Me rastin e 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Studentit, Forumi Rinor Islam, dega e Kërçovës, në bashkëpunim me Këshillin e Studentëve të Universitetit Shetëror të Tetovës, realizuan me sukses tribunën shkencore me moton: “Studenti, fuqia e ndryshimit”.
Tribuna, e zhvilluar në hapësirat e fakulteteve të disperzuara në Kërçovë, mori një kahje shkencore fal dy panelistëve të cilët para studentëve paraqitën diskurset e tyre shkencore. Mr. Lulzim Mehmedi u fokusua ne temën e çështjeve globalizuese në arsim dhe aspektet e kooperimit në mes universiteteve vendore me ato ndërkombëtare. Ndërkaq, ligjëruesi i dytë, Mr. Kujtim Kasami shtroi para audiencës disa pikëpamje mbi menaxhimin e kohës dhe shfrytëzimin sa më efektiv të saj nga ana e studentëve.
Tribunën e drejtoi gazetari Agron Vrangalla, i cili ne fillim të saj, njoftoi të pranishmit rreth historikut dhe rrjedhës së ngjarjeve të 21 shkurtit si Ditë Ndërkombëtare e Studentit. Gjithashtu u shtruan edhe disa porosi rreth vlerës dhe fuqisë së madhe që bartin studentët në sjelljen e vendimeve dhe reformave të ndryshme në shoqëri.
Dita Ndërkombëtare e Studentit zanafillën e vet e ka në Egjipt, në ngjarjet e 21 shkurtit të vitit 1946, ku studentët ngritën zërin kundër kolonive angleze, me c’rast disa prej tyre edhe u viktimizuan. Krahas kësaj ngjarjeje, dita e 21 shkurtit, gjithashtu lidhet me ngjarjet e studentëve në Indi, të cilët e ndjenë rrahjen e zemrës të popullit të tyre për liri dhe pavarësi nga kolonizuesit e asaj kohe dhe si rrjedhojë e kësaj, studentët e shpaguan këtë ditë me gjakun e tyre.
Ndryshe, tribuna me slloganin “Studenti, fuqia e ndryshimit” u realizua në kuadër të kampanjës mbarështetërore që Forumi Rinor Islam e realizon për disa vite me radhë dhe si qëllim bazë ka senzibilizimin e kategorisë studentore dhe ngritjen e vetëdijes tek ata për të marrë iniciativa të caktuara atëherë kur është nevoja.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Forumit Rinor Islam