“Allahu është një”, sugjerojnë me një gisht pjesëtarët të FSK-së në fotografinë e mëposhtme, të cilën e kanë shpërndarë grupet islame

Ajo shoqërohet me lajmin se pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në një garë për leximin dhe memorizimin e Kuranit, të mbajtur në Arabinë Saudite.
Një delegacion kosovar, i kryesuar nga ministri Agim Çeku, ka qenë në vizitë zyrtare në shtetin arab. Në këtë kohë, Princi i kurorës, Selman bin Abdul Aziz, dhe ministri i Mbrojtjes Khalid bin Sultan bin Abdul Aziz, organizojnë një garë për memorizimin e Kuranit, të quajtur çmimi “Princ Sulltan”.
Burimet i kanë thënë KTV-së se ministri Çeku ka kërkuar mirëkuptimin e arabëve që për shkak të specifikave të Kosovës, ushtarët e FSK-së të mos marrin pjesë në këtë garë. Ai u ka dhënë urdhër atyre që të mos marrin pjesë në të, por, së paku dy prej tyre – bashkë me kolegë nga Sudani, Senegali, Bahrejni, Jordania, Kuvajti dhe vende të tjera – kanë lexuar librin e shenjtë mysliman.
Thyerja e urdhrit ka alarmuar FSK-në, e cila sot gjatë ditës i ka identifikuar këtë dy pjesëtarë dhe ka vendosur të marrë masa. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.
“Ne kemi nisur sot një hetim të brendshëm, pasi kemi mësuar se çfarë ka ndodhur. Po pres të më vij një raport dhe nesër mund t’ju jap më shumë informacion”, ka thënë ai. /Telegrafi/