Dje, më datë 27 janar 2013, ditë e diel, Forumi Rinor Islam në Kumanovë mbajti manifestimin për të shënuar datën e lindjes së të Dërguarit të Allahut – Muhamedit (alejhi selam).
Në një atmosferë mjaft të mirë, Forumi Rinor Islam nisi fushatën e organizuar për të kujtuar personalitetin e Pejgamberit Muhamed (alejhi selam). Në mbrëmje kishte lexim Kurani nga hafizi Xhemail Nuhiu. Për të përshëndetur manifestimin dhe të pranishmit, fjalë iu dha Kryetarit të Degës së Kumanovës, Berat Limanit, i cili njëherësh është edhe përgjegjës i kësaj fushateje. Pas tij, fjala iu dha edhe Kryetarit të përgjithshëm të FRI-së – hoxhës Fevzi Musliut, i cili përshëndeti të pranishmit dhe foli shkurtas në lidhje me manifestimin dhe vetë pejgamberin.
Veçimi i sivjetmë ishte me diskutimin interaktiv me dy panelistë – hoxhë Sabahudin Jashari nga Shqipëria dhe hoxhë Avni Tafili nga Kosova. Që të dytë thuktë dhe qartazi iu përgjigjën pyetjeve të parashtruara në lidhje me Pejgamberin Muhamed – karakterin e tij, sjelljen e tij e jetën e tij në përgjithësi.
Manifestimi qe begatuar edhe me interpretimin edhe të ilahive të hafiz Xhemail Nuhiut, ashtu si edhe me interpretimin madhështor të Basri Lushtakut të një recitali të titulluar “Nuk të panë”, kushtuar Muhamedit (alejhi selam).
FRI – Dega Kumanovë për të dytën herë me radhë dekoron një personalitet për arritje shkencore, veprimtari humane a islame në përgjithësi me çmimin “Hafiz Refik Ajeti”. Sivjet ky çmim iu nda hafizes Shefije Mamuti-Nuhiju – ish nxënëses së vetë hafizit të ndjerë, emrin e të cilit e mban çmimi. Çmimin e ndau hafiz Bajram Ajeti – djali i hafizit të ndjerë, i cili po ashtu tregoi edhe disa raste të hafizes në fjalë në procesin e nxënies së Kuranit.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Forumit Rinor Islam