Në kuadër të aktiviteteve të muajit Ramazan nën moton “Ramazani, kthim në vete” Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi Mbrëmje Kuranore në sheshin “Skenderbeu”.

Kjo mbrëmje u hap me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Bejan Baki, e më pas fjalë përshëndetëse kishte kryetari pranë Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Fuat Shabani i cili iu uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe mes tjerash theksoi rëndësinë e këtij muaji dhe zbritjes së Kuranit Famëlartë, gjithashtu këshilloi që të respektohen masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë.
Prezent në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu i cili përshëndeti të pranishmit, përgëzoi FRI – në për realizimin e kësaj mbrëmjeje dhe theksoi se komuna e Çairit gjithmonë do ta mbështesë Forumin Rinor Islam dhe aktivitetet e tilla.

Ata që e begatuan këtë mbrëmje ishin hafizlerët e mirënjohur Xhemail Nuhiju nga Shkupi dhe Egzon Ibrahimi nga Republika e Kosovës. Me fjalët e Allahut Fuqiplotë dhe këndimin e tyre me zërat e bukur freskuan zemrat e të pranishmëve dhe rikthyen atmosferën e Ramazanit në qytet e cila kishte munguar gjatë.