Categories
Lajme FRI Shkolla Verore

FORUMI RINOR ISLAM – KUMANOVË FILLOI ME SHKOLLËN VERORE 2025

Në kuadër të aktiviteteve verore, Forumi Rinor Islam – Dega në Kumanovë hapi Shkollën Verore 2025 me moton: “Njih veten, forco shpirtin dhe ndriço rrugën”, duke mbledhur të rinj të shkollave të mesme dhe studentë në një ambient përplot reflektim, dije dhe frymëzim.

Në ditën e parë të programit, u trajtuan tri tema me rëndësi të veçantë për rininë:

“Ndikimi i rrjeteve sociale në vetëvlerësimin e të rinjve” – Psikologia Edina Mici Ademi

Psikologia Edina Mici Ademi mbajti ligjëratën me këtë temë, duke theksuar efektin që mund të kenë platformat digjitale në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë veten dhe të tjerët. Ajo u ndal në presionin për përsosmëri, krahasimet e pashmangshme dhe ndikimin në shëndetin mendor. Gjatë ligjëratës, ajo realizoi edhe një aktivitet interaktiv me nxënësit, i cili i ndihmoi ata të reflektojnë mbi ndjenjat dhe perceptimet e tyre, duke nxitur ndërgjegjësim për ndërtimin e një vetëvlerësimi të shëndetshëm. Në fund, pjesëmarrësve iu shpërndanë broshura me këshilla praktike, të përgatitura posaçërisht nga psikologia, si dhe një ushtrim për reflektim personal për t’u plotësuar në shtëpi.

“Islami dhe modestia në epokën digjitale” – Azir Avdiu

Përmes kësaj ligjërate u theksua rëndësia e ruajtjes së vlerave islame në një kohë sfiduese për etikën dhe moralin. U nënvizua se modestia, si virtyt i thellë islam, nuk kufizohet vetëm në pamjen e jashtme, por shprehet në mendim, sjellje dhe komunikim.

“Kuptimi i jetës dhe arritja e lumturisë së qëndrueshme” – Hasan Baftjari

Ligjërata përmbyllëse solli një perspektivë islame mbi kërkimin e kuptimit të jetës dhe lumturisë së vërtetë. U theksua se lumturia nuk qëndron në përfitimet materiale, por në ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme me Zotin dhe jetesën me qëllim.

Shkolla Verore e FRI – Kumanovë vazhdon të jetë një platformë e fuqishme për edukimin dhe formimin e të rinjve, duke i përgatitur ata për sfidat e kohës përmes dijes, përvojës dhe udhëzimit islam.

Kumanovë, 28 qershor 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version