Forumi Rinor Islam për të nëntëmbëdhjetën herë me rradhë realizoi manifestimin tradicional me rastin e Vitit të Ri Islam – 1441 “Në gjurmët e më të mirëve”. Ky manifestim u realizua në Teatrin Kombëtar Maqedonas dhe u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Maqedonisë – programi në gjuhën shqipe.

Fillimisht u lexuan disa ajete nga hafizi Egzon Ibrahimi dhe më pas vijoi një fjalë rasti nga nikoqiri i kësaj mbrëmje, kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani.
Më pas vijoi dekorimi i nxënësve më të dalluar nga të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Maqedonisë.
FRI gjithashtu shpalli edhe hafizet e reja të vitit, çmim ky i cili këtë vit u takoi dy motrave Azra dhe Sara Demiri.
Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i takoi dr. Argëtim Saliut, i cili u zgjodh nga komisioni pas konkursit të shpallur. Prej personaliteteve me arritje dhe kontribut të veçantë FRI dekoroi Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen disa vjeçare, hoxhë Sali Bislimin, banorët e fshatit Llaskarcë, mësuesin e pensionuar Sherif Ademi dhe kampionin evropian për kadetë në mundje Besir Alilin.
Në fund u dekoruan edhe më të mirët e universiteteve të vendit tonë, edhe atë studentë nga “Universiteti Nënë Tereza”, “Universiteti Kiril dhe Metodij”, “Universiteti i Tetovës”, “Universiteti Internacional Ballkanik” si dhe nga “Universiteti i Evropës Juglindore”. Në mesin e të gjithë studentëve me sukses të lartë, katër prej tyre ishin me sukses maksimal 10.00.
Nuk mungoi as pjesa artisitike e kësaj mbrëmje, para publikut interpretoi aktori i mirënjohur Genci Mirzo me monologun “Fjalët e një kalorësi”, monolog ky i shkruar nga autori Fatmir Muja.
Për herë të parë para publikut u interpretuan edhe dy ilahi me tituj “Emri Muhamed” dhe “Ezani i pambaruar” të shkruara poashtu nga Fatmir Muja enkas për këtë manifestim të cilat i interpretoi hafizi dhe interpretuesi i ilahive Musli Musliu.