Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi me sukses një piknik njëditor në ambientet e bukura natyrore të Markova Sushicës, me pjesëmarrjen e aktivistëve të degës dhe të ftuarve të tjerë.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore, pjesëmarrësit patën mundësinë të kalojnë kohë cilësore së bashku, duke forcuar lidhjet, bashkëpunimin dhe frymën e unitetit ndërmjet tyre. Aktiviteti u hap me një fjalë përshëndetëse nga Kryetari i FRI – Dega Shkup, z. Afrim Demiri, i cili theksoi përkushtimin e degës për organizimin e aktiviteteve të larmishme, si rekreative ashtu edhe zhvillimore e edukative, në shërbim të të rinjve.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Kryetari i Forumit Rinor Islam në nivel republikan, z. Abdulhamid Mustafa, i cili përgëzoi FRI – Dega Shkup për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në komunitet, duke shprehur mbështetjen e tij për aktivitetet e ardhshme.
Në kuadër të aktiviteteve rekreative, një piknik i ngjashëm u realizua gjithashtu edhe për aktivistet vajza të cilat janë pjesë e FRI – Degës Shkup. Ky aktivitet u zhvillua në të njëjtën frymë shoqërore dhe vëllazërore, duke u mundësuar edhe vajzave të kalojnë kohë të këndshme së bashku, të forcojnë bashkëpunimin dhe të thellojnë lidhjet brenda degës.
Ky piknik përbën vetëm një nga aktivitetet e shumta që Forumi Rinor Islam – Dega Shkup synon të realizojë në vazhdimësi, me qëllim promovimin e vlerave të shëndosha shoqërore, aktivizmit rinor dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve.
Shkup, 30 gusht 2025









