Categories
Opinione

Flet "djadhtas" e vepron "majtas" dhe anasjelltas

Politikat ekonomike, gati më mirë se çdo “buqetë” tjetër politikash pasqyrojnë ideologjitë e elitave qeverisëse. Në këtë aspekt, vështirë mund të gjejmë shtete në regjion që pasqyrojnë konsistencë ideologjike në përputhje me profilin përkatës të cilit i takojnë. Të djathtët duhet t’i referohen individit, tregut, pronës, tatimit të ulët (regresiv ose proporcional), kapitalit, profitit, investimeve kapitale… përderisa të majtët t’i referohen grupit-kolektivit.
Në funksion të përgatitjes së kësaj analize u desh të konsultoj burimet e informacionit zyrtar për programet ekonomike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit pjesërisht. Ueb-faqet zyrtare të tyre shprehin dallime shumë sinjifikuese në mënyrën si janë dizajnuar dhe strukturuar informacionet. Kjo mbase në shikim të parë mund të duket jo e rëndësishme, por në esencë flet shumë për strukturën dhe profilin e ideologjive politike të elitave qeverisëse.
Tirana zyrtare ka një qasje “anglosaksone” – fillojnë me informacione sintetike dhe kornizë përcaktimore me një thjeshtësim dhe reduktim fjalësh, por me përmbajtje dhe mesazh të qartë për përcaktimet programore. Nga e përgjithshmja kah e veçanta, nga përcaktimet strategjike dhe programore kah ato konkrete e sektoriale, nga vlerësimi i deritanishëm i modelit ekonomik në një paralajmërim të kërkimit të një modeli të ri. Duke “klikuar” në klasteret e përgjithshme të programeve përcaktimore, mund të futemi në “thellësi” të sektorëve dhe projekteve konkrete. Ky stil i dizajnit i ngjan më shumë të djathtës sesa të majtës që sapo e ka marrë qeverisjen. Megjithatë, të shpresojmë në përmbushjen optimale të përcaktimeve, edhe pse vota e fundit në Korçë i zbehu shumë premtimet e kryeministrit për votë të lirë dhe demokratike! Edhe më keq ai kaloi me dështimin e “PO-së” së parë ndaj partnerit strategjik SBBA-së. Mbase e kishte bërë llogarinë pa hanxhiun!
Diametralisht ndryshe është dizajnuar struktura e informacioneve ne ueb-faqen e qeverisë së Prishtinës – në mbi 10 klastere informacionesh – diku kah fundi gjenden “dokumentet” strategjike, ku janë spostuar strategji dhe përcaktime programore me qindra faqe, që nga zhvillimi ekonomik e njerëzor, qeverisja e mirë e deri te mirëqenia sociale. Një det i tërë dokumentesh, për të cilat ju duhen disa orë që të orientoheni në atë që e kërkoni. Duke “dashur” të promovojnë transparencë maksimale, kanë ofruar një mal me dokumente formale dhe “eja e lexo po pate kohë”! Dizajn shumë deklarativ, fjali të stërgjata dhe pa fokus konkret, populizëm verbal i shprehur në kohën e ardhshme (më shumë stil futuristik “do të…” sesa praktik), që e gjithë kjo t’i ngjajë më shumë një ideologjie majtiste, edhe pse “djathtistët” po e qeverisin vendin!
Rezultati i zgjedhjeve lokale, posaçërisht në ballafaqimin e parë kur maten forcat e çdo subjekti, mori “kartonin e verdhë”, që ishte mesazh se ka ardhur koha të konsolidohet në opozitë! Ata vështirë do ta mbijetojnë betejën e radhës për të mbetur në krye të qeverisjes, posaçërisht nëse vazhdojnë me ketë stil të qeverisjes.
Shkupi zyrtar nga ky aspekt ia kalon edhe Prishtinës! Në ueb-faqet zyrtare gjeni çdo gjë që s’duhet, por shumë pak informacione të nevojshme për publikun dhe shkencën. Ka kohë që FMN-ja bën apel për transparencë fiskale, por qeveritarët vazhdojnë me avazin e tyre.
Në emër të ideologjisë djathtiste (përveç disa përjashtimeve minore të politikave deklarative tatimore), veprohet me majtizëm ekstrem. Asnjëherë si sot s’ka qenë kaq e gjatë lista e shfrytëzuesve të asistencës sociale, lista e pranuesve të subvencioneve bujqësore, turistike dhe shërbimeve publike. Bile, edhe konkurset e punësimeve të fundit për qindra persona me aftësi të kufizuara po inkuadrohen ne shtigjet e xhunglës – në ndërmarrjen e pyjeve! Vaj halli për këto fate njerëzish që vështirë gjenden në “pista të pastra” e lëre më nëpër pyje! Pse nuk i punësuam në kryeministri (siç po bën, për shembull, z. Rama) apo në telekomunikacion, energjetikë e gjetiu, por pikërisht në pylltari? Është ky kulmi i demagogjisë dhe perversitetit populist vetëm për efekte elektorale.
Politikat ekonomike, gati më mirë se çdo “buqetë” tjetër politikash pasqyrojnë ideologjitë e elitave qeverisëse. Në këtë aspekt, vështirë mund të gjejmë shtete në regjion që pasqyrojnë konsistencë ideologjike në përputhje me profilin përkatës të cilit i takojnë. Të djathtët duhet t’i referohen individit, tregut, pronës, tatimit të ulët (regresiv ose proporcional), kapitalit, profitit, investimeve kapitale… përderisa të majtët t’i referohen grupit/kolektivit, korrigjimit të tregut/shpërndarjes, tatimeve rritëse (progresive), mirëqenies sociale, kujdesit shëndetësor, subvencioneve zhvillimore, qendrave rurale… etj. Të gjitha këto janë të matshme dhe përcaktuese për dallim prej frazave deklaruese të politikave të tjera lidhur me të drejtat e njeriut për jetë dinjitoze. Prandaj nga ky aspekt duhet të analizohet konsistenca e politikave të zbatuara në krahasim me ato të deklaruara.
Në këtë aspekt, gjithnjë sipas gjykimit të politikave të caktuara, po përpiqem ta pasqyroj amzën (e pjesërishme) e profilit politik të elitave qeverisëse të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës:
Sigurisht që këto kualifikime është vështirë të elaborohen në detaje, por sa për të elaboruar logjikën e gjykimit, ja disa interpretime:
Së pari rasti i qeverisë “djathtiste” të Gruevskit – vetëm te prona (mbase deklerativisht) ka qenë më respektues (me shumë ka denacionalizuar krahasuar me tjerët), kurse te tatimet e konvertoi sistemin progresiv ne atë proporcional (një normë). Pra, nga 11 lloje politikash vetëm në dy prej tyre (apo 1,5) identifikohet si djathtist. Përcaktimi për individ ose grup mbetet miks, sepse krijon individë dhe elita të reja individuale në shtresimet kapitale të shoqërisë, duke ruajtur “shtresat sociale” përmes përpjekjeve gjithnjë më të mëdha të shpërndarjeve sociale gjithnjë për efekte elektorale. Ai kujdeset për kapitalin e individëve të caktuar, por jo të gjithëve – pra nuk është konservator, por më shumë konjuntural, duke krijuar “kapitalistë” të rinj në shoqëri. Në pesë politika bazike ai është majtist i skajshëm, duke filluar që nga tregu të cilin e ka “prishur” duke ndërhyrë me punëdhënie, konsumi publik joproduktiv, shpërndarja e subvencioneve bujqësore përkundër efekteve rënëse ekonomike, shëndetësia masive (për të gjithë dhe askënd!), arsimi me masë – përfaqësim (mbi 97%) dhe në çdo fshat, së paku nga një program studimor ose fakultet (edhe socializmi do t’ia kishte zili), rishpërndarja për projekte rurale dhe elektorale, pavarësisht efiçiencës ekonomike, pra të gjitha këto politika majtiste (dhe jo vetëm) e karakterizojnë “djathtistin” e Maqedonisë.
Së dyti, rasti i qeverisë majtiste të Ramës – edhe pse promovon përcaktime deklarative majtiste, aty dominojnë politikat mikse, sepse për të kaluar nga e “djathta te e majta” natyrisht duhet të kalohet nëpër qendër! Kjo, kuptohet, e shprehur figurativisht, por mendoj se ai do ta ketë vështirë të bëjë kthesa të mëdha! Është herët për gjykim veprimesh, por programet i ka gjysmë të majta, sepse në çdo përcaktim programor, p.sh. tatimet, borxhi publik, shëndetësia, arsimi… etj., niset nga vlerësimi i gjendjes ekzistuese duke kërkuar “mirëkuptim” për kthesat e vështira! Në disa aspekte, si p.sh. subvencionet sociale, rritja e pagave në sektorin publik dhe e pensioneve, pastaj në shëndetësi e arsim masiv, as që ka nevojë të bëjë kthesa, sepse i ka gjetur skajshmërisht të majta, andaj ndoshta do të nevojitet korrigjim për zbutjen e majtizmit ekstrem! Sipas indikatorëve të zhvillimit të Bankës Botërore, në vitin 2012 nga gjithë regjioni vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë mbetur në nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta të mesme, përderisa Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina e kanë kaluar nivelin e vendeve me të ardhura të sipërme të mesme, nivel që Shqipëria dhe Kosova do duhet ta arrijnë në vitin 2020! Por, kjo është Banka Botërore, që punon me sistem “anketimi dhe perceptimi”, sepse jeta reale nuk reflekton këtë, së paku jo për Shqipërinë! Kjo e fundit si duket ka harruar ta konvertojë edhe indeksin e ekonomisë informale në të ardhurat reale që pikërisht për këto dy vende është më e larta në regjion (mbi 40% karshi Maqedonisë me rreth 25% e PBB-së vendore).
Së treti, rasti i qeverisë djathtiste të Thaçit – politikat tij kanë “ekuilibër” midis majtizmit dhe të mesmes, kurse djathtizmi (i rastit) shprehet në nivelin e ulët ekstrem të borxhit publik dhe shëndetësisë minimale publike! Por, të dyja këto politika kanë sinergji komplementare – shpejt mund ta sjell borxhin në “të djathtë”, duke investuar në shëndetësinë publike – së paku atë elementare ose primare (kujdesi shëndetësor). Me majtizëm të shprehur duken politikat rurale dhe ato të rritjes së pagave dhe pensioneve, që janë shumë të ngjashme me “shkollën” e Gruevskit! Tatimet janë më të “majtat” në regjion, kjo si vendi i fundit që e ka ruajtur sistemin progresiv (të shkallëzuar) tatimor dhe me shumë të drejtë, mendoj unë! Politikat e tjera mikse janë një “përzierje” autoktone, ashtu si kanë qenë edhe përbërjet qeveritare! Mbase me të drejtë, fokusi i qeverisë ka qenë shtetbërja e Kosovës dhe më pak aspekti i politikave ekonomike. Nëse do të ndjekë sinergjinë dhe komplementaritetin harmonizues me politikat ekonomike të Shqipërisë, siç paralajmëroi vetë kryeministri Rama në vizitën e parë të jashtme në Prishtinë, aty mund të ketë përmirësime të dukshme të performansës ekonomike. Parakushti kryesor është lufta kundër korrupsionit dhe shteti i së drejtës – shumë kursime kosovare në diasporë do të kthehen të investohen në vendlindje, atëherë kur atje do të funksionojë ligji dhe drejtësia.
Është koha e fundit që ekonomia ta marrë prioritetin dhe politikat të harmonizohen ose, më mirë thënë, konvergjenca ta zëvendësojë divergjencën në këtë proces. Politikat zhvillimore të Shqipërisë duhet të konvertohen në ato të shqiptarisë. Dhe, kësaj “valle” z. Rama, së paku deklerativisht, ia ka filluar! Edhe në teorinë ekonomike është i njohur efekti i “derdhjeve pozitive” në bashkëpunim e ndërsjellë ekonomik. Kjo mbi të gjitha në sinergjinë e tregjeve gjithëshqiptare. Prandaj populizmin nacional-demokrat të deritanishëm, Rama duhet ta konvertoje në derdhje pozitive ekonomike në tregjet shqiptare, duke filluar së pari me Kosovën, mbi bazë të komplementaritetit dhe avantazhit krahasimor ndërsektorial. Siç i pamë më lart, ideologjitë politike edhe ashtu nuk kanë ndonjë dallim substancial. Takimi i dy qeverive në Prizren shpresojmë ta marrë në konsideratë me shumë këtë aspekt.

Exit mobile version