Ramazani, muaji i përkushtimit

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)…” [Bekare, 185]

Selman Farisiu tregon: Në ditën e fundit të Shabanit Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na tha: “O ju njerëz! Po vjen një muaj i mirë, madhështor dhe i bekuar. Në të ndodhet një natë që është më e mirë se një mijë muaj (84 vjet). Agjërimin gjatë ditës, Zoti e ka bërë detyrë dhe faljen natën e ka lënë në dëshirën e njeriut. Kush kryen vullnetarisht një vepër të mirë, do të shpërblehet sikur ka kryer një obligim. Dhe kush kryen obligimet e caktuara nga Zoti, do t’i quhet sikur ka kryer 70 të tilla…”

Thotë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith tjetër: “Erdhi muaji i Ramazanit, muaj i bereqetit ku All-llahu zbret mëshirën e Tij, fal gjynahet, pranon lutjet dhe shikon se si robërit e tij konkurrojnë njëri-tjetrin për vepra të mira dhe mburret para melekëve. Prandaj veproni punë të mira, pasi i vuajtur është ai që nuk e përfshin mëshira e All-llahut”.
“O Zot na jep bekime në muajin Shaban dhe na bëj që ta arrijmë Ramazanin!”
“Kur vjen muaji i Ramazanit thërret një thirrës: O kërkues i të mirës eja, dhe o kërkues i së keqes ndalohu. Zoti do të nxjerrë nga zjarri njerëz për çdo natë”.
“I humbur është ai që e arrin muajin e Ramazanit dhe nuk i falen gjynahet”.

Bazuar në ajetin e lartshënuar dhe në hadithet e Pejgamberit a.s., ne lehtësisht mund të vërejmë se çfarë rëndësie i ka dhënë Allahu xh.sh. këtij muaji duke i shtuar bekimet e Tij në të.
Madje na mësoi Muhamedi a.s. se fillimi i tij është mëshirë, mesi është falje kurse fundi largim nga zjarri i xhehennemit.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto mirësi që Allahu xh.sh. i ka dhënë në këtë muaj atëherë sigurisht që për të nxjerrë më të mirën nga vetja jonë në këtë muaj na duhet të kemi parasysh hartimin e një plani serioz me objektiva mjaftë të qarta.

Nga objektivat kryesore të këtij plani do ti kisha paraqitur disa më kryesore si:
• Raporti ynë me librin e All-llahut xh.sh. (Kur’anin), a do të bëjmë përmirësimin e raportit tonë me leximin e librit të All-llahut xh.sh., le të jetë pikfillimi i ndryshimit ky muaj me plotë mirësi.
• Raporti ynë me sadakanë, duke marrë parasysh se edhe vetë i Dërguari i All-llahut ishte më bujar në muajin e Ramazanit, a do të bëjmë plan që të ndajmë sadaka nga pasuria jonë për hir të Zotit.
• Raporti ynë me ftesën në të mirë dhe pengimin e të keqes, sot a kur më herët bota ka nevojë për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja. Sot është shumë e nevojshme ti ja zgjasim dorën njëri- tjetrit për ta ndihmuar në të mirë dhe ta pengojmë nga e keqja.
• Raporti ynë me të afërmit (familjen), sa kohë do të ndajmë me të afërmit për të qëndruar dhe biseduar për çështjet që i preokupojnë ato.
• Raporti jonë me shokët, a kemi planifikuar që të harxhojmë kohë për të ndihmuar njëri tjetrin në sendet që kanë nevojë ti ndihmojmë.
• A kemi menduar kohë për lutje të sinqerta drejtuar All-llahut xh.sh., për ato që i njohim dhe ato që nuk i njohim.

Që të arrijmë në realizimin e një plani të këtillë ne duhet të jemi të përkushtuar në maksimum ashtu siç na mësoi Muhamedi a.s. i cili tha: “Nëse bëni diçka atëherë përkryjeni atë“, gjegjësisht bëjeni atë në formën më të mirë të mundshme.
Përkushtimi është elementi i cili na mundëson që të nxjerrim më të mirën nga ky muaj, duke u munduar të realizojmë obligimet që i përcaktuam në formën më të mirë dhe më produktive.

Forumi Rinor Islam, sikurse vitet e kaluara ashtu edhe në këtë vit do të mundohet që të realizon një sërë aktivitetesh që t’ju motivon dhe përkrah në realizimin e planeve tuaja, që të jeni më produktiv me kohën tuaj, gjatë këtij muaji të bekuar.

E lusim All-llahun xh.sh. që të keni agjërim të lehtë dhe punë të pranuara.

Mr. Xhabir Emini, kryetar
Forumi Rinor Islam