Forumi Rinor Islam – Nëndega Karshiakë në kuadër të aktiviteteve të muajit të shenjtë, Ramazanit, realizoi iftarin tradicional dhe program modest në bashkëpunim me organizatën O.H. “Kalliri i Mirësisë”.
Pjesëmarrës në këtë iftar ishin hoxhallarë, drejtorë, profesorë, studentë, donatorë dhe popullata e gjërë nga rajoni i Karshiakës. Hapja e programit filloi me recitimin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Ali Ademi. Më pas fjalë përshëndetëse kishte kryetari i FRI – Nëndega Karshiakë, Burhanedin Nuhiju, i cili tregoi për veprimtarinë dhe aktivitetet që realizon dhe që do t’i realizojë FRI – Nëndega Karshiakë.
Të pranishmit poashtu i përshëndeti edhe përfaqësuesi i organizatës O.H “Kalliri i Mirësisë” Nexhati Lika. Ndërkaq ligjërues në këtë program ishte hoxhë Fevzi Musliu, i cili mes tjerash potencoi: “Jemi me fat që Allahu na ka mundësuar të agjërojmë këtë muaj të bekuar i cili ngërthen shumë begati, në këtë muaj zbriti Kurani Famëlartë, njëashtu është edhe nata e Kadrit si dhe shumë mirësi tjera. Agjërimi është betejë individuale dhe shpërblimi është i pakufishëm nga ana Allahut xh.sh.”