Nën moton “Të nxisim dijen, të investojmë për ardhmërinë”, Forumi Rinor Islam – Dega Tetovë realizoi manifestimin e shpalljes së semimaturantëve më të mirë të Tetovës dhe rrethinës.
Manifestimi u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, ku të pranishëm ishin një numër i madh nxënësish, prindërit e tyre, drejtorë shkollash, si dhe aktivistë të shumtë të FRI-së.
Fjalën përshëndetëse para të pranishmëve e mbajti nikoqiri i këtij evenimenti, Arsim Iseni, kryetar i FRI – Dega Tetovë, i cili ndër të tjera theksoi qëllimin e përkrahjes së nxënësve më të dalluar, si dhe rëndësinë e investimit për ardhmërinë e vendit tonë.
Në këtë manifestim u dekoruan 25 nxënës të shkollave fillore të Tetovës dhe komunave përreth, ku çdo shkollë, përmes kolegiumit të arsimtarëve dhe drejtorive përkatëse, kishte zgjedhur semimaturantin/en më të mirë të saj.
Për të gjithë nxënësit e dekoruar, FRI ndau lëvdata, nga një shumë modeste të hollash dhe një pako me libra – botime nga “Furkan ISM” nga Shkupi.
Tetovë, 2 qershor 2025