Forumi Rinor Islam – Dega në Tetovë, organizoi Kuvendin Zgjedhor dhe Raportues për vitin 2024.
Punimet e kuvendit u hapën me leximin e disa ajeteve Kuranore nga Hoxha Ismet Tairi, ndërsa më pas, fjalën e mori kryetari i kuvendit, Rahim Husejni, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe uroi mirëseardhje në kuvendin e gjashtë zgjedhor të degës.
Në vijim, kryetari i degës, Mevlan Abazi, prezantoi raportin e aktiviteteve dhe raportin financiar, të cilët u diskutuan nga kuvendarët dhe më pas u miratuan. Gjatë punimeve, u formua komisioni mbikëqyrës prej tre anëtarëve, ndërsa kryetar i kuvendit për mandatin e ardhshëm u zgjodh me shumicë votash Ismet Tairi.
Kryetar i ri i Forumit Rinor Islam, dega në Tetovë, u zgjodh Arsim Iseni me mbështetje të plotë nga kuvendarët. Kuvendi përzgjodhi gjithashtu një pjesë të anëtarëve të kryesisë së re për mandatin e ardhshëm, ndërsa pjesa e mbetur do të caktohet në mbledhjen e parë të kryesuar nga kryetari i ri. Në të njëjtën kohë, u përcaktuan edhe përfaqësuesit që do të jenë pjesë e kuvendit qendror të FRI-së.
Kuvendi u mbyll me fjalën përshëndetëse të kryetarit të sapozgjedhur, Arsim Iseni, i cili falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre të deritanishëm dhe kërkoi që përkrahja të vazhdojë edhe më fuqishëm gjatë mandatit të ri për realizimin e aktiviteteve të Forumit Rinor Islam në Tetovë.
Në fund, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi, u nda nga një mirënjohje për të gjithë anëtarët e kryesisë së kaluar dhe kuvendarëve.
Tetovë, Janar 2025