Forumi Rinor Islam – Dega Shkup në kuadër të aktiviteteve që realizon gjatë muajit Ramazan shtroi edhe një iftar në hapësirat e restorantit Festina në Shkup. Nën moton “Ramazani frymëzim për dialog”, këtë vit kjo tryezë iftari u shtrua për anëtarët, aktivistët, bashkëpunëtorët, donatorët, përfaqësues të ndryshëm të organizatave joqeveritare, të institucioneve, myftinisë së Shkupit, shkollave etj.
Fillimisht u recituan disa ajete kuranore dhe më pas para të pranishmëve për pak çaste ligjëroi hoxhë Rufat Sherifi. Ndërkaq pas iftarit vijuan edhe disa ajete kuranore dhe fjalime përshëndetëse nga kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Abdulhamid Mustafa i cili mes tjerash tha: “Forumi Rinor Islam këtë muaj aktivitetet i realizon nën moton “Ramazani frymëzim për dialog”, ku vet profeti Muhamed a.s na frymëzon për vetëdisiplinim, dialog mes prindit dhe fëmiut, pasanikut dhe skamnorit, punëdhënësit dhe punëtorit, dhe me lutje që gjatë këtij muaji të dalim sa më të vetëdijësuar dhe të falur.”
Për t’i përshëndetur të pranishmit iu dha rasti edhe përfaqësuesit nga Myftinia e Shkupit, hoxhë Fatmir Zaimit i cili tha:” Në emrin e Myftinisë së Shkupit dhe në emër të myftiut ju përgëzojmë për aktivitetet që realizoni e gjegjësisht për këtë iftar që e keni organizuar ju si OJQ. Ky muaj është muaji i rahmetit, i paqes dhe i solidaritetit, të jemi gjithmonë pranë njeri tjetrit që të jemi sa më të fuqishëm në misionet që i bartim në përgjithësi.”