Forumi Rinor Islam organizoi iftarin e parë të këtij Ramazani, duke ruajtur traditën e mbledhjes së anëtarëve, aktivistëve dhe përkrahësve të tij në një atmosferë vëllazërore dhe solidariteti.

Nën moton “Ramazani, çelësi i fitoreve”, iftari mblodhi së bashku nxënës, studentë, donatorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare, profesorë, mësimdhënës, si dhe mysafirë afaristë nga Turqia.
Pas shtrimit të iftarit, programi vijoi me leximin e ajeteve kuranore nga hafizi Sejjid Idrizi, duke i dhënë solemnitet dhe frymë shpirtërore mbrëmjes.

Kryetari i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa, në fjalën e tij përshëndetëse foli për vlerat e Ramazanit si një periudhë reflektimi dhe force shpirtërore, duke theksuar rëndësinë e tij si “çelësi i fitoreve”. Me këtë rast, ai shfrytëzoi mundësinë të urojë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke shprehur mirënjohjen e tij për rolin e pazëvendësueshëm të profesorëve dhe mësimdhënësve në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.

Ndër të ftuarit, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, shprehu vlerësimin e tij për këtë iniciativë, ndërsa afaristi turk Aziz Bajram, organizatori kryesor i iftarit, theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në realizimin e aktiviteteve të tilla.

FRI shpreh falënderime të sinqerta për të gjithë donatorët dhe mbështetësit që mundësuan organizimin e këtij iftari, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe përhapjen e mesazhit të unitetit dhe solidaritetit në këtë muaj të bekuar.

Shkup, 7 mars 2024