Categories
Fetva

Fshirja me peshqir pas marrjes së abdesit dhe gusulit

Pyetje: A më lejohet që të fshihem me peshqir pas marrjes së abdesit ose gusulit, apo një veprim i tillë konsiderohet në kundërshtim me traditën profetike
Emri i Myftiut: Një grup studiuesish
Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.
Dijetari Isam Es Shiar ka thënë: Fshirja e trupit pas abdesit ose gusulit është një çështje për të cilën dijetarët kanë mospajtime mendimesh. Një pjesë e tyre janë të mendimit se fshirja është e lejuar (mubah) dhe një pjesë tjetër e dijetarëve janë të mendimit se fshirja është e papëlqyeshme (mekruh). Por mendimi më i pranueshëm është mendimi i parë që lejon fshirjen. Madje në disa raste fshirja është e pëlqyeshme (mustehab) si psh: kur është ftohtë e në raste të tjera të ngjashme. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve, si dijetarët e medh’hebeve Hanefi, Maliki, Hanbeli dhe në një transmetim të medh’hebit Shafi’ij. Argument për këtë është hadithi i mëposhtëm. “Në vitin e çlirimit të Mekes, profeti (a.s.) u la, Fatimja e mbuloi. Pastaj ai (a.s.) mori rrobën dhe e mbështolli rreth vetes për t’u mbuluar.”[1]
Ndërsa ata dijetarë të cilët janë të mendimit se fshirja është e papëlqyeshme kanë marrë për argument hadithin e transmetuar nga Mejmune, e cila thotë: “Kur profeti (a.s.) mori gusul për t’u pastruar nga xhunublliku u afrova pranë tij. Ai lau duart dy herë ose tre herë. Pastaj i futi duart në enë. Pastaj lau organin gjenetial duke e fërkuar fort që të pastrohej, pastaj mori abdes, pastaj hodhi tre grushta ujë mbi kokë, pastaj lau tërë trupin, pastaj u spostua nga vendi ku u la dhe në fund lau këmbët. Kur mbaroi i solla shami, por ai ma ktheu.” Mirëpo ky argument të cilin e kanë përdorur ata të cilët thonë se fshirja është e papëlqyeshme nuk merret për bazë sepse mosfshirja e profetit (a.s.) të trupit nuk do të thotë që ajo është e papëlqyeshme. Profeti (a.s.) një diçka që është e lejueshme (mubah) mund ta veprojë dhe mund mos ta veprojë.është transmetuar nga profeti (a.s.) se ai është fshirë pas marrjes së gusulit.
Në enciklopedinë kuvajtiane të jurisprudencës islame lexojmë si më poshtë:
Nuk është problem fshirja me shami apo peshqir pas marrjes së abdesit dhe gusulit. Të këtij mendimi janë imam Ebu Hanifja, imam Maliku, imam Ahmedi dhe në një transmetim të imam Shafi’iut. Ibnu Mundhir na transmeton lejueshmërinë e fshirjes nga Othman ibnu Afani, Husejn ibnu Ali, Enes ibnu Malik, Bishr ibnu ebi Mes’ud, Hasen El Basri, Ibnu Sirin, Alkame, Esuedi, Mesruki, Dah haku, Eth Theuri dhe Is’haku.
Argument për këtë janë hadithi i transmetuar nga Um mu Hani: “Profeti (a.s.) u la, Fatimja e mbuloi. Pastaj ai (a.s.) mori rrobën dhe e mbështolli rreth vetes për t’u mbuluar.” [2] Ky hadith flet qartë për fshirjen e trupit. Kajs ibnu Sa’ad thotë: “I sollëm ujë profetit (a.s.) e ai u la. Pastaj i sollëm një mbulojë dhe ai u mbështoll me të.” Ebu Bekri transmeton se profeti (a.s.) mbante një shami me të cilën fshihej pas abdesit.
Ata të cilët janë të mendimit se fshirja pas abdesit dhe gusulit është e papëlqyeshme janë Ibnu Ebi Lejla, Seid ibnu El Musejb, En Nekhai, Muxhahidi dhe Ebu El Alije. Argument për këtë mendim është hadithi i transmetuar nga Enesi i cili ka thënë se: “Profeti (a.s.) nuk e ka pasë fshirë fytyrën e tij me shami pasi merrte abdes” po kështu kanë vepruar Ebu Bekri, Umeri dhe Ibnu Mes’udi. Transmetohet nga Ibnu Abasi se fshirja me shami pas abdesit është e papëlqyeshme, ndërsa pas gusulit është e lejeuar.
Kush është më e preferueshme fshirja apo mosfshirja pas marrjes së abdesit?
Ata dijetarë të cilët janë të mendimit se fshirja është e lejueshme (mubah) kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me fshirjen apo mosfshirjen pas marrjes së abdesit:
Dijetarët e medh’hebit Maliki dhe Hanbeli janë të mendimit se më e preferueshme është mosfshirja në ato raste kur nuk ekziston frika e të ftohtit apo ndonjë gjëje tjetër të ngjashme.
Ndërsa dijetarët e medh’hebeve Hanefi dhe Shafi’ij janë të mendimit se më e preferueshme është fshirja me shami apo me peshqir pas marrjes së abdesit.
Në librin “El Mugni” të imam Ibnu Kudames lexojmë si më poshtë:
“Nuk ka problem që pas marrjes së abdesit apo gusulit, të fshihet me shami. Khilali transmeton se imam Ahmedi ka thënë një gjë të tillë. Gjithashtu transmetohet nga Othmani, imam Hasani, Enesi dhe shumë dijetarë të tjerë për lejueshmërinë e fshirjes së trupit pas marrjes së abdesit dhe marrjes së gusulit.
Ndërsa Xhabiri e ka ndaluar një gjë të tillë, ndërsa disa dijetarë të tjerë e kanë parë një veprim të tillë si të papëlqyeshëm (mekruh).
Mirëpo mendimi i parë është më i saktë, sepse në origjinë gjërat janë të lejuara. Lënia e një veprimi të tillë nga profeti (a.s.) nuk do të thotë se ky veprim është i papëlqyeshëm (mekruh), sepse profeti (a.s.) një gjë është e lejuar (mubah) mund ta veprojë por edhe mund ta lërë.”
Allahu e di më së miri.


[1] Këtë hadith e ka transmetuar imam Ibnu Maxheh. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith.
[2] Këtë hadith e ka transmetuar imam Buhariu dhe imam Muslimi.

Exit mobile version