Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetësisë, Forumi Rinor Islam – dega në Kërçovë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe Entin transfuziologjik, organizuan një aktivitet humanitar që lidhet me dhurimin e gjakut.
Aktiviteti i dhurimit të gjakut u mirëprit nga qytetarët e Kërçovës, duke iu përgjigjur ftesës për të dhuruar gjak për qëllime humanitare. Kësaj thirrjeje, iu përgjgjën edhe vetë aktivistët e degës së Forumit Rinor Islam.
Sipas kryetarit të Forumit Rinor Islam, dega në Kërçovë, z. Muhamed Mehmedi, të donosh gjak është një akt shumë i human dhe i vlerësuar te Zoti. Pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi i realizimit të këtij aktiviteti. “Ai njeri që bëhet shkaktar për të shpëtuar jetën e një njeriu tjetër, shpërblimet te Zoti do të jenë sikur me e shpëtuar tërë njerëzimin” – tha ndër të tjera z. Muhamed Mehmedi, bazuar në fjalët e Zotit në Kur’an.
Këtij aksioni iu bashkangjit edhe kryesuesi i Këshillit të Komunës së Kërçovës, z. Qamil Aliu i cili u shpreh për mediat lokale se ky është një ndër aktivitetet më të shkëlqyera që ka ndërmarrë dega e Forumit Rinor Islam në tërësi. Ai gjithashtu mbështeti faktin se të shpëtosh një jetë, vlerësimi te Allahu është sikur ke shpëtuar tërë njerëzimin.
Nga hapësirat e Forumit Rinor Islam- dega në Kërçovë, ku edhe u mbajt aksioni i dhurimit të gjakut, anëtarët e këtij asociacioni premtuan se aktivitete të kësaj natyre do të ketë edhe në të ardhmen.
Sipas të dhënave mjekësore, meshkujt kanë të drejtë dhurimi të gjakut në çdo tre muaj, ndërsa femrat, në çdo katër muaj. Nga secili donator merret nga 400 ml gjak.
Në vendin tonë nevoja për dhurim të gjakut është shumë e madhe krahas asaj që dhurohet për momentin.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Forumit Rinor Islam