Forumi Rinor Islam – Dega Shkup në kuadër të aktiviteteve të muajit të shenjtë Ramazanit, realizoi iftarin tradicional në rajonin e Dërvenit, gjegjësisht në Parkun e Sarajit.
Pjesëmarrës në këtë iftar ishin hoxhallarë, drejtorë të shkollave fillore, profesorë, donatorë dhe popullata e gjërë nga rajoni i Dërvenit.
Pas iftarit u realizua edhe një program modest, i cili filloi me recitimin e disa ajeteve Kuranore. Më pas fjalë përshëndetëse kishte anëtari i FRI – së Dega Shkup Fuad Shabani, i cili theksoi: “Jemi tubuar të gjithë këtu së bashku, pa marrë parasysh pozitat dhe profesionet tona për të realizuar një iftar ashtu siç i ka hije një muslimani…”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe imami i xhamisë së tretë në Saraj, Shaban Tairi, i cili falenderoi Forumin Rinor Islam për organizimin e këtij iftari duke iu dëshiruar shumë suksese në të ardhmen. Pasi një pjesë dërmuese e të pranishmëve ishin të rinj, hoxha i nderuar theksoi: “… në këtë takim shihet se po mbizotëron rinia e këtij vendi, ku shihet qartë se kjo rini ka respektin dhe dashurinë e madhe ndaj këtij dini dhe se janë të gatshëm për kontribuar dhe për ta mbrojtur këtë fe…”
Programi ishte i zbukuruar edhe me ilahi të ndryshme dedikuar këtij muaji të shenjtë, nga disa të rinjë nga rradhët e mysafirëve.