Këto ditë, institucioneve kryesore të Kosovës, iu dërgua një peticion nga disa intelektual shqiptarë, për ta parandaluar “falsifikimin” e historisë së shqiptarëve për periudhën e Perandorisë Osmane në Kosovë. Pasi që i lexova emrat e intelektualëve të nënshkruar, kuptova që një ndjekës i serialit turk për Sulltan Sulejmanin ka më shumë njohuri për Perandorin Osmane se sa disa prej tyre.
Inxhinier elektrik, kompozitor, doktor, piktor, skulptor, poet, regjisor, përkthyes, shkrimtar etj. janë disa që kanë nënshkruar peticionin në fjalë. Me këtë rast disa prej tyre janë gëzuar që do të kenë emrin në një listë të quajtur intelektualët shqiptarë. Sikur këta të respektonin veten e tyre nuk do të nënshkruanin në një kërkesë për të cilën çështje janë injorant në kuptim të plotë të fjalës. Me çdo respekt për profesionet e tyre, mirëpo ata nuk janë të thirrur që të debatojnë për këtë temë. Në listën e të nënshkruarve përveç se bie në sy fakti që asnjëri prej tyre nuk e din turqishten apo nuk e njeh kulturën turke, ka edhe prej tyre që janë islamofob apo turkofob të dëshmuar me shkrime publicistike. Publicistët në fjalë, qe një kohë të gjatë tani e kanë marrë për detyrë që të mbrojnë historinë e falsifikuar të popullit shqiptar të shkruar nga pseudohistorianët komunist të Shqipërisë.
Ata në mes të tjerave shkruajnë që historia shqiptare nuk mund të ndryshoj me ndërhyrje të jashtme. Me këtë konstatim të tyre pajtohemi të gjithë prandaj dhe shumë të rinj shqiptarë sikurse rasti im, me zell punojmë që ta ndryshojmë historinë tonë të falsifikuar.
Teksti në fjalë është skandaloz. Që në fillim të shkrimit vërehet tentativa e këtyre intelektualëve që të mbajnë ende të gjallë mitin e Skenderbeut tek shqiptarët. Mjerë ai intelektual shqiptar që identitetin e tij kombëtar e bazon te Skenderbeu, vëllai i të cilit qe një kallogjer i kishës serbe dhe sot e ka varin te manastiri serb i Hilanderit.
Në tekstin në fjalë hasen konstatime të çuditshme, e ku shkruhet: “Pushtimi pesëshekullor turk ka qenë i dhunshëm dhe përgjatë asaj periudhe të gjatë, ka pasur vrasje, shfarosje, dhunë të vazhdueshme, ndërkohë që shqiptarët ishin populli më i persekutuar i Perandorisë”. Me këtë rast përveç faktit që nuk bëhet fjalë për pushtim 5 shekullor por për bashkëjetesë pesëshekullore, ata bëjnë edhe gabime foshnjore kur zëvendësojnë me qëllim fjalën osmane me ate turke. Kuptohet që në atë periudhë 5 shekullore ka pasur vrasje dhe persekutime, por kjo ndodh edhe sot në Shqipëri. Lexoni gazetat e Shqipërisë! Për çdo ditë ka vrasje të shqiptarëve në Shqipëri. Mirëpo të thuhet që shqiptarët kanë qenë populli më i persekutuar i Perandorisë është gabim i madh. Kjo pasi që në Perandorin Osmane nuk ka pasur popull të persekutuar. Të gjithë popujt e Perandorisë janë trajtuar në bazë të ligjit. Shqiptarët prej gjithë popujve të Perandorisë ditën më së miri që të shfrytëzonin rregullimin shtetëror të Perandorisë në interes të tyre, duke u integruar dhe duke dhënë kontributin e tyre ushtarak e intelektual për zgjerimin dhe forcimin e Perandorisë Osmane. Shqiptarët u forcuan aq shumë sa që me të drejtë merituan edhe udhëheqjen e një pjese të madhe të Perandorisë Osmane dhe me pastaj edhe të Republikës së Turqisë.
Në tekstin në fjalë haset edhe ky konstatim: “Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit”. Nëse ai “pushtim” në atë kohë na ndau nga Evropa, atëherë ju pyes juve se cili pushtim sot na ka ndarë nga Evropa?! Nëse ju do ta njihnit historinë mesjetare të Evropës do të shkruanit shyqyr që nuk ishim pjesë e asaj Evrope. Evropa në atë kohë gjendej në vitet e errëta (fanatizëm fetar, luftëra sektare, feudalizëm i egër, sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse etj). Të vetme territore të Evropës ku jetohej normalisht ishin gadishulli Iberik dhe ai Ballkanik, e ku sundonte e drejta islame. Prandaj dhe shqiptarët kishin fat që jetonin në Perandorin Osmane.
Këta intelektual paturpësisht shkruajnë: ”Kërkesa për ndryshimin e historisë s’ka ardhur si rezultat i shtytjeve shkencore, zbulimeve dhe fakteve të reja dhe as i nevojës së interpretimeve të reja të mirëfillta shkencore, por si rezultat i trysnisë së shtetit turk mbi qeverinë e Kosovës”. Nëse historia juaj qenka shkruar e bazuar në punime shkencore historike atëherë na i tregoni se kush janë ata shkencëtar fantom që kanë hulumtuar në arkivin osman në Stamboll. Jo që nuk ka pasur por edhe sot thuajse që nuk ka. Pasi vetë jam regjistruar në arkivin osman për hulumtim mund t’ua vërtetoj këtë prej Stambolli. Numri i atyre që kanë bërë hulumtime në arkivin në fjalë mund të numërohen me gishtat e dorës.
Teksti i intelektualëve vazhdon me këta konstatime politike: “Përpjekjet që interpretimi i historisë të bëhet në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të së vërtetës, janë të rrezikshme dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen tonë”. Por për cilën të ardhme e kanë fjalën ata?! Për Evropën që i ka lënë shqiptarët si lypsa. Për Evropën që i ka izoluar shqiptarët e Kosovës. Mua nuk më pëlqen pozita e të nënçmuarit në sytë e Evropës. Nuk dua që t’i lutem Polonisë, Bullgarisë, Latvisë, Qipros etj që të hy në Evropë. Mua asgjë nuk më lidh me ato kombe. S’kam as fe, as gjuhë, as histori e as kulturë të përbashkët me ta. Nëse juve ju pëlqejnë ato shtete, shkoni dhe jetoni atje.
Mllefi i këtyre intelektualëve ndaj Turqisë shfaqet aq qartë sa që në një rast ata shkruajnë se nuk do të pranojnë ndryshim të historisë me ekspert turq. Si bëhet që këta intelektual të mos e kuptojnë se ekspertët nuk kanë etni. Ekspert do të thotë njohës i një problematike. Nëse ai eksperti sjell dëshmi për një çështje, çfarë rëndësie ka etnia apo kombësia e tij?! Veç asaj a ende nuk e kanë kuptuar që fjala turk në vete mbërthen edhe shqiptarin, siç përmbledh edhe boshnjakun, kurdin, turkun e Azisë Qendrore etj.
Prej mllefit të madh që kanë ndaj Turqisë dhe të kaluarës së tyre historike, kalojnë edhe në racizëm. Për nocionin e kombit përdorin teorinë raciste për pastërti të gjakut. Ata shkruajnë se ndërrimi i historisë: “cenon ADN-në e kombit shqiptar”. Mirëpo se çfarë ADN-je ka kombi shqiptar i Shqipërisë i përzier me malazezët e Shkodrës, bullgarët e Pogradecit, vllehtë e Voskopojës, grekët e Gjirokastrës, boshnjaket e Shijakut, romët e Durrësit, armenët e Elbasanit, gorjanët e Golobërdes, turqit nga Anadollit dhe çerkezët nga Kavkazi këtë mund ta kuptojnë vetëm ata.
Është për të ardhur keq se në listën e të nënshkruarve ka edhe shkrimtar apo poet të talentuar siç që është Agron Tufa apo Visar Zhiti. Ky i fundit i del zot historisë së shkruar nga komunistët edhe pse vetë ka qenë i persekutuar gjatë komunizmit. Ta përkujtoj Visar Zhitin se si është përgjigjur ai në pyetjen se cilat kanë qenë torturat ma të rënda në burgjet e Shqipërisë gjatë komunizmit: “Torturat ishin nga format më mesjetare, t’ia lidhësh këmbët me rripin e pushkës dhe t’i biesh pushkës për t’i ënjtur këmbët, t’i krijosh plagë dhe t’ia lyesh me kripë që t’i djegin, t’i shkulësh thonjtë, t’i shkulësh dhëmbët, ta varësh në mënyrë të tillë që këmbët t’i cikin pak në tokë, por njëkohësisht të mos prehesh dot, lënia pa ujë, lënia në diell me orë të tëra, ose rënia e pikës së ujit në kafkë gjatë me net të tëra dhe e fundit fare, ajo më e turpshmja, përdhunimi i pjesëtarëve të familjes në prani të personit…”( Gazeta Mapo, Shkrimtarët që bënë dosjen time mbajnë pozicione të ndjeshme, 05-07-2011). Pasi këta intelektual shkruajnë për dhunë gjatë Perandorisë Osmane atëherë parashtrohet pyetja se kush janë barbarë këtu?! A mund të jetë njeriu më barbar se sa në Shqipëri. Ta përkujtoj Zhitin se sikur të jetonte gjatë Perandorisë Osmane do të kishte qenë i nderuar si gjithë poetët në atë Perandori.
Categories