Forumi Rinor Islam për të tetëmbëdhjetën herë me rradhë realizoi manifestimin tradicional me rastin e Vitit të Ri Islam – 1440 “Në gjurmët e më të mirëve”. Ky manifestim u realizua në Teatrin Kombëtar Maqedonas dhe u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Maqedonisë – programi në gjuhën shqipe.
Fillimisht u lexuan disa ajete nga hafizi Arben Emini, dhe më pas vijoi një fjalë rasti nga nikoqiri i kësaj mbrëmje, kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani.
Më pas vijoi dekorimi i nxënësve më të dalluar nga të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Maqedonisë.
FRI gjithashtu shpalli edhe hafizin e ri të vitit, çmim ky i cili këtë vit i takoi hafizit Muaz Ajrullau i cili përveç mësimit përmendësh të Kuranit Famëlartë në gjuhën arabe, ai poashtu e mësoi edhe në gjuhën shqipe.
Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i takoi dr. Mevludin Memedit, i cili u zgjodh nga komisioni pas konkursit të shpallur, për kontribun e tij shkencor në teknologjitë bashkëkohore të mjekësisë. Prej personaliteteve me arritje dhe kontribut të veçantë FRI dekoroi sh.b. “Logos-A”, arsimtarin e pensionuar Rexhep Fetahu, sh.k.e “Ardhmëria” e Shqipësirë dhe çiklistët të cilët këtë vit udhëtuan me biçikleta për në haxh, Amir Asllanin dhe Senad Idriz. Në emër të të dekoruarve para të pranishmëve fjalë rasti kishte kryetari i sh.k.e “Ardhmëria”, hoxhë Tahir Zenelhasani.
Në fund u dekoruan edhe më të mirët e universiteteve të vendit tonë, edhe atë studentë nga “Universiteti Kiril dhe Metodij”, “Universiteti i Tetovës”, “Universiteti Internacional Ballkanik” si dhe nga “Universiteti i Evropës Juglindore”. Në mesin e të gjithë studentëve me sukses të lartë, gjashtë prej tyre ishin me sukses maksimal 10.00. Në fund në emër të të gjithë studentëve fjalë rasti kishte studentja Eda Palloshi.
Nuk mungoi as pjesa artisitike e kësaj mbrëmje, para publikut interpretoi aktori Genci Mirzo me monologun “Elif”, monolog ky i shkruar nga autori Fatmir Muja. Edhe më shumë u pasurua ky aktivitet me interpretimin e dy ilahive nga hafizi dhe kënduesi i ilahive, Egzon Ibrahimi.