Categories
Lajme

Festimi i “Pavarësisë së 5-të” në Kajro

Dr. Hatixhe AHMEDI
Kajro një nga metropolet botërore, një vend që rrallëkund mund të gjesh shpirt sikur në të, për mua qysh moti ishte bërë djepi dhe nëna e çdo gjëje.
Ky ishte vendi që qysh moti do të zgjohesha për çdo ditë duke e soditur diellin me majat e Piramidave të Faraonit, dhe do të vazhdoja rrugën për të ndjek mësimet e mia në studime superiore universitare. Këto kujtime do të merrja me vete edhe pas përfundimit të studimeve, do ti hapja por jo më në formë të gjallë por vetëm në ëndrrat e mia do t’i shpalosja për çdo natë.
Sa herë që largohesha nga Kajroja, mbyllsha ditarin e kujtimeve të mia me lutjen time të përhershme: “Oh sikur të më mundësonte Zoti gjithmonë ta vizitoja Kajron!”. Kështu ishte lutja ime, por që do të vija dhe mu në Kajro do të përjetoja dy gëzime, kjo nuk më kishte shkuar në mendje. Të vizitoja Kajron, të ulesha në banka për të dëgjuar mësime ashtu sikur dikur dhe të festoja “Festën e Pavarësisë së Kosovës”! Këto janë vetëm mrekulli që di ti realizojë vetëm Zoti. Madje me këtë lloj të mrekullive njeriu jeton, mbushet me dashuri dhe shpirt që e mbajnë të fortë dhe të palëkundur sa të jetë gjallë.
Me ftesën e Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivave të Egjiptit mora pjesë në kursin dyjavor të “Dorëshkrimeve Orientale”, i cili u organizua në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivat e Egjiptit në Kajro.
Ndërsa gjëja e dytë që gjithmonë më kishte lidhur me Kajron dhe Egjiptasit është Mehmet Ali Pasha nga Kavalla e Çamërisë i cili për një shekull kishte qenë mbret – lider i këtij vendi, andaj edhe identifikimi jonë shqiptarë këtu në Egjipt kurrë nuk kishte hasur në vështirësi.
Sërish në hotelin e njohur të themeluar nga mbreti shqiptarë Mehmet Ali Pasha, që quhet “Marriut” dhe që gjendet në zemër të Kajros, në lagjen ku edhe kanë filluar fillet e qytetit që më vonë në të gjithë botën do të quhet: “nëna e të gjithë botës”, ajo është lagjja “Zemalek”, një lagje e zhurmshme dhe dinamike, me plot hotele dhe vetura që shpejtojnë të zëjnë pikësynimin e cakut të tyre mu sikur gjarpërinj. Aty shumë afër vetëm sa zbret poshtë është lagjja famoze “Tahrir”, aty ku Kajro përjetoi revolucionin e “Pranverës Arabe” dhe aty ku ky shtet e themeloi kushtetutën e re.
Ndoshta shumë e kishte uruar dhe ndërtuar këtë vend Mehmet Ali Pasha, andaj edhe në këtë vend u mundësua që dy herë të valëvitej flamuri shqiptarë i Kosovës. Ky ishte hoteli që për herë të dytë po mbante stemën dhe flamurin e Kosovës, kjo pamje ishte impozante.
Kësaj radhe në Kajro vërejta një ndryshim të madh, populli kishte filluar të mësonte për Kosovën, këtë shtet që edhe pse ndoshta jo shumë i madh sipërfaqësisht në krahasim me Egjiptin, por shumë i afërt në kulturë, adete dhe zakone. Ndoshta këtë afërsi kishte mundësuar vizita e shpeshtë e delegacioneve nga Kosova dhe nga Egjipti, sidomos vizita e fundit e Kryeministrit Hashim Thaqi, me ftesën e Presidentit Muhammed Mursi, dhe kjo paraqitje e tyre me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Enver Hoxha në media dhe në shtyp e kishte afruar shumë njohjen mes dy shteteve. Në gazetat ditore dhe në revista të Egjiptit shkruhej dhe thuhej se ky delegacion u prit si një delegacion i cili kishte ndarë fatin e njëjtë me popullin dhe Qeverinë e cila tani po e administronte Egjiptin, andaj edhe Presidenti dhe Qeveritarët këtë delegacion e pritën si revolucionarë, ndërsa kryeministrin e Kosovës si hero.
Gjatë hyrje në hotel kisha harruar rrugën e cila përbëhej nga shumë labirinte, por këtë e zbërtheva shumë lehtë sepse në hyrje të sallës po qëndronte një djalë i ri me plis të bardhë në kokë dhe i stolisur me flamur të Kosovës në qafë, kjo pamje më rrëqethi shumë dhe e përshëndeta në gjuhën shqipe, edhe ai më lëshoi të njëjtë cicërimë në gjuhën e ëmbël shqipe. Hoteli i ndërtuar nga një shqiptarë, i stolisur me elemente shqipe dhe i mbushur me egjiptianë dashamirë të shqiptarëve dhe diaspora shqiptare që i kishte ftuar Prof. Dr. Ismaili.
Në këtë ceremoni Prof. Dr. Beqiri po qëndronte në hyrje të derës ku i priste mysafirët, ndërsa në krah të tij i qëndronin dy të rinj të veshur me veshje kombëtare të cilët të ftuarit i prisnin me sheqerka dhe ju ofronin emblema me flamur të Kosovës.
Prof. Dr. Beqir Ismaili kishte ftuar një numër të madh të politikanëve që për momentin janë qeveritarë kryesorë në Qeverinë e Egjiptit, në mesin e tyre ishte edhe Ahmet Fehmi Kryetarë i Odës së Lartë dhe të Ultë të Egjiptit. Gjithashtu në mesin e të ftuarve morën pjesë edhe mbi pesëdhjetë ambasadorë të ambasadave të huaja në Karo, në mesin e tyre ishte edhe ambasadorja e ShBA-së, Gjermanisë, Turqisë dhe Shqipërisë, dhe ambasadorë të shumtë nga shumë shtete të cilët ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Pastaj një numër shumë i madh i shkencëtarëve të formuar dhe kontribuues në Kajro, të cilët kishin kontribuar me artikuj të ndryshëm për gjendjen e Kosovës në Egjiptit, dhe një numër i madh i shumë institucioneve me ndikim të madh në Egjipt.
Kjo ceremoni ishte e organizuar në pritjen e mysafirëve nga ana e promotorit gjeneral Pr. Dr. Beqir Ismailit, të cilin e përqafonin ngrohtësisht dhe i uronin që falë angazhimit dhe demonstrimit të palodhshëm më se tridhjetë vite për Kosovën, sot erdhi një lajm se kjo njohje ishte në prag shumë të afërt. Pas pritjes së tyre ceremoninë e hapi Prof. Ismaili ku i përshëndeti dhe i uroi të ftuarit, duke i uruar edhe ata që kishin ardhë të ndanin këtë gëzim së bashku me popullin shqiptarë të Kosovës, më pas ai tha: “Ne sot e morëm një lajm shumë të gëzuar, lajm që na erdhi në ditën më të gëzuar të jetës sonë. Shpresojmë se kjo njohje do të ndodhë së shpejti dhe sërish do të tubohemi e të festojmë njohjen nga Egjipti, njohje që e presim me shumë kureshtje nga populli që na lidhin kultura dhe shpirti i njëjtë. Jam shumë i lumtur që shtetin tim arrita ta paraqes si shtet të formuar dhe të lulëzuar në mesin tuaj, por edhe më i gëzuar do të jem kur do të formoj dhe do të organizoj në të ardhmen marrëdhënie diplomatike dhe shtetërore në formën e lirë dhe demokratike, që do të lidhin në lidhje gërshete dy popujt me kulturë dhe civilizim të lashtë. Ai gjithashtu i përshëndeti të pranishmit në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në përcjelljen e përshëndetjeve dhe respektit të Ministrit të Jashtëm z. Enver Hoxhajt ju bëri me dije se Kosova dhe populli i saj çdo ditë e më shumë po shkojnë drejt zhvillimit dhe përparimit progresiv, ky shtet përditë po pasurohet me njohje të reja nga shtete të ndryshme botërore.”
Pas fjalimit të tij Profesor Beqiri, fjalën ia dha Kryetarit të Odës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit Ahmed Fehmit, me ç’rast ai tha: “Të nderuar pjesëmarrës ju përshëndes dhe popullit të Kosovës i uroj pesëvjetorin e pavarësisë. Këtij populli i uroj zhvillim dhe progres të mëtejmë, sepse populli i Kosovës ka përjetuar presion dhe mizori nga pushtuesi, prandaj edhe dha dëshmorë dhe sakrifikoi shumë derisa e fitoi lirinë dhe pavarësinë. Dhe së shpejti edhe Egjipti do të jetë në radhën e shteteve që e njohën Kosovën. Siç tha Prof. Beqiri Ismaili ky shtet gjatë këtyre pesë viteve ka bërë një zhvillim dhe progresivitet të fortë, është bërë shtet i pavarur dhe i plotfuqishëm, ky popull i respekton të drejtat e njeriut dhe popujve, një popull i cili respekton të drejtat e njeriut është i respektuar dhe nga popujt e tjerë. Pra Kosova do të jetë një shtet që vepron me drejtësi dhe i përmbahet të vërtetës.” Ishin këto fjalët përmbyllëse të Ahmed Fehmit, kryetarë i Odës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit.
Edhe gjatë intervistimit të këtyre personaliteteve morra përgjigje të mira dhe premtuese. Kryeparlamentari Ahmed Fehmi mbajti një takim me gazetarët me ç’rast u përgjigj në pyetjet që iu parashtruan atij nga gazetarët, ku edhe tha se ky lajm na gëzoi pamasë të gjithëve andaj kjo njohje nuk do të zgjasë shumë, shkëmbimi i delegacioneve mes nesh ka avancuar këtë proces dhe e ka afruar shumë. Kjo është bërë falë angazhimit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës në krye me ministrin Enver Hoxhaj dhe Prof. Dr. Beqir Ismailit, përfaqësues i Kosovës në Egjipt. Kjo njohje do të ndodhë shumë shpejt, Kosova e meriton këtë njohje shumë shpejt, unë isha në Kosovë para tre muajve dhe fitova bindjen se Kosova e meriton njohjen e saj nga Egjipti.
Deklaratën e mora edhe nga Abdurrahman Jusuf Kardavi, poet dhe revolucionar i shquar në Kajro, i cili tha se ne jemi popull që na lidh kultura e hershme, madje që nga koha e Mehmet Ali Pashës, këtë lidhje e kam kuptuar që në vitet e fillit të studimeve të mia, meqë kam studiuar letërsinë, e kjo nuk arrin për pa e mësuar historinë e qeverisjes së Egjiptit nga shqiptari Mehmet Ali Pasha, i cili e ndriti shtetin e Egjiptit.
Gjithashtu edhe ambasadorja e Amerikës në Egjipt e dha deklaratën e saj me ç’rast ajo u shpreh shumë e kënaqur nga ky organizim dhe nga lajmi i Ndihmëspresidentes se Kosova do të njihet shumë shpejt nga shteti i Egjiptit, ky lajm na kënaqi edhe neve që jemi miq të ngushtë të Kosovës.
Ndërsa gjatë intervistimit të Ambasadorit të Turqisë Hysejin Avni, ai më dha një përgjigje që nuk do ta harroja asnjëherë gjatë tërë jetës sime, ku më tha: “Sot morëm një lajm shumë të gëzuar por porosia ime për kosovarët është që mos të ngurrojnë shumë e të ngulmojnë me ngulm në këtë aspekt sepse bririn po ta lakosh shumë ai do të thyhet i tëri, andaj popullin tim vëlla dhe mik të Kosovës e porosis të durojë edhe pak në mënyrë që ti korri shumë shpejt frytet e këtij durimi të gjatë.”
Muhammed Ebu Ala Madi Kryetarë i Partisë El- Wasat më tha: “Sa herë që erdhi Ministri i Jashtëm z. Enver Hoxhaj, unë jam takuar me të me ç’rast edhe e falënderoj atë për këtë ardhje të tij në Egjipt, andaj si Parti e njohur me titullin “Partia El-Wasat”, gjithnjë kemi përkrahur çështjen e Kosovës dhe në momentin që jemi futur në Qeveri, Ministri i Jonë Muhammed Mahsub i angazhuar për “Kuvendin e Çështjeve Parlamentare”, që në ditën e parë kur e hapi zyrën e tij, në takimin e parë zyrtarë të tij e takoi Prof. Dr. Beqir Ismailin, përfaqësuesin e Kosovës në Egjipt. Para disa ditëve jam takuar me Presidentin Dr. Muhammed Mursi i cili më tha: “Në njohjen e Kosovës nuk ka më ndalje, ne jemi në rrugën e njohjes që do të realizohet shumë shpejt.”
Në këtë natë gjithashtu ishin edhe dy miq shumë të hershëm të Kosovës Prof. Dr. Muhammed Ebu Lejla dhe Abdullah Ashal, të cilët na thanë se ne ishim nga të parët që Prof. Dr. Beqir Ismaili na caktoi të vinim në Kosovë dhe të ishim nga negociatorët fillestarë të kësaj njohjeje, Prof. Dr. Muhammed Ebu Lejla tha: “Edhe pse ne me zemër ju njohëm, kërkojmë falje se ndoshta kjo njohje zyrtare u zgjat por do të vijë shumë shpejt, nuk do të zgjasë shumë, ne kontribuuam andaj padyshim një ditë do t’i korrim frytet së bashku”, ndërsa Abdullah Eshal, drejtor Gjeneral për të drejtat e Njeriut tha: “Kosova është vendi më i bukur, ajo në gjirin e saj e mban një popull me kulturë dhe një racë të bukur, këtë e kam cek edhe në artikullin tim të shkruar për Kosovën, shpresoj se së shpejti do të vijë kjo njohje dhe zyrtarisht.”
Hamdi Kandil, një publicist i shquar në media televizive dhe një nga figurat më të rëndësishme të organizatorëve të “Revolucionit të Pranverës Arabe”, një ish i burgosur politik person me shumë famë dhe ndikim në Egjipt dhe në Botën Arabe, na tha: “Më e rëndësishmja tani është se nga ana e Egjiptit kanë filluar lëvizja diplomatike në shkëmbim të delegacioneve, dhe së fundmi dërgimi i Ndihmëspresidentes Dr. Pakinam El- Sharkawi në Kosovë për të marrë pjesë në gëzimin e madh dhe në përcjelljen e saj të një lajmi sihariqdhënës, kjo u be meqë populli i Kosovës të përjetonte në një ceremoni dy gëzime, dhe prezenca e mbajtja e fjalimit nga ana e Kryetarit të Odës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit Dr. Ahmed Fehmi, janë argumente që Egjipti shumë shpejt do ta njohë Republikën e Kosovës. Në fund na tha se kjo njohje po vjen shumë me vonesë nga Egjipti, kur dihet se ka pasur mundësi ose ka qenë dashur të jetë shumë e hershme!”
Në mesin e kësaj ceremonie nuk mungonin as artistët më të shquar të Egjiptit, kësaj radhe morra opinionin e artistit dhe moderatorit të shquar të cilin mezi arrita ta ndaloja nga kërkesa e shumtë e admiruesve të tij që shfaqnin dëshirë të fotografoheshin me të, ai më tha: “Uroj Republikën e Kosovës, dhe uroj mikun dhe shokun tim të dashur përfaqësues të Kosovës, Prof. Dr. Beqir Ismailin të cilët arritën të festojnë pesëvjetorin e një shteti demokratik i cili gjithnjë e më shumë shkon drejt zhvillimit dhe ngritjes.”
Poashtu një nga biznesmenët më të mëdhenj dhe me ndikim në Egjipt, inxhinieri Talat Abdunnebbij, na tha: “E ndiej veten shumë krenarë që i bashkëngjitëm mikut dhe vëllait tim Prof. Dr. Beqir Ismailit që jam prezent në një tubim me motive të cilat kam qenë përkrahës gjatë gjithë jetës sime, si dhe na gëzoi dhe lajmi të cilën e dha Ndihmëspresindentja e Egjiptit pak më herët, lajm që ka qenë dashur të ndodhë më herët, por fatkeqësisht këtë përgjegjësi nuk e mbajmë ne populli i Egjiptit por ish Qeveria e cila na mbajti peng edhe neve më se pesëdhjetë vite.”
Në fund e pyeta Prof. Dr. Beqir Ismailin, se cila është përshtypja dhe opinioni yt, ai më tha: “Kjo është një ditë shumë me rëndësi, Egjipti krahas me Kosovën po e feston “Pavarësinë e Kosovës”, sepse Ndihmëspresidentja ka shkuar në Kosovë për të festuar së bashku me popullin shqiptarë, ndërsa me ne së bashku janë përfaqësuesit e Kryeministrit të Jashtëm të Egjiptit, ndërsa Presidenti Muhammed Mursi më mori në telefon dhe më kërkoi falje për mos gjetjen e mundësisë së tij për të marrë pjesë në këtë ceremoni madhore, me ndikim historik. Andaj kjo është një sinjal shumë i fortë se Egjipti së shpejti do ta njohë Kosovën.”
Në këtë manifestim si gjithmonë nuk mungonte as diaspora shqiptare, të cilët së bashku me mua i mundonte shumë përgjigja se kur do të jetë njohja finale nga Egjipti?! Këtë pritje finale dhe kuriozitet të tyre diaspora shqiptare me studentët shqiptarë në Egjipt u munduan ta shmangnin nga kujtesa e tyre duke hedhur valle nga tingujt burimore të muzikës shqipe e cila për herë të dytë po cicëronte në ambientet e këtij hoteli.
U larguam nga hoteli duke marrë me vete flamurin kosovarë por duke e lënë atë të gjallë në zemrat dhe mendjet e të gjithë arabëve, shqiptarëve dhe të ftuarve të pjesëtarëve të popujve tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version