Pas ankesës së Federatës serbe, është deklaruar Federata botërore e futbollit, e cila pohon se Kosova ka respektuar në tërësi modalitetet.
Pas ndeshjes së 5 marsit në Mitrovicë, ndërmjet Kosovës dhe Haitit, Federata serbe e futbollit (FSS) i kishte dërguar një letër proteste FIFA-së duke potencuar se Federata e futbollit e Kosovës nuk ka respektuar modalitetet e caktuara më 10 janar për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.
I saktësuar ka qenë reagimi i djeshëm i FIFA-së nëpërmjet zëvendës-sekretarit të saj të përgjithshëm, Michael Kattner i cili ka potencuar se Kosova ka respektuar të gjitha modalitetet e parashikuara me marrëveshjen e 10 janarit të këtij viti.
“Jemi të befasuar me ankesat që kemi marr në letër që po iu referohemi… Në letrën e juaj thuhet se nuk është respektuar pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit. Në pikën e dytë thuhet se FFK-ja nuk mund të vendos simbolet kombëtare (flamuri, emblema etj) ose himnin kombëtar. Sidoqoftë, ata janë të lejuar të bartin emrin Kosova në fanella dhe yllin”, thuhet në letrën e FIFA-së dërguar Federatës serbe, një kopje e së cilës i është përcjellur edhe FFK-së, e cila ia ka shpërndarë medieve.
“Pas shikimit të detajizuar të letrës tuaj dhe bazuar në raportin e delegatit të FIFA-së që ka vëzhguar këtë lojë, mund të iu konfirmojmë se delegati i FIFA-së siguron që pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit është vëzhguar. FIFA sqaron se emblema e FFK-së e vendosur në fanella, nuk dëshmon simbol kombëtar të Kosovës. As FFK-ja as FIFA në asnjë mënyrë nuk kanë shkelur marrëveshjen e 10 janarit”, thuhet në letrën e FIFA-së. /Sporti1