Hyrje
Kur parashtrohet pyetja se si mbijetuan shqiptarët për një periudhë të gjatë pa pasur shtet, përgjigja që dëgjojmë më shpesh është se: ne mbijetuam falë gjuhës shqipe që e flasim. Ky argumentim nuk është krejt i pa baze, mirëpo, të thuhet se shqipja ishte faktor i vetëm i mbijetesës së shqiptarëve bien në kundërshtim me argumentet historike.
Shqipja jo gjithmonë e ka mbrojtur etninë shqiptare. Rasti i fundit mund të merret në rrethinën e Gostivarit apo me saktësisht në krahinën e Rekës, e ku kemi shqiptarë ortodoks që flasin shqip (edhe pse sot vetëm pleqtë) por që identifikohen dhe regjistrohen sllav, ndërkohë që në Gostivar apo Tetovë kemi shqiptarë që flasin turqisht por që janë, identifikohen dhe regjistrohen shqiptarë. (Shqiptarët ortodoks të asimiluar ishin apo janë të privilegjuar në Maqedoni pasi që ata e udhëhiqnin procesin e formimit të kombit sllav-maqedon nga popullata bullgare e Maqedonisë. Ky mision iu besua atyre nga pushtetarët serbë pasi që ata kishin besim te këta siç i quanin “serb arnautfolës”). Rast të ngjashëm po ashtu kemi te disa fshatra myslimane në rrethinën e Strugës apo të Kërçovës, e ku banorët flasin sllavisht por identifikohen dhe regjistrohen shqiptarë. Prandaj për rastin e Maqedonisë me siguri të plotë mund të thuhet që feja Islame ndikoi në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të etnisë shqiptare, përderisa nëpërmjet fesë Krishtere është asimiluar pothuajse i gjithë komuniteti ortodoks shqiptar i Maqedonisë.
I njëjti fenomen ndodhi edhe në Çamëri, e ku shqiptarët mysliman e ruajtën gjuhën dhe etninë shqiptare falë fesë së tyre, përderisa çamët ortodoks u asimiluan në grek; dhe jo vetëm ate, por ata e dhanë kontributin e tyre për dëbimin e çamëve mysliman pas LDB dhe sot i kanë uzurpuar pronat e tyre. Ndikimi i Islamit në ruajtjen e shqipes dhe të etnisë shqiptare nuk vlen vetëm për periudhën e fundit siç e pamë në shembujt e lartpërmendur, por në të vërtetë mbijetesa e shqiptarëve dhe e gjuhës shqipe ishte rezultat i dominimit disa shekullor të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe përqafimit të fesë Islame nga shumica e popullit shqiptarë. Se ky përfundim është i qëndrueshëm mjafton të përkujtojmë shqiptarët ortodoks të Greqisë (arvanitasit), të cilët edhe pse flisnin shqip dhe ishin të lirë, e pranuan kombësinë dhe gjuhën greke. Ndikimi i fesë Islame në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të etnisë shqiptare nuk mund të thuhet se vlejti për të gjithë shqiptarët, pasi që shqiptarët e migruar apo të dëbuar në Turqi edhe pse ishin mysliman ata u asimiluan në turq. Kjo nënkupton që ndikimi i Islamit në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe etnisë shqiptare ishte i kufizuar vetëm në trojet shqiptare.
Këta shembuj janë argumente të mjaftueshme që dëshmojnë për sfidat e kombit shqiptar që vinë si rezultat i ndasive fetare në mes shqiptarëve. Për ta kuptuar më thellë këtë fenomen duhet që të gërmojmë në historinë shqiptare për të gjetur disa përgjigje për ta kuptuar më mirë situatën tone të sotme.
Përmbajtje
Pasi që u shpall për prift nga Peshkopi rus në New York, Fan Noli shkruante: “U-muar vesh më-së-fundi se është më lehtë të bësh pes çudira më njërën dorë dhe gjashtë mrekulla me tjatrën, se sa t’ u-ndryshosh fenë pesë Shqipëtarëve në këtë kohë.” Noli e dha këtë konkluzion pasi që ishte bindur se përpjekjet për konvertim të shqiptarëve kishin dështuar. Por a kishte pretendime në atë kohë për konvertim fetar të shqiptarëve? Kuptohet që po, pasi në të kundërtën thënia e Nolit nuk do të kishte asnjë kuptim. Në fillim ishin misionarët e huaj të krishterë, pastaj vetë shqiptarët e krishterë, arbëreshët, dhe më vonë edhe nga vetë radhët e myslimanëve shqiptarë ata që përpiqeshin për konvertim të shqiptarëve.
Për konvertimin e shqiptarëve më shumë investonte propaganda greke dhe më vonë edhe ajo austriake. Propaganda greke udhëhiqej nga vetë shqiptarët ortodoks apo edhe nga arbëreshët. Propaganda greke investonte posaçërisht në konvertim të shqiptarëve mysliman në ortodoks. Shkak i përpjekjeve greke ishte pengesa që u bënin shqiptarët mysliman pretendimeve greke për zgjerim territori në dëm të Perandorisë Osmane dhe për formimin e Greqisë së Madhe. Në fakt, grekët, kundërshtar kryesor nuk i kishin turqit por i kishin shqiptarët mysliman, të cilët vërsuleshin të parët kundër tyre kur kishin ndonjë konflikt ushtarak me ta. Propaganda greke e ndërmerrte iniciativën për konvertim, e bindur se grekët dhe shqiptarët mund të bashkëjetonin. Ajo kishte përvojën me shqiptarët ortodoks (arvanitasit), të cilët ishin besnik të Greqisë dhe kishin pranuar helenizmin. Prandaj ata me të drejtë besonin se nëse edhe shqiptarët tjerë konvertoheshin në ortodoks, ata automatikisht do ta pranonin edhe helenizmin. Grekët e mbështetnin kuptimin e kombit në fenë ortodokse dhe prandaj shqiptarët ortodoks i konsideronin grek. Shqiptarët ortodoks po ashtu e konsideronin veten pjesë e kombit grek. Kjo ishte dhe arsyeja se pse shqiptarët ortodoks u rreshtuan së bashku me grekët në rebelimin kundër Perandorisë Osmane në vitet 1821-32. Mirëpo në atë kohë Perandorin Osmane në Ballkan e mbronin shqiptarët mysliman dhe prandaj gjatë atij rebelimi u ndeshën shqiptarët në mes veti. Për këtë ngjarje Sami Frashëri shkruante: “Në syt të botësë lëftoninë Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtet lëftoninë Shqipëtarët e-krishtenë me Shqipëtarët myslimanë. […] po gjaku që derdhesh nga të dy anëtë ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, […].” Përderisa ish kryeministri i Shqipërisë Mehdi Frashëri shkruante se shqiptarët jo vetëm që u rreshtuan të luftonin së bashku me grekët për çështje të helenizmës, por ata ishin edhe iniciatorët e rebelimit: “[…]filloj dhe kryengritja Greke në 1821 ditën e Vangjelizmojt. Që nga kjo dit e pastaj ortodoksët e Toskëris, si Grekofon ashtu dhe Shqiptarë përqafuan çështjen e Helenizmës. Sidomos ortodoksët Shqipëtarë me trimërin e shkëlqyer të tyne ringjallën Helenizmën që kish vdekur prej shekujsh.” Për dallim prej tyre, Vaso Pasha, që edhe ai ishte zyrtar i lartë i shtetit osman, pjesëmarrjen në luftë të shqiptarëve ortodoks në anën e grekëve e shpjegonte me faktin se në atë kohë nuk kishte lindur ende ideja kombëtare te shqiptarët dhe prandaj ata kapedan shqiptarë që luftonin së bashku me grekët kundër shqiptarëve mysliman e konsideronin atë luftë si luftë fetare: “Lufta e indepandencës Greke në fillim nuk mund të merej parasysh prej këtyre kapedanëve Shiptarë të reptë si një luftë kombtare, por më tepër konsiderohej një luft fjesht fetare; ishin kristianë luftuan kontra muslimanëve. Ishte Kryqi që luftonte kundra hënës […]përfunduan duke i thënë vetes “helen” edhe duke marë nasionalitetin e tyre.” Nga citati i lartpërmendur po ashtu kuptojmë se ata shqiptarë me dëshirë e pranuan kombësinë helene. Asimilimin e shqiptarëve në grek e mundësoi edhe kushtetuta e parë greke, e cila nuk e lidhte kombësinë me gjuhën greke por me fenë krishtere ortodokse. Prandaj dhe artikulli i dytë i Kushtetutës Provizore të Greqisë e shpallur nga parlamenti grek më 1 janar 1882, grekun e definonte si vijon: “Ata banor vendas të shtetit të Greqisë, që besojnë në Krisht, janë grekë dhe i gëzojnë pa asnjë dallim të gjitha të drejtat civile.”
Debati për fenë e shqiptarëve dhe vështirësitë që sillte dallimi fetar i tyre filloi menjëherë me fillimin e procesit për formimin e ndjenjës kombëtare shqiptare. Për këtë çështje filloi që të polemizohej edhe në shtypin e kohës dhe një nga iniciatorët për këtë polemik ishte Faik Konica, i cili ndante hapësirë që të polemizohej në revistën Albania. Edhe Faik Konica kishte mendimin e tij për këtë tematik dhe shkruante se fetë i ndanin shqiptarët: “Sot, si die, feja – në vent që të jetë një ruge, qi, më tepër e mirë këtu e më pak e mir aty, i goditi secilitdo për t’ u-larguar njëri prej tjetrit,[…].” Konica nuk shkruante vetë për këtë çështje, por ai i botonte edhe shkrimet e bashkëpunëtorëve, të cilët përpiqeshin që të shpjegonin se kombësinë nuk e përbënte feja por gjuha dhe se shqiptarët duhej t’i tejkalonin dallimet fetare që i kishin në mes tyre. Po tek kjo revistë Mit’hat Frashëri në një artikull shkruante: “O Shqipëtarë të krishter a muhamedanë! Hapni sytë: Jini vëllezër, o të mjerë! Kini qenë gjithënjë Shqipëtarë, e vetëm feja u është ndëruar, po jini një gjak, një fëmijë. Pse rrini si të ndarë! Sa turp i madh!” Mirëpo kjo polemik që filloi tek revista Albania, nxiti kritika dhe dyshime për qëllimin e botimeve të këtyre shkrimeve. Të ndeshur me kritikë negative, Faik Konica përkohësisht i ndërpreu botimet e shkrimeve me tematikë fetare. Këtë vendim të tij ai e lajmëroi në një artikull, e ku në mes tjerave shruante: “Këtej e tutje, e përkohëshmia (F.D. revista Albania) lëshon mb’anë Perendinë, shëntët, ungjillit, kishërat, xhamirat, priftëritë dhe oxhallarëtë tok![…] Pa që nga i treti numri, këndonjësit s’do të gjejnë fjalë feje as për të mirë as për të ligë.” Në fakt ai nuk iu përmbajt vendimit të tij, pasi çështja fetare e shqiptarëve vazhdonte t’i preokuponte “nacionalistët” shqiptarë. Në revistën Albania vazhduan të botoheshin edhe letra nga lexuesit, e që shkruanin për ndasitë fetare në mes shqiptarëve. Njëri prej tyre shkruante: ”Un di që në disa qytete në Gegënië, myslimani të kshtenin e ortodoksin, si edhe kta ate, e këqyrin njëni tjetrin si me kenë armiq të vjetër, e jo se janë vllazën të nji gjuhet e nji gjakut. Kjo punë asht nji marre, se duhet me kenë të gjithë me nji mend e mos të kujtojnë se janë të damë në fe, pra duhet me kenë të damë edhe në komnië.”
Për t’u thelluar në problematikën e propagandës për konvertimin e shqiptarëve, është me rëndësi që të analizohen dy shkrime, njëra nga Faik Konica dhe tjetra nga Fan Noli, e që u botuan te revista Albania në një distancë kohore gjashtë mujore. Të dy ato shkrime iu drejtoheshin kryesisht shqiptarëve ortodoks. Në shkrimin e Konicës aktualizoheshin problemet që sillte ndasia fetare e shqiptarëve dhe ai jepte alternativa për zgjidhjen e këtyre problemeve. Në atë shkrim ai preokupohej me rreziqet e fesë ortodokse dhe myslimane për asimilimin e shqiptarëve dhe prandaj shkruante: “Këto dy fe kanë një karakter aq politik dhe të huaj, sa duket sikur nukë munt t’i praktikoj njeriu me gjithë zemrë pa u-çkombësuar.” Ai propozonte që ortodoksët shqiptar ta ndërronin fenë e tyre për arsyeje politike: “Me të nderuar fenë, Shqiptarët orthodoksë do të ndrojnë edhe vlerën e Shqipëriës në balancë të botës politike”. Në po atë shkrim, F.K. shqiptarët mysliman i ndante në shqiptarë mysliman gegë dhe shqiptarë mysliman toskë, përderisa shqiptarët ortodoks i ndante në ato që janë ç’kombëtarizuar dhe në ato që kanë ndjenja kombëtare. Për shqiptarët mysliman ai shkruante: “Muhamedanët gegë duken shumë të nxehtë dhe munt të mbeten dhe shumë kohë besnik t’islamismit. Po është e ditur dhe nuk është nevojë që të fshihet që të vetë-thënët muhamedanë të Toskëriës kanë qenë kurdoherë të ftohtë për islamizmin,[…]”. Në këtë konstatim të Konicës ndoshta dhe kishte pak dozë vërtetësie, pasi siç parashihte dhe ai vetë, pjesa më e madhe e gegëve mysliman deri në ditët e sodit pa u lëkundur i mbetën besnik Islamit. Mirëpo, shkrimet e asaj periudhe të Konicës duhet gjithmonë analizuar duke pasur parasysh që ai ishte propagandist i Austro-Hungarisë, dhe në shkrimin në fjalë ai bënte propagandën austriake. Sot është e dokumentuar që Austro-Hungaria nuk kishte interesa në pjesën më të madhe të Gegërisë, pasi në marrëveshje paraprake me Serbinë, Vilajetin e Kosovës ia kishte lënë asaj në rast se do të largohej dominimi osman nga trojet shqiptare. Konica në po atë shkrim i ftonte ortodoksët e Shqipërisë që të ndërronin fenë pasi që toskët mysliman do t’i ndiqnin ata kur do të “vetëdijesoheshin” se e kishin pranuar Islamin nga shtrëngimi, dhe prandaj shkruante: “ Se kur kupton tjatëri se stërgjyshërit e tij u-shtrënguan t’a përqafojnë me pahir islamizmin, i mbin nga dalë në zemrë – edhe pa e ditur vetë – dëshira të çbëjë atë që bëri forca[…] Po ditën që do të jenë të lirë të bëjnë ç’të duan, ç’udhë do të marin? Forca, ndëreshti, zakoni, i mbajnë sot të lidhur te islamizmi. Kur të mos jenë më të forcuar, kur mos të kenë më nonjë fitim të veçantë nga Turqia, dhe kur mendia t’u mësohet pakë nga pakë t’a shohin krishterimin me sy tjera, a nuk do të jenë qindra mij Toskë qi do të duan të këthehën të feja e stërgjyshërve të tyre? Në shkrimin në fjalë, Konica përmendte edhe dëshirën e shqiptarëve ortodoks për t’u ndarë prej Kishës greke dhe të themelonin të tyren. Përmendte propozimet e të tjerëve, që kisha shqiptare pasi të ndahej prej asaj greke t’i bashkohej Kishës rumune apo për propozimet e disave, sikur Kristo Dako, që përpiqeshin t’i konvertonin në protestant ortodoksët e Shqipërisë. Por ajo çka potenconte Konica dhe që sipas tij ishte alternativa më e mirë e shqiptarëve, ishte që shqiptarët ortodoks të bëheshin unit (të bashkoheshin me Vatikanin por të mbeteshin ortodoks). Ky konvertim, sipas tij, me automatizëm do të sillte mbrojtjen e shqiptarëve ortodoks nga Austro-Hungaria dhe shkruante: “Munt të them me vërtetësië se, sikur Austria të kish nënë mprim të saj, përveç katolikëve, edhe nj’a tre-qint mij unit të Toskërisë, përparimi i Kombit tonë do të kish arritur në një shkallë shumë të lartë”. Konica me këta propozime, vetëm që i shprehte qëllimet e politikës së jashtme të Austro-Hungarisë, të cilët kishin në plan që pas aneksimit të Bosnjës të aneksonin edhe Toskërinë për të dalë në portin e Selanikut. Konvertimi i toskëve ortodoks dhe mysliman dhe marrja nën mbrojtje kulturore të tyre nga Austro-Hungaria, me siguri që do t’ia lehtësonte punën shumë A-H për realizimin e planeve të saja. Austro-Hungarinë e shqetësonte ndikimi i ideologjisë pan-ortodokse që mund të kishte mbi popullatën ortodokse të Shqipërisë dhe planet e Rusisë për dominim të Ballkanit. Prandaj në një shkrim më të hershëm Konica shkruante: “Qëllimi i Rusisë është t’a sllavësoj Ballkanin e tërë, e më në funt t’a shtierë në dorë, e, duke arrirë n’ato anët e bukura të Shqipërisë q’i reh deti, të bëhet e zonj e Miesdetit a Mediterranesë”.
Në shkrimin tjetër të shkruar te revista Albania nga Fan Noli, ai i informonte ortodoksët shqiptarë se e kishin themeluar Kishën Autoqefale Shqipe në Boston (ShBA). Noli me këtë rast kundërshtonte Faik Konicën dhe të tjerët në përpjekjet e tyre për përhapjen e bektashizmit ndër myslimanët dhe të unitismit ose protestantizmit ndër të krishterët, e që sipas disave “nacionalistëve” shqiptarë ajo ishte udha më e mirë për bashkimin e shqiptarëve. Noli shprehte besim në fetë ekzistuese të shqiptarëve dhe shkruante: “Jam pra i mendjes që priftër dhe hoxhallarë të mirë do t’i ndreqin punët e Shqipëriës,[…].” Noli ndante mendimin se debati për konvertimin e shqiptarëve e kishte dëmtuar procesin e formimit të kombit shqiptar pasi që: “[…] emëri “Shqipëtar” arriu në këtë kohë të lumur të rrëfejë një njeri pa fe, që ka vrarë Perendinë, që ka shkelur zakonet e shtërgjyshërve, që ka dalë jasht kanunit të Lek Dukagjinit, “Faromason” që thethin gjak njeriu.[…] dhe populli, i cili nukë kuptonte përse njeriu lypset të ndrojë kaq gjëra që të bëhet “Shqipëtar”. Noli, në shkrimin në fjalë shpjegonte se e kishte marrë iniciativën e ndarjes së Kishës Shqipe nga Patriarkia e Stamabollit për shkak të injorimit që i bënte ajo gjuhës shqipe: “Ca peshkopë grek na e kanë mallkuar gjuhën[ …] mallkimi i gjuhës Shqip s’qe një nga urdhrat e Krishtit, po një dinakërië e poshtër e politikës Greke”.
Në shkrimet e lartpërmendura të Konicës dhe Nolit, përveç se kishte dallime në qasje të çështjes fetare shqiptare, po ashtu kishte edhe dallime në qëllimin që duhej të arrihej nga veprimet apo propozimet e tyre. Konica shkruante për treqind-mijë ortodoks shqiptarë që duhej të konvertoheshin, përderisa Noli shkruante për një milion e sipër ortodoks shqiptarë që duhej të inkorporoheshin në Kishën Autoqefale Shqipe. Parashtrohet pyetja se si ishte i mundur ky dallim i madh për numrin e shqiptarëve ortodoks që e jepnin ata për periudhën e njëjtë? Dallimi qëndronte, pasi sikur që e përmendëm më lartë, F.K. shqiptarët ortodoks i ndante në të ç’kombëtarizuar dhe në ata që kishin ndjenja kombëtare. Konicën nuk e preokuponin në të vërtet vetëm ata ortodoks që kishin ndjenja kombëtare pasi ai ishte i vetëdijshëm që në atë kohë nuk kishte në të vërtet ndonjë dallim të madh ndërmjet ortodoksëve shqiptarë, mirëpo Austro-Hungaria nuk shfaqte interes për aneksimin edhe të Greqisë (ku banonin sipas F.K. ortodoksët e ç’kombëtarizuar) por vetëm për Epirin apo Toskërinë. Nga ana tjetër, Noli nuk i ndante shqiptarët ortodoks, qofshin ata në Greqi apo në Perandorin Osmane. Sipas të gjitha gjasave kjo ishte dhe arsyeja se pse ai kishën që e themeloi e quajti Kisha Autoqefale Shqipe dhe jo Shqiptare. Noli dhe bashkëpunëtorët e tij ishin të vetëdijshëm që jo vetëm arvanitasit por edhe ortodoksët shqiptarë në Perandorin Osmane identifikoheshin helen shqipfolës, e jo shqiptarë.
Vendimi dhe iniciativa e Nolit për ndarjen nga Patriarkia nuk u pranua me lehtësi nga popullata ortodokse shqiptare, e cila ishte besnike e saj. Polemikat për veprimin e Nolit vazhduan një kohë të gjatë në shtyp. Në një polemik me një grekoman, Noli e arsyetonte veprimin e tij dhe shkruante: “Thuani se kisha na e mbajti fenë. Po atëherë si u bënë mysylman shumica e shqiptarëve?Mos do na thoni nga shtërngimi? Po historia na thotë që u banë nga padija, se kleri i Kishës së Madhe kurrë s’u përpoq t’ua tregoj ç’është feja kristiane. Pastaj keni paturpsin të na thoni se kisha na ruajti gjuhën dhe kombësinë. Po atëherë si mysylmanët shqiptarë e ruajtin gjuhën dhe kombësin e tyre?”
Nuk ishte vetëm revista Albania që botonte artikuj për çështjen fetare të shqiptarëve. Artikuj të tillë mund të gjenden thuajse në të gjitha gazetat “shqiptare” të asaj kohe. Në një shkrim të vitit 1908, Çajupi iu drejtohej shqiptarëve mysliman në përgjithësi dhe anëtarëve të Klubit të Selanikut në veçanti, duke shkruar që ata duhej të bënin konvertim kulturor e jo medoemos edhe fetar që të bëheshin evropian. Ai e botoi atë shkrim pasi që ishte dëshpëruar pas një vizite që ia kishte bërë Klubit në fjalë të kryesuar nga Mit’hat Frashëri. Në atë takim, për anëtarët e klubit ishte mbajtur një ligjëratë nga Mehdi Frashëri, i cili në atë kohë ishte zyrtar i lartë i Perandorisë Osmanë. Çajupi, në atë rast ishte irrituar nga ligjërata e Mehdi Frashërit dhe nga sjellja e anëtarëve të klubit, prandaj dhe shkruante: “Mos na thuani tjetër herë se ini shqipëtarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se ç’ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t’u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk’ e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve, mirrni qytetërimin t’Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet. Nukë them ndëroni besën jo! Po të ndërroni mendjen, të mejtoni dhe të silli si perendimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes t’ Evropësë.”
Përderisa disa “nacionalist” shqiptarë përpiqeshin në konvertim fetar apo kulturor të shqiptarëve, disa të tjerë thërritnin për forcim të shqiptarizmës duke u rebeluar ndaj klerikëve fetarë. Një i tillë ishte edhe Hil Mosi, i cili në vjershat e tija shkruante:
Jem krishten e myslimana
Mir nër vedi kurr nuk jem,
[…] kqyre priftin, hoxhën, popin…
Se si gjuhën t’a mallkojn
E plancukun t’vet e ngopin
E shqyptart kta qej durojn.
Në një vjershë tjetër Hil Mosi shkruante:
Jam n’dyshim, tuj pa si feja
Vllaun prej vllaut asht tuj da
Njerz e huj me rrena t’reja
Tash na shtin për m’u përla
Jam n’dyshim se shqiptarizmi
Ma përpara s’ka me shku’
Se po shifet fanatizmi
Si shqyptart i ka qorru.
(vijon)