Forumi Rinor Islam në Tetovë realizoi manifestimin e shpalljes së semimaturantëve më të mirë në Tetovë dhe rrethinë nën moton “Të nxisim dijen, të investojmë për ardhmërinë”.

Manifestimi u realizua në amfiteatrin e fakultetit të arteve në Universitetin e Tetovës ku të pranishëm ishin një numër i madh nxënësish, prindërit e tyre, drejtorë shkollash, përfaqësues të komunës si dhe aktivistë të shumtë të FRI-së.

Në fillim ishin fjalimet e të pranishmëve të cilët folën për rëndësinë e mbajtjes së këtij aktiviteti. Fjalë rasti kishte nikoqiri i këtij aktiviteti Mevlan Abazi, kryetar i degës së FRI-së në Tetovë, i cili theksoi rëndësinë dhe qëllimin e këtij aktiviteti dhe falënderoi drejtorët e shkollave për bashkëpunim korrekt në realizimin e këtij aktiviteti si dhe Komunën e Tetovës e cila gjithmonë ka qenë në përkrahje të aktiviteteve rinore të FRI-së. Më pas fjalë rasti pati edhe përgjegjësi për veprimtari publike në komunen e Tetovës, z. Nazmi Dauti i cili falënderoi dhe e vlerësoi FRI -në për të gjitha aktivitetet rinore që i realizon në qytetin tonë.

Pjesë e këtij eventi ishte edhe poezia “Fjalët e një Kalorësi” e autorit Fatmir Muja, e recituar nga aktori Zurijet Sulejmani si dhe fjalimi motivues nga veterani i arsimit prof. Satki Ismaili, i cili nxënësve më të mirë ua përkushtoi disa fjalë motivuese për rrugën e dijes.

Në këtë manifestim u dekoruan 20 nxënës të shkollave fillore të Tetovës dhe komunave për rreth, ku çdo shkollë nga ana e kolegiumit të arsimtarëve dhe drejtoritë përkatëse e kanë zgjedhur semimaturantin më të mirë të shkollës së tyre.

Për të gjithë nxënësit e dekoruar, FRI ndau lëvdata, nga një shumë modeste të hollash, dhe nga një pako me libra – botime nga “Furkan ISM” nga Shkupi.

Tetovë, 31 maj 2024