Forumi Rinor Islam – Dega Tetovë ka filluar aktivitetet në kuadër të muajit të bekuar të Ramazanit, duke sjellë atmosferë shpirtërore dhe frymë solidariteti në qytet.
Në qendër të Tetovë, nga anëtaret dhe aktivistet e FRI – Dega Tetovë u realizua shpërndarja e hurmave së bashku me imsakijet e Ramazanit për kalimtarët e rastit. Ky aktivitet, i cili tashmë është bërë traditë dhe realizohet prej disa vitesh me radhë në prag të fillimit të Ramazanit, synon të përcjellë mesazhe paqeje, mirësie dhe përgatitjeje shpirtërore.
Përmes këtij angazhimi, të rinjtë e FRI-së dëshmuan përkushtimin e tyre në shërbim të komunitetit, duke promovuar vlerat e solidaritetit, bashkimit dhe kujdesit ndaj njëri-tjetrit. Aktiviteti u prit me shumë pozitivitet nga qytetarët, të cilët shprehën mirënjohje për këtë iniciativë domethënëse.
FRI – Dega Tetovë ka paralajmëruar se gjatë gjithë muajit Ramazan do të realizojë edhe aktivitete të tjera me karakter edukativ dhe sensibilizues.
Tetovë, 18 shkurt 2026
