Me sukses përfundoi fushata “Ta njohim Muhamedin a.s.”, fushatë kjo e ndërmarrë nga Forumi Rinor Islam për të përkujtuar lindjen dhe veprimtarinë e Muhamedit a.s. Një numër i madh e i shumëllojshëm aktivitetesh e përcollën këtë fushatë.
Nisja e fushatës u njoftua në emisionin “Zgjohu me ne” në servisin publik TVM2, me ç’rast u paraqitën qëllimet e organizimit të saj.
Enkas për këtë fushatë, për të ligjëruar në Shkup erdhi mysafiri nga Turqia Ramazan Tamer dhe në Kërçovë Halil Avdulli, nga Kosova.
Edhe një sërë ligjëratash tjera u realizuan nëpër disa qytete. Temat që u elaboruan ishin: “Ndjenjësia te Muhamedi a.s.”, “Pejgamberi im”, “Mesazhet profetike në kohën bashkëkohore”, “Urtësia e disa përvojave të Muhamedit a.s.”, “Muhamedi a.s shëmbëlltyra e njerëzimit”.
Poashtu, aktivistet e FRI-së vizituan edhe disa familje të jetimëve në Shkup, kurse në Kërçovë vizituan fëmijët në spitalin e qytetit si dhe qendrën e fëmijëve me nevoja të veçanta, me ç’rast iu dhuruan dhurata, e gjithë kjo me qëllim të ringjalljes së suneteve apo veprave që ka praktikuar Muhamedi a.s.
Departamenti i Femrës në Shkup reallizoi program i cili përmbajti fjalime, ligjëratë, këshilla, interpretim ilahish dhe të një monologu si dhe shpallja e fitueses së konkursit për memorizimin e dyzet haditheve të Imam Neveviut.
Në Tetovë dhe në Kumanovë, për qytetarët u shpërndanë ëmbëlsira, thënie profetike dhe fletushka rreth Muhamedit a.s.
Sivjet, për herë të parë Forumi Rinor Islam në kuadër të kësaj fushate realizoi panel diskutimi, në Shkup. Në këtë panel u paraqitën studentët fitues nga konkursi për punime studentore i shpallur nga FRI. Pos studentëve, në panel mori pjesë edhe hoxhë Qenan Ismaili, me temën “Jam ndihmuar nga të rinjtë”. Fjalim rasti pati kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani si dhe kryetari i komisionit për punimet studentore, Mr. Muhamed Murtezi.
Manifestimi qendror i fushatës, i cili u mbajt në Kumanovë, qe edhe përmbyllës për sivjet. Programi përfshiu lexim të Kuranit, fjalime, këshilla nga hoxhë Rufat Sherifi, interpretim të monologut “Tre hapat e gdhendjes” dhe ndarjen e çmimit “Hafiz Refik Ajeti”.
Fushata zgjati pesëmbëdhjetë ditë, me të cilën u synua përkujtimi i veprave dhe mesazheve të njeriut më të dalluar të historisë së njerëzimit.