Forumi Rinor Islam, dega në Kërçovë shënoi aktivitetin tradicional “Netët e Kur’anit”. Pas namazit të teravisë, hapësira e qytetit e ashtuquajtur “berza”, vloi nga qytetarët që kishin ardhur të ndjekin pjesë të kënduara të Kur’anit Famëlartë.
Ashtu edhe siç ish paralajmëruar nëpërmjet afisheve dhe lajmërimeve nëpër xhami të ndryshme, qytetarët kërçovarë patën rastin të qetësojnë zemrat e tyre me këndimin e disa pjesëve të Kur’anit nga dy hafizë të ardhur nga Kosova,  H. Kreshnik Abdullahu dhe H. Egzon Ibrahimi.
Para se të nisin hafizët me këndimin e disa ajeteve kur’anore, fjalë përshëndetëse pati kryetari i Forumit Rinor Islam, z. Fevzi Musliu, i cili i informoi të pranishmit për shumë aktivitete që ndërmerr FRI-ja përgjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit.
Ky aktivitet nuk është i zakonshëm në Kërçovë, por dega e FRI-së e ka shndërruar si traditë shënimin e kësaj ngjarjeje madhështore, ku si e tillë rrjedh nga vetë kryesia qendrore e këtij asociacioni.
“Mbrëmje Kur’anore” si aktivitet është realizuar edhe në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe së fundmi edhe në Kërçovë, nga i cili përfituan kënaqësi shpirtërore shumë besimtare e besimtarë të pranishëm në këtë eveniment.

IMG_0454
“Mbrëmje Kur’anore” – Kërçovë

IMG_0458
“Mbrëmje Kur’anore” – Kërçovë

IMG_0481
“Mbrëmje Kur’anore” – Kërçovë

Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Forumit Rinor Islam