Forumi Rinor Islam tashmë prej 24 vitesh organizon manifestimin tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, në Teatrin Ndërkombëtar Maqedonas të Shkupit, ku marrin pjesë të rinj, përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të ndryshme nga vendi dhe rajoni.
Manifestimi u hap me recitimin e ajeteve kuranore të sures Nexhm nga hafiz Ibrahim Sherifi, i cili recitoi në rivajetin Halef nga kiraeti Hamza.
Kryetari i Forumit Rinor Islam, z. Xhabir Emini, mbajti fjalën përshëndetëse, duke theksuar përkushtimin dhe qëllimin e përhershëm të FRI për të promovuar edukimin, shkencën dhe përhapjen e dijes ndër të rinjtë.
Me prezencën e tij na nderoi edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, i cili përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet e Forumit Rinor Islam në mbështetje të rinisë.
Programi u pasurua nga interpretimi i ilahistit Burhan Shaban, i cili performoi ilahinë e njohur “Rob i lirë,” duke krijuar një atmosferë edhe më të veçantë.
Më pas, u zhvillua ceremonia e dekorimit të nxënësve më të dalluar nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët u nderuan për arritjet e tyre në mësime.
Në këtë manifestim u nderua edhe hafizja më e re e vitit, Rabije Avdiu, një 13-vjeçare nga Shkupi, e cila përfundoi hifzin brenda dy vitesh.
Aktori i mirënjohur Arsim Fazlija interpretoi me mjeshtëri monologun “Fjalët e një kalorësi”, një pjesë artistike që shtoi një dimension reflektues në programin e mbrëmjes.
Në vijim, u dekoruan disa personalitete të shquara për kontributet e tyre të veçanta në shoqëri. Hafëz Taip Ali (post mortum), futbollisti Jasir Asani, doktor Qemal Rushiti, mësuesit veteranë Feti dhe Mybera Hasani, si dhe Haxhi Qani Sinani u nderuan për punën, përkushtimin e gjatë dhe ndihmën e dhënë ndër vite.
Burhan Shaban riktheu emocionet në skenë me ilahinë e dytë të mbrëmjes, “Salla Alaykallahu,” e cila u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Ky manifestim përmbylli një natë plot vlerësime, art dhe respekt për dijen, duke përcjellë mesazhin e përhershëm të Forumit Rinor Islam: angazhimi për dije dhe vlera humane kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më të drejtë dhe më të ndritur.
Shkup, 04 nëntor 2024