Në hapsirat e Qendrës për Zhvillimin e Biznesit në UEJL, nën patronatin e Forumit Rinor Islam, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentit u organizua konferencë studentore me temë “Roli i studentëve në përcaktimin e politikave studentore”. Kjo ngjarje u mbajtë në bashkëpunim me unionet studentore të shumicës së universiteteve në vend si dhe një numri të konsiderueshëm të studentëve nga të gjitha universitetet në vendin tonë.
Të pranishmëve ju drejtua kryetari i FRI-së, z.Fevzi Musliu i cili foli për rolin e rëndësishëm që kanë studentët dhe të rinjët në ngritjen e nivelit shoqëror dhe ecjen përpara të proceseve.
Arta Demirali, kryetare e Parlamentit Studentor të UEJL-së foli për problemet që i tangojnë universitetet tona si: Politika e gabuar e disperzimit, numri i madh i universiteteve private që nuk plotësojnë kriteret, regjistrimi në universitet pa kriter etj.
Ndërsa Rabije Abazi nga universiteti FON tha se ata kanë bërë një anketë dhe ku del se studentët ndahen në tre grupe: Student partiak, student politik të cilët kyçen direkt në krijimin e politikave dhe student të painteresuar.
Jeton Pashtriku nga Universiteti Ballkanik kritikoi sistemin arsimor duke thënë se ky model pajis studentët me doploma dhe jo me dije.
Folës në këtë konferencë ishin edhe Teuta Ismaili – përfaqësuese e Plenumit Studentor, Arben Ristemi nga Këshilli Rinor Nacional dhe Suad Saliu nga Lëvizja studentore DECA.
Nga kjo konferencë dolën këto konkluzione:
- Rolin e madh të studentëve në lëvizjet atdhetare e sociale, si dhe konfirmimin e punës studentore si pararojë dhe drejtuese këtyre lëvizjeve dhe ndryshimeve pozitive shoqërore.
- Rolin e studentëve në inicimin dhe zgjidhjen e çështjeve madhore që preokupojnë shoqëritë ku jetojnë.
- Nevojitet rishikim i politikave studimore me qëllim të rritjes së kualitetit të studimeve.
- Impenjimi në drejtim të rritjes së kualitetit si në aspekin teorik ashtu edhe në atë praktik duhet të jetë prioritet i organeve përkatëse.
- Nxitja e dialogut mes studentëve dhe shtresave të tjera shoqërore e politike me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së studentëve në vendimmarrje për tema në interes të studentëve dhe shoqërisë në përgjithësi.
- Participimi politik i studentëve ka rëndësi të madhe në zhvillimin e demokracisë së qëndrushme. Participimi i studentëve është forma e vetme për pjesëmarrje aktive qytetare në vendimmarrje dhe zgjidhje të problemeve me të cilët ballafaqohet një shoqëri.
- Rolin dhe kontributin e pamohueshëm të studentëve në zhvillimet politike në vend, përmirësimin e demokracisë, zhvillimit ekonomik, mirëqenies, drejtësisë sociale, të drejtave të njeriut, luftimin e diskriminimit, urrejtjes dhe racizmit .
- Nevoja për ngritjen e vetëdijes së studentëve për të drejtat e tyre dhe pjesëmarrjen aktive të tyre në rrjedhat shoqërore dhe vendimmarrjen publike.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam