Forumi Rinor Islam tanimë 23 vite me radhë realizon manifestimin tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”. Edhe këtë vit para një numri të madh të pranishmëve kjo ngjarje u realizua në Teatrin Kombëtar Maqedonas në Shkup.

Ky manifestim filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafiz Fatih Derdiyok nga Republika e Turqisë.

Më pas të pranishmit duke iu uruar mirëseardhje i përshëndeti kryetari i Forumit Rinor Islam, mr. Xhabir Emini i cili mes tjerash tha: “Në ditët që po përshkon njerëzimi, më shumë se kurrë më parë ka nevojë për dritën e diturisë, të cilën mundemi ta arrijmë vetëm se nëpërmjet të nxitjes dhe kultivimit të saj. Të motivojmë të riun që nëpërmjet të shfaqjes së shembëlltyrave, si këto që i shfaqim në aktivitetin tonë për 23 vite me radhë të pasojnë gjurmët e tyre.”

Forumi Rinor Islam në vazhdimësi promovon një nga qëllimet kryesore: stimulimin e diturisë dhe shkencës, nxënien e dijes. Kjo dëshmohet më së miri përmes dekorimit të nxënësve dhe studentëve më të dalluar. Nga shumë shkolla të mesme të qyteteve të Republikës së Maqedonisë u dekoruan nxënësit më të mirë. Poashtu u dekoruan edhe studentët më të dalluar të fakulteteve të ndryshme nga universitetet: Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”, Universiteti i Tetovës Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Europës Jug-lindore.

Si hafizi më i ri u dekorua 11 vjeçari hafiz Dijar Ibraimi nga qyteti i Shkupit.
Ndërkaq pas konkursit të shpallur si shkencëtare e re e vitit çmimin e fitoi Prof. Dr. Arlinda Amiti.
U bë edhe dekorimi i disa personaliteteve dhe subjekteve për kontribut dhe arritje të veçant. Post mortum u dekorua Prof. Dr. Nazmi Maliqi, ndërkaq të dekoruarit tjerë ishin: futbollist Besart Ibraimi, autoshkolla “Hirda”, prof. Hasan Zilbeari, hafiz Sadudin Sulejmani.

Si çdo vit edhe kësaj radhe ky manifestim ishte i pasur edhe me disa pika artistike. Monologun e shkruar nga Arsim Jonuzi me titull “Jep ujë” e interpretoi Zurijet Sulejmani, ndërkaq si ilahi enkas për këtë manifestim ishte ilahia e interpretuar nga Nderim Alimi me titull “Lotët e Muhammedit a.s.” dhe ilahia e mirënjohur “Allah”.

Shkup, 25 tetor 2023