Me rastin e 7 marsit, Forumi Rinor Islam uron arsimtarët dhe arsimdashësit. Urime dhe përgëzime për Ditën e Mësuesit, simbolit të dijes, këtij kapitali të pashtershëm të jetës njerëzore.

Përgëzime dhe lutje të sinqerta për të gjithë mësuesit e kombit të cilët jetuan dhe vdiqën në rrugën e dijes dhe përhapjes së saj tek njerëzit. Përpjekjet e mësuesve janë fryt i ekzistencës sonë aktuale.

Urime për të gjithë mësuesit e sotëm të cilët ndriçojnë, si pishtarë, dritë në mes të errësirave të padijes edhe karshi vështirësive dhe sfidave të mëdha shoqërore. Lutjet dhe lavdërimet më të mira shkojnë sot nga organizata jonë, sepse çdo mentor i dijes u zbulon njerëzve dritare të vëzhgimit të realiteteve më të mëdha dhe të të vërtetave më të qenësishme, pasi pa dije nuk mund të ketë as jetë, as ekzistencë, as kozmos edhe as jetë njerëzore.

Urime për ty mësues, që iu mëson brezave qëllimin e ekzistencës, ligjet e universit, përbërjen lëndore të çdo objekti, sekretin e jetës së gjallë, perfeksionin e mendjes njerëzore, dijet e përllogaritjes së çdo gjëje dhe dijet e të qenit njeri.

Pa mësues nuk ka dije e pa dije nuk ka qëllim, pa qëllim s’ka moral e pa moral nuk ka kuptim jeta jonë. Prandaj urimi ynë është edhe lutje që mësuesit e njerëzimit të shtohen e fuqizohen kurse mirësia e njerëzve të thjeshtë të jetë ndihma dhe mbështetja e tyre më e mirë.