Sonte, nën qiellin e lagësht të Kumanovës, u mbajt me sukses koncerti tradicional i Fitër Bajramit, organizuar nga Forumi Rinor Islam – Dega Kumanovë dhe Shoqata Edukative “Vllaznia”. Pavarësisht shiut, atmosfera festive mbizotëroi në qendër të qytetit, ku qytetarët u mblodhën për të festuar këtë natë të veçantë.

Në skenë u ngjitën kënduesit e mirënjohur Armend Beqiri, Avni Nebiu, Aldin Murati dhe Jasin Bajrami, të cilët e mbushën mbrëmjen me zërat e tyre të bukur duke kënduar ilahi dhe, në përmbyllje, tekbire e salavate.

Pjesë e kësaj mbrëmjeje festive ishte edhe një kuiz simbolik me fëmijët, që solli gëzim dhe hare, duke u shndërruar në një moment argëtues dhe edukativ njëkohësisht. Në vend të fishekzjarreve, qielli u mbush me balona, duke krijuar një pamje magjike dhe duke përçuar mesazhin e paqes dhe gëzimit që sjell Bajrami.

Kumanovë, 29 mars 2025