të paktën ajo ishte një shërbyese me kapacitete të gjithanshme.
Rruga më e shkurtër për ta përmbledhur pozicionin e gruas është të themi, se gruaja është simbol i idesë së pjekurisë: ajo shtëpi intelektuale, tek e cila mendja nuk reziston të kthehet pas çdo arratisje në ekstravagancë. Mendja që e gjen rrugën e saj në vise të ashpra, është mendja e poetit; por mendja që kurrë nuk e gjen rrugën e saj të kthimit, është veçse mendja e lunatikut. Në çdo makineri duhet të ketë një pjesë të lëvizshme dhe një pjesë, që qëndron e patundur. Në çdo gjë që ndryshon, duhet të ketë një pjesë të pandryshueshme. Shumë nga fenomenet, që modernistët i dënojnë pa menduar thellë, janë me të vërtetë pjesë të pozicioneve të gruas si qendër dhe si shtyllë e patundur e mirëqenies. Pjesa më e madhe e asaj, që quhet volitshmëria e gruas apo lakueshmëria e saj, është thjesht volitshmëria dhe lakueshmëria e një zgjidhje universale; ajo ndryshon sikundër edhe ilaçet ndryshojnë me sëmundjen. Asaj i duhet të jetë optimiste për burrin e saj të zymtë, apo i duhet të jetë një pesimiste konstruktive, kur burri i saj merr për kot. Mbreti i Francës ka shkruar: “Toujours femme varie Bien fol qui s’y fie”. Pra kuptimi është: “E vërteta është, se gruaja ndryshon gjithmonë dhe pikërisht kjo është arsyeja përse ne kemi besim tek ajo”. Për të korrigjuar çdo aventurë dhe ekstravagancë me të kundërtën e saj nuk është e thënë të jesh në pozicionin e spiunit apo të skllavit. Kjo do të thotë, të jesh në pozicionin e Aristotelit ose të paktën në atë të Herbert Spencer; të jesh një moral universal, një sistem i tërë mendimi. Skllavi lajkaton; moralisti i vërtetë qorton ashpër. Shkurtimisht do të thotë të jesh një ekuilibrues në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale fisnike, e cila për disa arsye përdoret gjithmonë në kuptimin e kundërt me të sajin. Duket se jemi të detyruar të mendojmë, se një ekuilibrues është një njeri frikacak, që gjithmonë pason palën më të fortë. Në të vërtetë ajo ka kuptimin e një qëndrimi kalorësiak, që gjithmonë është në anën e palës më të dobët, sikundër ai që e ekuilibron barkën, duke u ulur atje ku ka më pak njerëz. Gruaja është një ekuilibruese; dhe ky është një zanat bamirës, i rrezikshëm dhe romantik.
Fakti i fundit që e zgjidh këtë çështje, është një fakt mjaftueshëm i plotë. Supozojmë se pranohet, që njerëzimi ka vepruar të paktën jo në mënyrë të natyrshme në ndarjen e vetes në dy gjysma, respektivisht duke tipizuar idealet e talentit të veçantë dhe të urtësisë së gjithanshme (përderisa sinqerisht është shumë e vështirë, që t’i kombinosh ato në një mendje të vetme). Përsëri nuk është e vështirë të argumentosh, pse femra u bë emblema e universales ndërsa burri emblema e të veçantës dhe e arritjes. Dy fakte gjigande të natyrës e vendosën kështu: së pari, se një grua që literalisht i përmbushte funksionet e saj, nuk do të mund të shquhej dukshëm në eksperiment dhe në aventurë; dhe së dyti, sepse po i njëjti veprim i natyrshëm e rrethoi atë me foshnje të vogla, që nuk kërkojnë t’u mësohet diçka, aq sa kërkojnë t’u mësohet gjithçka. Foshnjat nuk kanë nevojë t’u mësohet një zanat, por të njihen me botën. Për ta përmbledhur çështjen, gruaja në më të shumtën, qëndron në shtëpi me një qenie njerëzore, në kohën kur kjo qenie pyet për gjithçka, kur ka dhe kur nuk ka pyetje. Do të ishte e paarsyeshme, që ajo të zotëronte ngushtësinë e një specialisti. Unë mund ta kuptoj se ka qenë tejet dobiprurëse, që kjo barrë iu la mbi shpatulla gruas, në mënyrë që të ruhej gjithanshmëria në botë. Por unë dorëzohem, atëherë kur dikush thotë, se kjo detyrë e ndriçimit të gjithanshëm (kur çlirohet nga rregullat moderne dhe ushtrohet më spontanisht nga një njeri më i mbrojtur) është në vetvete shumë përcaktuese dhe shtypëse; kur për këtë detyrë shtëpiake fillohet të flitet jo si e vështirë, por si e parëndësishme dhe budallepsëse. Sepse nuk mundem, sado të përpiqem me të gjithë energjitë e mia, të kuptoj fijen e mendimit të tyre. Kur punët e shtëpisë, për shembull, quhen punë e rëndë, e gjithë vështirësia ngrihet nga një kuptim i dyfishtë i fjalës. Nëse punë e rëndë do të thotë vetëm punë tmerrësisht e rëndë, unë pranoj se gruaja lë eshtrat në punët e shtëpisë, sikundër edhe burri i lë eshtrat në punët jashtë saj. Por kur i jepet kuptimi, se kjo punë e rëndë bëhet më e rëndë nga mungesa e domethënies, mungesa e ngjyrave dhe nga roli i papërfillshëm në shpirtin e njeriut, sikundër e thashë, unë dorëzohem, sepse sinqerisht nuk e kap dot kuptimin e fjalëve. Të jesh Mbretëresha Elisabetë në një fushë të përcaktuar, të vendosësh shit-blerjet, të rregullosh banketet, kohët e punës dhe pushimeve; të jesh Whiteley në një fushë të caktuar, duke prodhuar lodra, papuçe, ëmbëlsira, libra; të jesh Aristotel në një fushë të caktuar, duke mësuar vlerat morale, rregullat e mirësjelljes, fenë, higjienën; unë mundem të kuptoj se sa e lodh kjo mendjen për vdekje, por nuk e kap dot se si mund ta ngushtojë atë. Me ç`logjikë na thotë dikush, se t’i mësosh fëmijëve të botës rregullën e treshit, përbën një karrierë të madhe, ndërsa t’i mësosh fëmijët e tu mbi universin na qenka karrierë e vogël? Si na qenka “gjerësi” të jesh po e njëjta gjë për të gjithë, dhe “ngushtësi” të jesh gjithçka për dikë? Jo, puna e gruas është punë e vështirë, sepse puna e saj është një punë gjigande.
Megjithatë ndonëse detyra esenciale e gruas është universaliteti, kjo sigurisht nuk e pengon atë, të ketë një ose dy njëanshmëri. Më duhet të theksoj në paranteza, se pjesa më e madhe e shqetësimeve zyrtare mbi gruan janë ngritur nga fakti, se gratë transferojnë tek puna e tyre atë kokëfortësi, që mund të quhet mirësjellje vetëm në kontekstin e përparësive që gruas i është dashur t’i mbrojë historikisht: fëmijët e saj, kurorën e saj, që do të duhej të ishin çështje parimore, ose po t’i quajmë kështu, një çështje njëanshmërie. Gruaja moderne e mbron zyrën e saj me të gjithë ambicien e një shtëpiakeje. Ajo lufton pa lëshuar pe për kolltukun dhe makinën e shkrimit, sikundër një grua lufton për vatrën dhe shtëpinë e saj dhe nuk bën tjetër, veçse ngre një tip roli gruaje-ulkonjë në mbështetje të kreut të padukshëm të firmës së saj. Kjo është arsyeja, përse gruaja është aq e suksesshme në punën e zyrës; dhe po kjo është arsyeja, përse ajo nuk duhet ta bëjë këtë punë.
IV – Romanca e kursimit
Pjesës më e madhe të grave, gjithsesi u është dashur të luftojnë për gjëra më të dashura për syrin sesa tryeza e zyrës apo makina e shkrimit; dhe nuk mund të mohohet, se duke mbrojtur këto, gratë kanë zhvilluar cilësinë e ashtuquajtur njëanshmëri në një shkallë shumë të fuqishme, deri edhe kërcënuese. Por këto njëanshmëri do të ngrihen gjithmonë, për të fortifikuar pozicionin kryesor të gruas, se ajo do të mbetet një grua e gjithanshme, një autokrate, brenda një rrethi të vogël, por në të gjitha drejtimet. Në një apo dy pika, ku ajo e keqkupton pozicionin e burrit, e bën këtë vetëm për të ruajtur të sajin. Dy pikat, mbi të cilat gruaja është kokë-shkëmb, mund të përmblidhen pak a shumë tek ideali i kursimit dhe ideali i dinjitetit. 
Nëse duam të trajtojmë ndershmërisht çështjen e gjinive, atëherë të gjithë meshkujt duhet të bëjnë një përpjekje imagjinare, për të hyrë në qëndrimin që kanë të gjithë gratë e mira ndaj këtyre dy prirjeve. Vështirësia qëndron, se ne burrat e kemi inkurajuar njëri-tjetrin, p.sh, për të flakur paratë poshtë e lart, deri edhe për t’i dhënë një sens poetik këtij shpenzimi të parasë. Por gjithsesi, çështja qëndron kështu: kursimi është diçka vërtet romantike: ekonomia, e kuptuar drejt, është shumë më poetike sesa ekstravaganca. Kursimi është poetik, sepse është kreativ; shpenzimi është jo-poetik, sepse është shpenzim. Është prozaike të hedhësh kot paranë, sepse është prozaike, që çdo gjë ta hedhësh tej; është negative; është një deklaratë e indiferencës, që do të thotë se është një deklaratë e dështimit. Gjëja më prozaike në një shtëpi është koshi i plehrave dhe një nga kundërshtimet e mëdha të jetës së sotme shtëpiake është, se nën këtë lloj menaxhimi moral, koshi i plehrave duhet të ketë përmasa më të mëdha sesa vetë shtëpia. Nëse një njeri do të arrinte të fuste në përdorim të gjithë gjërat, që ndodhen në një kosh plehrash, atëherë ai do të ishte një gjeni edhe më i madh se Shekspiri.
Kur shkenca filloi të vërë në përdorim produktet dytësore; kur gjeti se ngjyrat mund të bëheshin edhe nga thëngjilli, ajo bëri hapin më të madh dhe mbase përpjekjen e saj të vetme drejt shpirtit të njeriut. Tani qëllimi i një gruaje të mirë është, të vërë në përdorim produktet e dorës së dytë, me fjalë të tjera, “të rrëmojë në koshin e plehrave”. Puna përcaktuese e përditshme e burrit përgjithësisht kalon me gjërat e thjeshta e të ngurta të shkencës moderne, saqë kursimi, mbledhja e ndihmave potenciale këtu apo atje, pothuajse nuk ka kuptim për të. Kjo është parodia e kursimit për burrin. Por një grua e vërtetë, që mban mbi shpatulla shtëpinë, që vë në përdorim çdo ditë mbetjet e djathit dhe të mëndafshit e bën këtë jo sepse ajo është e ulët dhe koprrace, por sepse ajo është zemërgjerë; sepse vë në përdorim energjinë e saj kreative, për të kryer punët e saj.
Bota moderne është ndërtuar në mënyrë të tillë, që ne kuptojmë se një këndvështrim mund të jetë i gjerë, universal, liberal dhe sërish të bjerë në kontradiktë me një këndvështrim tjetër, që është po ashtu i gjerë, liberal dhe universal. Përplasja e vetme e mundshme është përplasja e një kozmosi me një tjetër. Kështu duhet të qartësojmë pikësëpari, se ky ideal ekonomik femëror është pjesë e asaj larmie të këndvështrimit dhe artit, që përfshin gjithë sferat e jetës: kursimi nuk është diçka e vogël, naive, ose provinciale; ai është pjesë e idesë së madhe të gruas, që sheh vigjilente nga të gjitha cepat, përmes të gjitha dritareve të shpirtit dhe që është përgjegjëse për gjithçka. Sepse në përgjithësi shtëpia e njeriut është një pore, nga e cila hyn paraja dhe njëqind pore nga të cilat del; puna e burrit ka të bëjë me një pore, e gruas me njëqind. Për shkak se “koprracia” e gruas është pjesë e shpirtit të saj, ajo e sjell atë në konflikt me burrin e saj; sepse ajo është simbol i vigjilencës universale, ndërsa tjetri simbol i një harxhimi të pafundmë. Pjesërisht për shkak të natyrës së tij të dobët morale dhe pjesërisht për shkak të natyrës së tij të fuqishme fizike, burri është gjithmonë i prirur, t’i shpenzojë gjërat pafundësisht. Ai gjithmonë mendon për një darkë festive, sikur ajo do të zgjasë gjithë natën dhe ai mendon për një natë të vetme, se ajo do të zgjasë gjithë jetën. Kur gratë vinin në dyert e shtëpive publike dhe përpiqeshin të kthenin burrat e tyre në shtëpi, ato gra nuk ishin të xhindosura vetëm për sasinë e parave që shpenzoheshin në birrë; ato xhindoseshin edhe për sasinë e parave që shpenzoheshin në fjalë boshe. Sipas tyre ajo që e ulte një burrë, më shumë rëndësi nuk kishte ajo që ai fuste në gojë, por ajo që ai nxirrte nga goja. Njëanshmëria e gruas në këtë pikë nuk është pa baza; e vërteta është, se pjesa më e madhe e kënaqësive të burrit kanë veti kalimtare. Ka një element pafrytshmërie në kënaqësitë e burrit; pija derdhet në një qyp pa fund; mendimi vërshon teposhtë një humnere që s’dihet. Kjo është ajo që e bëri gruan, të ngrihet kundër shtëpive publike – e pse jo edhe kundër parlamentit. Sepse ajo është këtu për të parandaluar humbjen dhe pub-et, ndërsa parlamenti janë pallatet e vërteta të shpërdorimit. Ata shpërdorojnë energjitë, që do të duhej të përdoreshin në shtëpitë private.
Sikundër qëndron çështja për kursimin femëror, ashtu qëndron edhe për dinjitetin femëror, vendosur ky përballë ç`rregullsisë së burrit. Nëse një grua nuk tregon kujdes për mirësjelljen, askush tjetër nuk ka për të treguar kujdes. Foshnjat nuk janë të fuqishme për të mbrojtur dinjitetin dhe për burrat e rritur as që mund të flasësh fare. Është e vërtetë, se ka shumë burra të sjellshëm, por kurrë nuk kam dëgjuar, që këto sjellje t’i kenë bërë burra, të cilët në ato momente nuk kanë qenë duke joshur, apo duke iu bindur një gruaje. Por në të vërtetë ideali i dinjitetit të gruas, sikundër edhe ideali i kursimit, shtrihet më thellë dhe mund të keqkuptohet shpejt. Ai ngrihet mbi një ide të fuqishme të izolimit shpirtëror: po ai izolim që i bëri gratë religjioze. Ato nuk duan të shkrihen; ato i urrejnë dhe i evitojnë grumbullimet e njerëzve, anonimati i të cilëve do të ishte tërësisht i papërshtatshëm për natyrën e gruas. Fjala “gra” është një fjalë hazdisëse; unë e kam përdorur atë shpesh e më shpesh në këtë kapitull, por ajo gjithsesi ka një tingull fyes. Sepse çdo grua e vetme është një mbretëreshë hije-rëndë. Por çdo grumbullim grash është veçse një harem i shfrenuar. Nuk jam duke shprehur këndvështrimet e mia këtu, por të çdo gruaje që unë kam njohur. Është pothuajse e pandershme të thuash, se një grua e urren një grua tjetër si individ, por ajo e urren atë vetëm si një grumbull konfuz dhe jo për arsyen se ajo ka neveri nga seksi i saj, por sepse ajo e respekton atë dhe respekton veçanërisht atë shenjtëri dhe veçim, që i duhet secilës grua për t’u prezantuar në sjellje nga ideja e dinjitetit dhe në moral nga ideja e dëlirësisë.

Exit mobile version