Forumi Rinor Islam, gjatë Ramazanit 1437 (2016) realizoi aktivitete të shumta e të ndryshme. Aktivitetete u shtrinë në shumë qytete të vendit, si në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Kërçovë, Gostivar e Prilep.

Aktivitetet filluan më 05 qershor, një ditë para fillimit të muajit Ramazan, me qëllim për t’i uruar mirëseardhje këtij muaji. Në Çarshinë e vjetër, në Shkup, me program të pasur, u mbajt manifestimi tradicional “Mirë se erdhe muaji Ramazan”. Shënimi i fillimit të këtij muaji u bë edhe në qytetin e Kumanovës, Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës. Nëpër vende të ndryshme të këtyre qyteteve u shpërndanë fleturime, imsakije të Ramazanit si dhe fletushka.

Edhe Shporta e Ramazanit, aktivitet ky që ka për qëllim ndihmën e nevojtarëve, filloi prej ditës së parë të muajit Ramazan. Aktiviteti u zhvillua gjatë gjithë muajit në Tetovë dhe Kumanovë. Në këto dy qytete u siguruan mbi 5000 pako me produkte ushqimore elementare dhe u shpërndanë në familjet nevojtare.

Mbrëmjet Kuranore dhe Netët e Kulturës Islame edhe sivjet ishin veçoria e këtij muaji. Netët e Kulturës Islame u organizuan në Kumanovë, filluan me iftarin e madh në qendër të qytetit dhe përfunduan me ligjëratën me hoxhë Halil Avdulin, nga Kosova. Gjatë këtyre netëve u realizuan edhe aktivitete artistike, kulturore e fetare si: ekspozita e pikturave, kuizi, shitja e ëmbëlsirave dhe librave si dhe shfaqja e filmit “Hakmarrja dhe Islami”.

Edhe sivjet Forumi Rinor Islam, me sukses realizoi, Mbrëmjet Kuranore me lexues të shquar. Mbrëmje Kuranore u organizua në këto vende: Shkup, Kumanovë, Tetovë, Kërçovë dhe Karshiakë. Lexuesit e këtyre mbrëmjeve ishin lexues të shquar nga Kosova dhe Maqedonia, si: hfz. Flamur Kasami, hfz. Armend Beqiri, hfz. Ajdin Aliji, hfz. Xhemail Nuhiju, hfz. Kreshnik Abdullahu, hfz. Adnan Elmazi dhe hfz. Egzon Ibrahimi.

Departamenti i Femrës pranë Forumit Rinor Islam realizoi Mbrëmje Islame në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Mbrëmjet përfshinë programe të pasura fetare kulturore e artistike, si: lexim të Kuranit, ligjërata, interpretim ilahish dhe monologjesh. Programe dhe ligjërata u mbajtën edhe në Kërçovë, Gostivar dhe Prilep.

Në Kërçovë u mbajt edhe ceremonia e përfundimit të hatmes, kurse në Tetovë dhe në Prilep u organizuan kuize të diturisë.

Edhe sivjet u organizuan disa iftare, me aktivistë të FRI-së, me mysafirë dhe dashamirë. Kurse, në sheshin Skënderbeu në Shkup, u organizua iftari i madh me mbi 500 pjesëmarrës. Poashtu u organizuan edhe ligjërata të shumta nëpër disa xhami si dhe në qendrat e FRI-së në qytetet ku vepron.

Forumi Rinor Islam, me rastin e muajit Ramazan, ka realizuar edhe emisione fetare nën moton “Ramazani, muaj i vetëdijesimit”. Emisionet në fjalë u transmetuan çdo ditë gjatë këtij muaji të shenjtë, nëpër televiozonet lokale të qyteteve të ndryshme. Poashtu, përfaqësues të FRI-së morën pjesë në disa emisione televizive dhe në radio, ku paraqitën aktivitetet e këtij muaji.

FOTO