Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentit, Forumi Rinor Islam në bashkëpunim me Keshillin Studentor të USHT-ës në Kërçovë, realizuan me sukses tribunën “Studenti midis perspektivës dhe sfidave”.
Kampanja “Studenti, fuqia e ndryshimit”, përshkoi edhe qytetin e Kërçovës, ku në hapësirat e Universitetit Shtetëror të Tetovës, diseprsa e Kërçovës, në praninë e një numri të madh të studentëve realizuan këtë tribunë e cila vuri në pah sfidat me të cilat përballen studentët gjatë proceseve akademike.
Dy ligjeruesit e kësaj tribune, Mr. Kujtim Kasami dhe Mr. Remzi Mehmedi, parashtruan disa teza, pikëpamje dhe ide rreth mirëmenaxhimit të sfidave dhe tejkalimin e vështirësive që herë pas herë mund t’u shfaqen studentëve përgjatë rrugëtimit të tyre akademik.
Me përfshirjen e studentëve të pranishëm në debat, tribuna mori kahje interaktive ku reflektuan mbi shumë nevoja dhe kërkesa që sipas tyre janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e studimeve të tyre.
Tribuna me slloganin “Studenti midis perspektivës dhe sfidave” u realizua në kuadër të kampanjës mbarështetërore që Forumi Rinor Islam e realizon për disa vite me radhë dhe si qëllim bazë ka senzibilizimin e kategorisë studentore dhe ngritjen e vetëdijes tek ata, për të marrë iniciativa të caktuara atëherë kur është nevoja.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Studentit zanafillën e vet e ka në Egjipt, në ngjarjet e 21 shkurtit të vitit 1946, ku studentët ngritën zërin kundër kolonive angleze, me ç’rast disa prej tyre edhe u viktimizuan. Krahas kësaj ngjarjeje, dita e 21 shkurtit, gjithashtu lidhet me ngjarjet e studentëve në Indi, të cilët e ndjenë rrahjen e zemrës të popullit të tyre për liri dhe pavarësi nga kolonizuesit e asaj kohe dhe si rrjedhojë e kësaj, studentët e shpaguan këtë ditë me gjakun e tyre.